Narrativa e rreme rreth “bllokimit” të fondeve të BE-së për axhendën digjitale

Pas akuzave të SPAK për korrupsion në AKSHI u përhap një valë artikujsh që pretendonin se Bashkimi Evropian kishte ndërprerë fondet për axhendën digjitale të Shqipërisë, me idenë se institucioni ishte i korruptuar. Nga ana tjetër Delegacioni i BE-së konfirmoi për Amforën se nuk ka asnjë fond të ngrirë për axhendën digjitale.

Në fillim të vitit, media në internet publikuan artikuj që flisnin për pezullim të fondeve të Bashkimit Europian për digjitalizimin në Shqipëri, duke e paraqitur këtë si një vendim të marrë nga Brukseli.

“Tjetër bombë nga Brukseli: pas fermerëve, BE pezullon fondet edhe për axhendën digjitale të Shqipërisë”, shkruante portali Kapitali.al në një artikull të publikuar më 14 janar 2026.

Ky lajm nuk mbeti i izoluar, pasi më pas qarkulluan shumë artikuj të tjerë me të njëjtin pretendim. Nga verifikimi i Amforës, u identifikuan dhjetëra shkrime që e paraqisnin pezullimin si vendim të marrë nga BE.

Nga kontrolli i artikujve rezulton se pretendimet për pezullim fondesh nuk mbështeteshin në asnjë vendim, deklaratë apo njoftim zyrtar të Bashkimit Evropian, por në burime të paidentifikuara dhe riprodhim të të njëjtit lajm në disa media.

Shumica e artikujve vendosnin theksin te fondet e Bashkimit Evropian për projektet e digjitalizimit në Shqipëri. Pretendimet lidhnin drejtpërdrejt këto financime me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), si institucioni përgjegjës për zbatimin e tyre.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri u shpreh se nuk ka ndërprerje fondesh për projektet digjitale.

“Bashkimi Evropian po e ndjek situatën nga afër. Siç e kemi thënë edhe më parë, deri më sot nuk ka asnjë fond të ngrirë të BE-së”, u shpreh institucioni në një përgjigje zyrtare për Median Amfora. 

Në të njëjtën linjë u shpreh edhe  vetë institucioni përgjegjës për zbatimin e projekteve digjitale në vend, AKSHI. 

“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) konfirmon se nuk ka marrë asnjë vendim, komunikim apo masë zyrtare nga ana e Bashkimit Evropian që të ndikojë në financimin e projekteve të digjitalizimit që administron”, u shpreh zyrtarisht institucioni për Median Amfora. 

Lajme të tilla, që vendosin në fokus institucione të rëndësishme ndërkombëtare si Bashkimi Evropian, qarkullojnë me shpejtësi në media dhe rrjete sociale, duke u rishpërndarë pa burime të verifikuara. Në këtë mënyrë, ato grumbullojnë mijëra klikime, shpërndarje dhe komente, ndërsa krijojnë paqartësi te publiku mbi situatën reale të fondeve dhe projekteve.

Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian bëhet objekt i lajmeve dezinformuese për fondet në Shqipëri. Edhe në raste të tjera, pretendime për pezullime apo bllokime financimesh janë qarkulluar në media pa burime dhe pa vendime zyrtare.

Raste të ngjashme janë parë edhe më herët, kur Bashkimi Evropian është përdorur si subjekt i lajmeve të pakonfirmuara. Në disa raste, media kanë raportuar për “pezullim negociatash” apo “ndëshkime financiare” pa vendime zyrtare, ndërsa në raste të tjera janë publikuar tituj për “ndërprerje fondesh” në sektorë të ndryshëm, të bazuar në burime të paidentifikuara. Edhe gjatë debateve për procesin e integrimit apo liberalizimin e vizave, janë shpërndarë lajme që i atribuonin BE-së vendime të paqena, duke krijuar paqartësi dhe perceptime të gabuara te publiku.

Për rastin e programeve digjitale, Bashkimi Evropian sqaroi se situata po ndiqet nga afër dhe se janë në zhvillim diskutime me autoritetet shqiptare për masa shtesë sigurie.

“Diskutimet me autoritetet përkatëse shqiptare mbi masat shtesë të nevojshme për të siguruar mbrojtjen e duhur të interesave financiare të BE-së janë në vazhdim. Masat që po diskutohen lidhen si me asistencën e kaluar, ashtu edhe me mbështetjen e ardhshme, me qëllim që të sigurohet vendosja e garancive të nevojshme për çdo prokurim të ardhshëm”, sqaroi institucioni. 

Vetë AKSHI, institucion që ka qenë në qendër të hetimeve të SPAK për procedura tenderuese dhe ndaj drejtuesve të të cilit në dhjetor 2025 janë vendosur masa sigurie, theksoi se projektet e digjitalizimit të financuara nga BE nuk kanë pësuar ndryshime dhe po vijojnë sipas planifikimeve.

“Projektet e digjitalizimit të financuara nga BE janë duke u zbatuar normalisht, në përputhje me planifikimet e miratuara, pa ndryshime në ritmin, afatet apo fazat e zbatimit të tyre”, shpjegoi institucioni. Më tej, AKSHI shtoi se zbaton mekanizma transparence dhe kontrolli, si dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare.

Edhe pse nuk ka asnjë vendim zyrtar për ndërprerje fondesh, ndikimi i këtyre narrativave në perceptimin publik mbetet i dukshëm.

Raportime që i atribuojnë Bashkimit Evropian vendime të pakonfirmuara, krijojnë perceptime të gabuara për situatën reale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e publikut ndaj institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në një kontekst ku informacioni qarkullon me shpejtësi, këto pretendime mund të deformojnë debatin publik, të nxisin keqkuptime dhe të krijojnë pasiguri të panevojshme në shoqëri.