Miti i kujdesit komunist, midis shkatërrimit të objekteve të kultit dhe narrativës së ruajtjes
Në filmin “Kapedani”, një batutë e thjeshtë fsheh një narrativë që ka mbijetuar deri sot, atë të “kujdesit” të shtetit komunist për objektet e kultit. Por pas propagandës që Kinostudio përçonte, fshihet një realitet i dhunshëm ku mijëra kisha, xhami e teqe u shkatërruan ose u tjetërsuan, ndërsa komunitetet fetare u persekutuan.
Projeksion i Kishës së Shën Mërisë në Vaun e Dejës, e shembur gjatë regjimit komunist. Foto: Media Amfora
“Qenkeni prapa nga dynjaja ju tiranasit. Ne atje i kemi prishur me kohë. Këtë nuk e prishim ne, bile e kemi me kimet. Kjo ruhet nga shteti se është e vjetër” – Ky është një dialog nga filmi “Kapedani”, prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re” i vitit 1972, mes personazhit kryesor Xha Sulo dhe një të riu kryeqytetas, ku artikulohet hapur ideja se disa objekte të kultit, njëkohësisht edhe monumente kulture, “ruheshin nga shteti” vetëm pse ishin të vjetra – një narrativë që më vonë nisi të riprodhohej edhe në diskutimet publike.
Ndërsa ky episod filmik duket si humor i lehtë i kohës, në fakt pasqyron një narrativë shumë më të gjerë që ka mbijetuar deri sot dhe që shpalos idenë se regjimi komunist “ruajti” disa objekte të kultit dhe i trajtoi si pasuri kulturor, e po ashtu mbrojti objektet e trashëgimisë kulturore të dala në dritë rastësisht.
Kjo qasje e ndërtuar fillimisht si pjesë e propagandës së Kinostudios, është transformuar me kalimin e viteve në një gjysmë të vërtetë që qarkullon ende në hapësirën publike, duke zbutur kujtesën e dhunës së ushtruar ndaj komuniteteve fetare dhe trashëgimisë së tyre.
“Regjimi komunist në Shqipëri ka kryer një fushatë sistematike shkatërrimi ndaj komuniteteve fetare dhe trashëgimisë së tyre”, shpjegoi për Median Amfora studiuesja e së shkuarës komuniste, Jonila Godole.
Një nga ndërtesat ikonike të qendrës së Durrësit, “Xhamia e Madhe” humbi imazhin e saj, duke i shembur minaren dhe kupolën, për ta transfomuar në një ndërtesë për argëtim dhe shërbim kafeneje.
“Transformimi i Xhamisë së Madhe në aspektin ndërtimor ishte pothuajse i plotë. Përveç strukturës e cila qëndroi po ajo që ishte, e gjithë pjesa tjetër u ndryshua. Duke filluar nga fasada, minarja dhe kubeja që shërbeu si shtesë kati për një lokal ku pihej alkool dhe shërbehej mish derri. Ndërsa faltorja u kthye në një salle shfaqesh kulturore dhe artistike”, shpjegoi studiuesi i historisë së Durrësit, Aleksandër Cangoja.

Nga shumë hulumtime mbi kujtesën e komunizmit rezulton se komunitetet fetare u goditën veçanërisht rëndë, ku klerikët dhe besimtarët u persekutuan, u arrestuan apo u ekzekutuan për dekada me radhë, derisa në vitin 1967 Kushtetuta ndaloi zyrtarisht ushtrimin e çdo feje dhe Shqipëria u rendit si vendi i vetëm në botë që e shpalli zyrtarisht veten “shtet ateist”.
Brenda pak muajsh, të gjitha institucionet fetare u sekuestruan, u shkatërruan ose u tjetërsuan nga shteti. Sipas të dhënave të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK), u mbyllën ose u shkatërruan rreth 2037 objekte kulti në të gjithë vendin. Ndër to përfshiheshin 740 xhami, 609 kisha ortodokse, 158 kisha katolike dhe 530 teqe e tyrbe.
“Kur sheh shifrat e shkatërrimit, të thuash se ‘regjimi ruajti monumentet e kultit’ do të thotë të mbash në këmbë një mit politik dhe të hedhësh poshtë faktet historike”, shpjegoi Jonila Godole, drejtoreshë e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë.
Pas Kinostudios, ku mesazhe të tilla përshkoheshin në dialogët e filmave të asaj kohe, narrativa e “ruajtjes” së objekteve të kultit nisi të riprodhohej në hapësirën publike dhe për ekspertët narrativa se regjimi komunist i mbrojti objektet e kultit është shumë problematike sepse i shkëput faktet nga konteksti historik.
“Pikë së pari mbyllja e objekteve të kultit ishte një shkelje e madhe e të drejtave të njeriut, këto objekte në rastin më të mirë u kthyen në magazina apo depo dhe në rastin më të keq u rrafshuan apo u kthyen në banjo publike”, analizoi Aleksandër Cangoja.
Miti i “kujdesit” të shtetit komunist për objektet e kultit
Në Vaun e Dejë Kisha e Shën Mërisë ishte një nga monumentet më të çmuara të arkitekturës mesjetare shqiptare, e ndërtuar në shekullin XIII dhe e njohur për afresket e saj të rralla dhe vlerën historiko-fetare që mbante për komunitetin lokal.
Por gjatë fushatës ateiste të vitit 1967 ajo u pa për herë të fundit të shpërthente në ajër nga dinamiti që solli rrafshimin e saj. Ajo kishte qenë simbol i identitetit shpirtëror të zonës së Zadrimës dhe sot ka mbetur e fiksuar në kartmonedhat e prerjes 1000 Lek dhe në stemën e Bashkisë së Vaut të Dejës.

Ndërsa me kalimin e viteve debati u zhvendos nga ekrani në diskutimet shoqërore, ku ideja se disa xhami apo kisha u lanë “me hatër” nga regjimi vijon të qarkullojë ende sot. Në komentet në mediat sociale apo bisedat ditore, kjo gjysmë e vërtetë rikthehet herë pas here si argument për të zbutur ose relativizuar politikat antireligjioze të diktaturës, pavarësisht se faktet historike flasin ndryshe.
Pas debatit publik që qarkullon prej vitesh, Godole e quan këtë logjikë të rikthimit të narrativës një formë të qartë manipulimi. Sipas saj, “kemi të bëjmë me një formë dezinformimi përmes gjysmë të vërtetash.”
Ajo shpjegon se ky mekanizëm funksionon pikërisht duke marrë disa shembuj të izoluar të mbijetesës së objekteve të kultit dhe duke i ngritur si provë të një kujdesi të supozuar shtetëror.
Siç thekson Godole, “Disa objekte kulti nuk u shembën, por kjo nxirret jashtë kontekstit dhe përdoret për të prodhuar një imazh të zbutur, ku regjimi del pothuajse si ‘mbrojtës i trashëgimisë’ dhe jo si persekutues sistematik i komuniteteve fetare”.
Mbijetesa e disa objekteve në narrativa të ndryshme paraqitet si provë e kujdesit të shtetit, duke i trajtuar si të veçuara dhe jashtë çdo konteksti. Një pjesë e objekteve të kultit u rrafshuan për t’i hapur rrugë projekteve për ndërtimin e hapësirave të reja për institucionet publike.
“Kisha e Shën Spiridhonit u shemb për t’i hapur rrugë ndërtimit të godinës së Shërbimit Informativ, nga pikpamja historike ai objekt kulti kishte një rëndësi të veçantë, për arsye se aty në oborrin e saj u meshua për herë të parë në gjuhën shqipe nga Imzot Fan Noli”, kujtoi studiuesi i historisë së Durrësit, Aleksandër Cangoja.

Disa objekte kulti nuk mbijetuan drejtpërdrejtë si rrjedhojë e vullnetit politik, por për rrethana praktike dhe disa kisha u lanë në këmbë sepse shërbenin si magazina, disa xhami u përdorën për ekspozita, depo ose ambiente sportive, e disa thjesht nuk arritën të shembeshin për arsye logjistike.
Ekspertët theksojnë se rikthimi i këtyre miteve lidhet drejtpërdrejt me mungesën e edukimit historik dhe me faktin që publiku është rritur me një tablo të cunguar të represionit ndaj fesë.
“Këto narrativa krijohen dhe qarkullojnë për shkak të boshllëqeve në edukim dhe kujtesë publike, ku breza të tërë janë rritur pa një tablo të plotë të dhunës së regjimit ndaj fesë dhe trashëgimisë kulturore”, theksoi Jonila Godole.
Nga ana tjetër mediat dhe rrjetet sociale janë terreni ideal për riprodhimin e miteve që përhapen shumë më shpejt se analiza historike dhe të bazuara në fakte.
“Mediat dhe rrjetet sociale nga ana tjetër, kanë prirje të riprodhojnë pa verifikim mesazhe të thjeshta dhe emocionale, që falë algoritmeve qarkullojnë shumë më shpejt se shpjegimet komplekse me shifra dhe dokumente arkivorë”, shtoi ajo.
Kjo lloj narrative që shfaqet në rrjetet sociale dhe gjeneron qindra komente rikthen vëmendjen tek një ide që pak bazohet në fakte, duke ushqyer keqinformimin dhe duke formësuar gabimisht mënyrën se si brezi i ri e kupton të kaluarën.
“Nuk duhet harruar se ka aktorë që kanë interes të zbusin imazhin e diktaturës – qoftë për arsye ideologjike, qoftë për të shmangur përgjegjësitë morale e politike të trashëguara”, përfundoi Godole.