Ndahet nga jeta Fatos Nano, arkitekti i së majtës moderne shqiptare

Fatos Nano, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Partisë Socialiste, ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare. Ai do të kujtohet si një nga figurat kyçe të tranzicionit politik shqiptar dhe si njeriu që udhëhoqi të majtën drejt formës moderne socialdemokrate.

Një nga daljet e rralla të Nanos në emisionin Opinion. Screnshoot nga video e emisionit

Jeta e Fatos Nanos

Fatos Thanas Nano lindi më 16 shtator 1952, në Tiranë. Babai i tij, Thanas Nano, ishte gazetar dhe drejtues në Radio Televizionin Shqiptar gjatë periudhës së komunizmit. 

Nano u diplomua në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, në degën e ekonomisë politike. Pas studimeve, ai punoi si ekonomist dhe pedagog, përfshirë Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, ku zhvilloi analiza mbi sistemet ekonomike dhe politikat shtetërore të kohës.

Në dhjetor të vitit 1990, në kulmin e lëvizjeve për ndryshim, Fatos Nano u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, në një Shqipëri që ende jetonte nën regjimin komunist, por që po hynte me shpejtësi në epokën e pluralizmit.

Më 22 shkurt 1991, ai u caktua Kryeministër i përkohshëm i vendit, me detyrën për të organizuar zgjedhjet e para pluraliste në historinë moderne të Shqipërisë. Kjo periudhë shënoi fillimin e rolit të tij si një nga figurat kyçe të tranzicionit politik shqiptar.

Pas dorëheqjes nga qeveria tranzitore në qershor 1991, ai mori drejtimin e Partisë Socialiste, duke e shndërruar atë nga një trashëgimtare e Partisë së Punës në një parti te spektrit liberal e social-demokrate të qendrës së majtë.

Gjatë drejtimit të opozitës përballë pushtetit të parë të Sali Berishës, ai u arrestua dhe më pas u dënua me 12 vite burgim për akuza të abuzimit me fondet publike, lidhur me ndihmat humanitare gjatë krizës ekonomike të 1991-it. Shumë organizata ndërkombëtare dhe vëzhgues në atë kohë e cilësuan dënimin e tij si politik.

Në vitin 1997, pas rënies së regjimit të Berishës dhe trazirave që pasuan skemat piramidale, Nano u lirua dhe u rikthye fuqishëm në politikë, duke rifituar postin e kryeministrit. Postin e Kryeministrit Fatos Nano e ka mbajtur tre herë gjatë karrierës së tij politike. Nga shkurti i vitit 1991 në qershorin e po atij viti si kryeministër i një qeverie tranzitore të krijuar nga presidenti i kohës Ramiz Alia. Nga korriku 1997 në shtatorin e vitit 1998, si pasojë e ardhjes në pushtet të PS-së – pas trazirave të vitit 1997 – dhe nga korriku 2002 deri në shtatorin e 2005-ës. 

Pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2005, Fatos Nano u tërhoq përfundimisht nga jeta politike aktive. Megjithatë, ai vijoi të mbetej një zë me ndikim në debatin publik dhe shpesh shfaqej në media me opinione për drejtimin e së majtës shqiptare. Në vitet e fundit, ai përballej me probleme kronike të frymëmarrjes dhe ndërlikime shëndetësore që e kufizuan rëndë.

Trashëgimia politike 

Fatos Nano do të mbahet si një ndër të parët, në mos i pari politikan liberal shqiptar. Atij i njihet merita nga studiuesit e politikës si reformator i Partisë së Punës, nga një parti marksiste në një parti liberale e socialdemokrate, që më vonë mori emrin Partia Socialiste. Në ndryshim nga udhëheqësit e tjerë për të cilët ruajtja e mbajtja e pushtetit ka qenë prioritare, Fatos Nano preferonte të jepte pushtet, e provuar kjo edhe nga largimi i tij nga politika përfundimisht pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 4 korrikut 2005, zgjedhje që bënë kryeministër Sali Berishën, e i dhanë çelësat e Partisë Socialiste kryetarit të atëherëshëm të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Nano ishte babai i një djali dhe i një vajze. Trashëgimia politike e tij mbetet pjesë e pandarë e historisë së tranzicionit shqiptar – një periudhë që ai vetë ndihmoi ta shkruante.

Ruel Domi

Ai është Analist i Politikave Publike tek Media Amfora. Është diplomuar në "Concordia College" (Minnesota, SHBA), për "Financë" dhe "Shkenca Politike". Ka ndjekur "Spring Policy Academy", të The Heritage Foundation, në Washington DC, ku është trajnuar mbi ekonominë amerikane dhe sigurinë kombëtare. Kontribuon rregullisht me analiza mbi zhvillimet gjeopolitike, ekonomike dhe sociale në median shqiptare dhe ndërkombëtare. Është i fokusuar në analizën e politikave socio-ekonomike dhe kulturore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *