Narrativa e frikës: Si amplifikohet perceptimi i pasigurisë në Londër
Narrativat që ngrenë alarmin për sigurinë në metropolet e mëdha si Londra, shpesh nuk mbështeten në burime të verifikuara, por ndërtohen mbi tituj tërheqës dhe përmbajtje të pakonfirmuar. Ky fenomen ushqehet nga logjika e klikimeve dhe në disa raste instrumentalizohet për qëllime politike, duke ndikuar në perceptimin e publikut dhe duke nxitur ndjenjën e pasigurisë.
Foto ilustruese nga Londra dhe Parlamenti Britanik. Foto: Media Amfora
Muajt e fundit një seri me video virale janë bërë pjesë e artikujve në mediat në internet dhe në kanale të ndryshme në rrjetet sociale në Shqipëri dhe jo vetëm, duke e portretiziuar Londrën si një vend ku mbizotëron kaosi dhe pasiguria.
Përmes titujve që ngjallin frikë dhe panik, media të ndryshme në internet po ndërtojnë një narrativë që e cilëson metropolin britanik si një “qytet makthi”, ku dominon pasiguria dhe e papritura nga ai që njihet si krimi i rrugës.
“Qytetarët të pasigurtë për jetën e tyre: Londra është kthyer në qytetin e ‘makthit’”, ishte një prej titujve të mediave në internet, që qarkullojnë dendur vitet e fundit. Shumë media shqiptare i referohen tabloidit britanik “Daily Mail”, si një “media prestigjioze” – Megjithëse në Britani ai njihet për tituj tërheqës dhe shpeshherë për narrativa që shënjestrojnë emigrantët shqiptarë. Përdorimi i burimeve të ngjashme pas filtera verifikimi duket se shërben edhe si pikënisje për ndarjen e informacioneve me karakter dezinformimi.
Naim Hasani, një avokat shqiptar që jeton dhe punon në Londër, vlerësoi se këto përshkrime nuk reflektojnë realitetin e përditshëm.
“Gjithësesi miti se Londra nuk është një vend i sigurtë kohët e fundit i kanë shërbyer edhe deklarata të papërgjegjshme të disa politikanëve të ekstremit të djathtë. Padyshim kjo nuk reflekton në asnjë mënyrë realitetin e përditshëm në Londër, ku ne jetojmë dhe punojmë për shumë vite. Londra është një metropol shumë divers dhe qytetarët jetojnë në paqe dhe harmoni”, komentoi ai.
Një tjetër burim i mediave në internet në Shqipëri është edhe platforma “Numbeo”, një hapësirë virtuale ku njerëzit nga e gjithë bota japin të dhëna për jetesën në qytetet e tyre, duke përfshirë qasjen e tyre subjektive mbi perceptimet dhe ndjesitë.
Artikujt të tjerë, me tituj, “Video/70 mijë telefona të vjedhur, një përdhunim çdo orë – Londra në krizë sigurie”, i referohen shpesh të dhënave të “Numbeo”-s, megjithëse ai nuk është një institucion statistikor dhe ofron të dhëna mbi koston e jetesës, sigurinë, e cilësinë e jetës në qytete dhe vende të ndryshme, të cilat gjenerohen nga përdoruesit dhe nuk përfaqësojnë matje zyrtare.
Sipas gazetares dhe ekspertes së medias, Viola Keta, ka dy arsye kryesore pse narrativa të tilla përhapen lehtësisht në mediat shqiptare.
“Etja për klikime, pasi janë lajme që lidhen direkt me jetën dhe sigurinë, ç’ka i peshkon lehtësisht lexuesit. Mungesa e filtrave editoriale dhe verifikimit, duke i publikuar ‘copy- paste’”, analizoi ajo.
Krijimi i një “krize sigurie” që nuk ekziston
Narrativat mbi pasigurinë në kryeqytetin britanik vijojnë te gjejnë shtrirje edhe në rrjetet sociale, të cilat megjithëse shpesh herë të bazuara në mendime personale, paraqiten si fakte dhe të dhëna absolute.
Narrativat që e shënjestrojnë kryeqytetin britanik si të pasigurtë kanë gjetur shtrirje edhe në mediat shqiptare, ku titujt tërheqës përdoren për të nxitur frikë dhe perceptime të gabuara mbi sigurinë.
Disa prej tyre përfshijnë edhe zhvillimet kontroverse në politikën amerikane, me tituj si, “‘Londra është bërë aq e rrezikshme sa njerëzit po goditen me thikë pas shpine’, Trump ‘sulmon’ kryebashkiakun britanik: Katastrofë totale”.
Gazetarja britanike Alice Taylor – e cila prej vitesh jeton në Tiranë – theksoi se disa narrativa shpesh ekzagjërohen për qëllime politike. Ndërsa pohoi më tej se në Shqipëri ajo ndihet shumë më e sigurt se në vendin e saj të origjinës.
“Disa narrative janë tejet të ekzagjeruara për qëllime politike, por unë jam 100 herë më e sigurt në Shqipëri se sa në Londër. Megjithatë asgjë nga kjo nuk është aq keq sa në SHBA. Prandaj Donald Trump do të bënte mirë të merrej me çështjet e tij atje, ku njerëzit vriten nga ICE dhe qëllohen vetëm duke shkuar në dyqan”, krahasoi ajo.
Çfarë thonë shifrat zyrtare?
Referuar qëndrimeve zyrtare, numri i vrasjeve në Londër në vitin 2025 është më i ulëti në më shumë se një dekadë. Referuar të dhënave zyrtare të “Shërbimit të Policisë Metropolitane”, numri i vrasjeve në Londër gjatë vitit 2025 ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 2014. Sipas statistikave të policisë, janë regjistruar 97 raste ose rreth 1.07 vrasje për çdo 100 mijë banorë.
Nga ana tjetër, media britanike “The Guardian” shkruan se Londra është më e sigurt se Berlini, Brukseli, Parisi dhe qytetet kryesore të SHBA-së, si Nju Jorku apo Los Angeles, ku numri i vrasjeve për 100.000 mijë banorë në këto metropole është më i lartë.
“Statistikat e publikuara nga New Scotland Yard, qendra e policisë londineze flasin për një rënie të paktën me 20% të veprave penale të dhunës kundër personit dhe sidomos homicide (vrasjeve)”, shpjegoi avokati shqiptar në Londër, Naim Hasani.
Më tej ai shtoi se Britania është e sigurt dhe se krimi po luftohet me profesionalizëm dhe drejtësi pa favorizuar askënd. Policia Metropolitane vitet e fundit nisi përdorimin e dronëve dhe të motoçikletave, të kombinuara me biçikletat elektrike, me qëllim reagimin e shpejtë ndaj krimit të rrugës, të fokusuar tek grabitjet e celularëve, çantave të dorës dhe të sendeve me vlerë.
“Britania nuk është vend i rrezikshëm, padyshim që ka kriminalitet dhe krimi ekziston në çdo shoqëri, sado e përparuar të jetë ajo. Britania është një vend i sigurt ku sundon ligji dhe drejtësia”, theksoi Hasani.
Instrumentalizimi i krimit për të shënjestruar emigrantët
Pas pasqyrimit mediatik dhe fushatave në mediat sociale, shfaqet edhe një axhendë politike, që sipas njohësve të fushës po përdoret nga politikanët e ekstremit të djathtë si një “armë” për të shënjestruar komunitetet etnike.
“Synimet e tilla janë dashakeqe dhe ekstremiste”, konstatoi avokati shqiptar Hasani, duke shtuar se përpjekjet për t’i akuzuar emigrantët si fajtorët kryesorë të pasigurisë nuk pasqyrojnë realitetin e jetës në Londër.
Këtë mekanizëm manipulimi e zbërthen edhe ekspertja e medias, Viola Keta. Sipas saj, mënyra se si “paketohet” një informacion përcakton kufirin mes informimit dhe dezinformimit.
“Çdo pretendim që publikohet si e vërtetë absolute, me shumë gjasë është dezinformues”, argumentoi ajo.
Gazetarja dhe ekspertja e medias shtoi se nga përvoja e saj në verifikimin e lajmeve, shpesh këto narrativa pompohen nga aktorë politikë ose media pranë tyre për interesa të caktuara, duke përdorur raste të izoluara për të krijuar idenë e një krize të përgjithshme.
“Lajmet mund të kenë elemente të vërteta, por mënyra se si ‘shiten’ tenton të krijojë një perceptim të shtrembëruar, duke nxitur reagimin emocional tek audienca, sidomos kur është fjala për çështje të sigurisë dhe jetës”, shtoi ajo.
Për të ndikimi i këtyre lajmeve është i drejtpërdrejtë, duke qenë se shumë shqiptarë jetojnë në Britaninë e Madhe. Narrativa në formë alarmi mund të ndikojë në perceptimin e tyre dhe të familjarëve në Shqipëri, duke ulur besimin dhe duke nxitur pasiguri.
“Në terma të përgjithshëm, ajo çfarë shkakton përhapja e lajmeve që ngjallin frikë, ka si synim final nga aktorë të tretë, uljen e besimit tek shtete apo institucione-qeveri, krijimin e përçarjes në opinion dhe destabilitet”, analizoi Keta.