Midis mitit dhe historisë: “Troja në Shkodër” si dezinformim kulturor

Pretendimi se Troja ndodhej në Shkodër është një mit i përsëritur në rrjetet sociale pa baza shkencore. Ky rast tregon se si narrativat identitare dhe emocionet kolektive mund të shndërrohen në dezinformim kulturor.

Kalaja e Shkodrës. Foto Media Amfora

“Troja e vërtetë është në Shkodër?” ishte pyetja që ngriti një video e paraqitur si dokumentar, e publikuar më 4 qershor 2024 në Facebook nga faqja “Histori Epike”, duke rikthyer në qarkullim një mit historik në formën e një rrëfimi bindës për publikun.

Kjo narrativë anashkalon faktin se identifikimi i Trojës është një çështje e zgjidhur shkencërisht dhe e zhvendos vëmendjen nga historia reale, e dokumentuar e Shkodrës, drejt një imagjinari mitik që paraqitet si alternativë historike.

“Identifikimi i Trojës është një problem i zgjidhur shkencor dhe nuk ka argumente historike, e aq më pak arkeologjike, për ta kërkuar në Shkodër”, u shpreh arkeologu Neritan Ceka për Median Amfora.

Troja është një sit arkeologjik i identifikuar prej më shumë se një shekulli nga Heinrich Schliemann, arkeolog dhe biznesmen gjerman i shekullit XIX.

“Troja është identifikuar që në shekullin XIX nga Heinrich Schliemann. Më 1873 ai botoi raportin e parë të gërmimeve në sitin arkeologjik të Hisarlikut, ku identifikoi nëntë horizonte banimi, të cilat më pas u provua se i përkisnin periudhave të ndryshme në një interval kohor prej rreth 3600 vjetësh”, shpjegoi Ceka.

Ndryshe nga videoja që e shtron idenë në formë pyetjeje, e njëjta narrativë është shfaqur edhe në një postim tjetër në Facebook, me titull “Ekskluziv: Troja e vërtetë është në Shkodër”, ku pretendimi paraqitet drejtpërdrejt në formë teksti si fakt historik i mirëqenë, duke marrë mijëra shpërndarje dhe komente.

Këto dhe shumë postime të ngjashme që kanë marrë vëmendje të gjerë dhe kanë nxitur debate në hapësirën publike, sipas ekspertëve kanë sukses në rrjete sociale sepse lidhen drejtpërdrejt me emocionet dhe nevojat identitare që aktivizojnë te publiku.

“Mendoj se arsyeja kryesore që këto narrativa kanë sukses lidhet me një boshllëk emocional dhe identitar që shumë njerëz ndiejnë. Teksa mungojnë ngjarje aktuale që të krijojnë ndjenjë të fortë krenarie kolektive, publiku kthehet shpesh drejt së kaluarës”, tha Ina Allkanjari, eksperte e medias.

Në këtë kontekst, arkeologu Neritan Ceka thekson se përballja me përmbajtje që përziejnë mitin me historinë nuk duhet të kufizohet te mohimi apo çvlerësimi i tyre, por te shpjegimi i qartë dhe konkret i historisë reale për publikun.

“Rruga më e lehtë është çvlerësimi duke i trajtuar si trillime, por personalisht vlerësoj efektin e tyre për të tërhequr vëmendjen ndaj pasurive tona arkeologjike”, tha Ceka.

Në këtë kuadër, ai e zhvendos vëmendjen nga vetë miti te fakti se, pavarësisht numrit të lartë të vizitorëve që Kalaja e Shkodrës ka pasur vitet e fundit, publiku nuk merr informacion të mjaftueshëm për historinë reale të saj.

“Për fat të keq, vizitorët nuk marrin asnjë informacion mbi rëndësinë historike të Kalasë së Shkodrës si vendqëndrim i mbretërve ilirë, sepse brenda saj nuk ka gjurmë të asaj periudhe, përveç dy trakteve të murit rrethues”, shpjegoi arkeologu.

Në këtë kontekst, ai thekson se mungesa e këtij informacioni nuk zgjidhet me mohime të thjeshta, por me shpjegime të bazuara në dëshmi historike.

“Le të shpresojmë që arkeologët të japin jo shpjegimin e thjeshtë verbal se nuk është Troja, por shpjegimin material se ku gjendej selia e mbretërve ilirë në periudhën nga shekulli III deri në shekullin I para Krishtit, e kolonisë romake Scodra në shekujt e parë pas Krishtit (I–III m.Kr.), apo e Provincës Prevalis në periudhën nga shekulli IV deri në shekullin VI pas Krishtit”, shtoi Ceka. 

Nga këndvështrimi i komunikimit publik, ky boshllëk informacioni dhe mënyra se si historia shpjegohet krijon terren të favorshëm për përhapjen e narrativave të thjeshtuara dhe emocionale në rrjete sociale.

“Kur një individ përfshihet emocionalisht, aftësia e tij për të menduar në mënyrë kritike dobësohet ndjeshëm. Emocioni vepron si një filtër që zbeh analizën racionale dhe e bën më të vështirë ndarjen mes faktit dhe mitit”, tha Allkanjari.

Për arkeologun, përpjekjet për ta lidhur Trojën me Shkodrën nuk janë rast i izoluar dhe imagjinata historike nuk duhet ngatërruar me argumentin shkencor.

“Shkodra nuk është vendi i vetëm ku amatorët kanë propozuar të identifikohet Troja, sepse ka disa dhjetëra propozime të tjera.”

Në këtë kontekst, Ceka e pranon fuqinë imagjinative që mund të kenë vende simbolike si Kalaja e Rozafës, por thekson se kjo nuk duhet të zëvendësojë historinë e dokumentuar dhe rëndësinë reale që Shkodra ka në zhvillimin e qytetërimeve ilire dhe romake.

“Nuk besoj se është një shkelje e rëndë dhe, me të vërtetë, Rozafa të magjeps me pozitën e saj dominuese dhe muret mbresëlënëse, që nxisin imagjinatën poetike. Argumenti shkencor është gjë tjetër dhe fakti që ka qenë kryeqyteti i Mbretërisë Ilire, me figura si Agroni, Teuta, Skerdilaidi, Pleurati dhe Genti, ka shumë më tepër rëndësi për ne se sa imagjinari trojan”. 

Sipas Cekës, fokusi te mite të huazuara si Troja shpesh mbulon një problem më themelor të arkeologjisë shqiptare: mungesën e kërkimeve të thelluara për të identifikuar dhe dokumentuar qendrat reale të pushtetit ilir.

“Çështja është se ne ende nuk e kemi zbuluar kryeqytetin e tyre, i cili gjendej buzë Drinit, rrëzë Kalasë së Rozafës, ku duhet të zhvillohen gërmime arkeologjike me pasionin e Schliemann-it për Trojën”, tha Ceka.

Nga këndvështrimi i komunikimit publik, Ina Allkanjari vëren se rrjetet sociale krijojnë një mjedis ku përmbajtjet historike shpesh keqinterpretohen ose deformohen, duke u shndërruar shpejt në narrativa emocionale me tone nacionaliste.

Nuk është aspak e vështirë të përballesh sot me përmbajtje të shumta në rrjetet sociale, sidomos në ‘”Instagram”, “Facebook” apo “TikTok”,  ku vihen re keqinterpretimi, deformimi apo edhe shpikja e fakteve historike. Këto përmbajtje kthehen lehtësisht në materiale me tone nacionaliste dhe fitojnë terren.

Rasti i “Trojës në Shkodër” tregon se dezinformimi kulturor nuk ushqehet vetëm nga mungesa e fakteve, por nga boshllëqet në komunikimin publik, duke e bërë edukimin historik dhe mediatik mjetin më të rëndësishëm për ta dalluar mitin nga historia.