Midis heshtjes dhe klikimit: Teknologjia nuk po i ndihmon viktimat e dhunës gjinore në Shqipëri
Pavarësisht rritjes së institucioneve që trajtojnë rastet e dhunës në familje dhe krijimit të aplikacioneve ndërgjegjësuese që përdorin teknologjitë më të fundit, gratë dhe vajzat viktima të dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mos gjejnë mbështetjen e duhur.

Foto ilustruese nga fushata kundër dhunës, "Këpucët e Kuqe", në Durrës. Foto: Media Amfora
*Elona, nënë e tre fëmijëve, e ka bërë thuajse të përditshme që pas pune të shkojë ose në zyrën e avokates, ose në gjykatë ose në një shoqatë vendore ku merr ndihmë psikologjike falas, për shkak të kalvarit të vuajtjeve që dhuna e bashkëshortit shkakton në jetën e saj.
“Kam dhjetë vite që përballem me dhunën e burrit. Durova për shumë kohë dhe më pas vendosa që ta denoncoj për herë të parë në vitin 2021 dhe tashmë është bërë e zakonshme që jetën ta kaloj mes policisë dhe gjykatës”, tha 42 vjeçarja për Median Amfora, me kusht ruajtjen e identitetit.
Dhuna në familje vazhdon të mbetet një dukuri shqetësuese në Shqipëri, ku nga viti në vit rastet e denoncimit njohin rritje, që tregon një rritje të ndërgjegjësimit për raportim por metodat e denoncimit mbeten kryezisht fizike, me paraqitje drejtpërdrejt në institucione dhe viktimat nuk po përfitojnë nga zhvillimet tekonologjike për krijimin e lehtësirave të procedurave ligjore.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit gjatë periudhës janar – dhjetor 2024, janë evidentuar dhe trajtuar nga policia 5445 raste të dhunës në marrëdhëniet familjare “prej të cilëve 3822 të dëmtuara kanë qenë gra dhe vajza dhe 1754 të dëmtuar burra”. Nga shifrat që Media Amfora analizoi nga Policia e Shtetit, në një vit dhuna ndaj grave dhe vajzave që kërkuan mbrojtje njohu rritje me 115 kërkesë-padi më shumë.
Në vitin 2024 janë lëshuar 2969 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje për dhunën në familje, ndër të cilat 2166 ishin gra dhe vajza, ndërsa në vitin 2023 ishin 2772 padi të tilla, ndër të cilat 2051 gra dhe vajza.
Janë trajtuar me kërkesë–padi “Për lëshimin e Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes/Urdhrit të Mbrojtjes”, 2772 të dëmtuar, prej të cilëve 2051 gra/vajza dhe 721 burra.
Media Amfora, nëpërmjet një pyetësori në faqen e saj pyeti audiencën në lidhje me fenomenin e dhunës në familje, ku nga përgjigjet e 34 persona vetëm 10 prej tyre ishin viktima të dhunës në familje, ndërsa 24 ishin të afërm të tyre. Nga analizimi i përgjigjeve të viktimave të dhunës rezultoi se nga 10 raste të personave që e kishin përjetuar, nëntë ishin gra dhe një burrë, duke ekspozuar si autorë bashkëshortin, bashkëjetuesin, të dashurin apo vëllain.
Ndër viktimat që raportuan vetëm gjysma e tyre e kishin denonucar rastin tek autoritetet dhe 80% e tyre e kishin realizuar fizikisht, kryesisht në polici dhe në prokurori. Ndërsa kur u pyetën për format “online” të denoncimit, asnjë prej tyre nuk kishte dëgjuar për aplikacionin “Rapo Shpëto” – i krijuar për të lehtësuar raportimin e dhunës dhe të trafikimit.
Për mbrojtësit ligjor dhe ekspertët e përfaqësimit të çështjeve të dhunës me bazë gjinore, rastet e dhunës në familje janë të larmishme dhe ato përfundojnë në dyert e institucioneve apo në zyrat e avokatisë përmes takimeve dhe denoncimeve fizike.
“Në pesë vitet e fundit kam ndjekur mbi 300 raste të dhunës me bazë gjinore vetëm në qytetin e Durrësit. Këto përfshijnë një gamë të gjerë rastesh, nga dhuna fizike dhe psikologjike, deri tek dhuna seksuale dhe ekonomike”, shpjegoi avokatja Erisilda Shpata.
Sociologia Entela Binjaku tha për Amforën që “dhuna me bazë gjinore nuk po njeh as fe, as përkatësi etnike, as status shoqëror”.
“E gjitha kjo në një shoqëri ku modelet e trashëguara nga e kaluara përplasen me modelet e sjelljes që i përcakton kryesisht bashkëkohorja,” shtoi ajo.
Gratë që u takuan gjatë realizimit të këtij investigimi treguan se dhunën ndaj bashkëshortëve e kanë denoncuar pasi kanë kaluar disa vite edhe kjo për shkak të pranisë së fëmijëve në jetën e tyre, pamundësive për t’i rritur dhe shpresës se gjërat do të ndryshonin me kalimin e kohës.
“Sot që e kujtoj them me plotë gojën se kam qenë e verbër dhe kam gjykuar veten për veprimet e tij, për çdo sharje, ofendim dhe dhunë fizike”, shtoi Stela, e cila punon 11 orë në ditë për të siguruar pavarësinë ekonomike dhe po ja del midis shumë vështirësive të rrisi e vetme dy vajzat e saj.
Viktimat e dhunës treguan në së fillimisht e justifikonin dhunën fizike të bashkëshortit për shkak të situatave ekonomike që po kalonte familja e tyre. Ndërsa për [1]Elonën situatës familjare i shtoheshin edhe prindërit e bashkëshortit, por pas 10 vitesh ajo vendosi të bëjë denoncimin e parë.
“Në vitin 2021 situata u bë e papërballueshme. Me fëmijët që po rriteshin mes dhunës dhe depresionit, që nisa të vuajë kur vajza ishte ende e mitur, vendosa që të bëj denoncimin, të largohen nga shtëpia dhe të strehohem në një strehëz për gati katër muaj”, rrëfeu gruaja.
“Teknologjia hesht”, gratë denoncojnë kryesisht në Polici
Tekonolgjia po ecën më hapa galopantë dhe pavarësisht se aplikacionet dhe platformat në internet mund të ofrojnë mundësi për t’u shprehur dhe kërkuar ndihmë, shumë gra vazhdojnë ende të përballen me barrierat e frikës, mungesës së njohurive digjitale dhe të mbështetjes së menjëhershme.
“Në verën e vitit 2021 ferri zuri vend në shtëpinë time. Bashkëshorti në gjendje të dehur gjithë kohën më bënte shkaktare të çdo problemi familjar dhe më dhunonte, prindërit e tij kishin ndikim jo të mirë, fëmijët ishin të mitur dhe unë nuk kisha asnjë zgjidhje.Bëra denoncimin në polici”, pas 10 viteve martesë, kujtoi mes trishtimit Elona.
Stela, një grua nga Durrësi, e cila pranoi të identifikohet vetëm me emër, rrëfeu se 10 vitet e jetës bashkëshortore i kaloi nën dhunë, me të gjitha format që bashkëshorti ushtronte ndaj saj, duke i krijuar trauma të shumta psikologjike dhe fizike.
“Menjëherë pas martesës u përballa me dhunën nga burri, që për shkak se u bë babai i dy vajzave të mija, unë e durova gjatë duke mohuar edhe vetë ekzistencën timë”, tha 46 vjeçarja e tronditur.
Për Stelën, e cila është në pritje të zbardhjes së vendimit të divorcit, proces i cili ka zgjatur plotë tre vite, momentet që ka vendosur t’i shpëtojë dhunës nuk kanë qënë të lehta.
“Fillimisht sigurova një urdhër mbrojtje, por me largimin e tij nga banesa unë mbeta e vetme për të ushqyer dy vajzat e mija, të paguaja qiranë e shtëpisë dhe çdo detyrim tjetër, ndaj ka qenë tepër e vështirë që t’ja dilja”, shtoi ajo.
Vajzat dhe gratë Policinë e Shtetit e njohin dhe vlerësojnë si mundësinë më të mirë për denoncimin e rasteve edhe pse zhvillimi i teknologjisë duhej të shoqërohej me forma të ndryshme edukimi dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për të sjellë mundësi efektive edhe më të aksesueshme.
Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë e kanalizuan përgjegjësinë drejt Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila renditi një listë me trajnime të zhvilluara, rritje kapacitetesh dhe fushata ndërgjegjësimi, duke spikatur mungesa e një mekanizmi konkret për raportimin e dhunës përmes internetit.
Ajo citoi vetëm platformën “REVALB” (sistem Elektronik për hedhjen, raportimin, referimin dhe monitorimin e rasteve të dhunës nga koordinatorët vendor kundër dhunës), ku për periudhën janar – nëntor 2024 janë raportuar rreth 595 raste dhune, nga të cilat 513 vajza dhe gra. Por e gjithë kjo panoramë plotësohet dhe i shërben punonjësve social, duke mos ofruar një kanal komunikimi të drejtpërdrejtë për viktimat e dhunës.
“Pjesa më e madhe e vajza dhe grave zgjedhin të drejtohen pranë komisariateve të policisë, qoftë në paraqitjen personalisht ose përmes telefonit”, shpjegoi avokatja Shpata.
Stela nuk mban mend se sa herë është detyruar që të telefonojë në Policinë e Durrësit për shkak të dhunës së bashkëshortit, por ende e vlerëson si mundësinë më të mirë që të marri ndihmën e kërkuar atje.
Ajo tregoi që ka raportuar gjithnjë “në numrin e policisë”.
“E kisha fiksuar dhe kur vendosa ta denoncoj ishte e vetmja gjë që më erdhi në mendje. Edhe tani sa herë që e denoncoj burrin e bëj nëpërmjet policisë, pasi ndihma të vjen më shpejt dhe është e vetmja rrugë që unë njoh”, tregoi Elona.
Rreth 80% e atyre që iu përgjigjën pyetësorit të medias Amfora kanë shkuar personalisht në polici për të bërë denoncimin dhe vetëm 20% kishin përdorur format e tjera proceduriale, si shkuarja direkt në prokurori, gjykatë dhe përfaqësimi përmes avokatëve të shoqërisë civile.
Dhuna mbetet “e padukshme” në zonat rurale
Mirela Gjoni, aktiviste në fushën e barazisë gjinore prej vitit 2000 në Elbasan, konstatoi se ende shumë vajza dhe gra të këtij qarku hasen me trysni dhe mungesë aksesueshmërie.
“Vajzat në zonat rurale kanë një trysni të mentalitetit patriarkal më të larte se ato në zonat urbane. Por edhe aksesi në shërbime është më i vogël për shkak të distancës dhe mungeses së informacionit në disa raste. Kanë më pak mundësi ekonomike pasi nuk menaxhojnë vetë të ardhurat që vijnë nga bujqësia apo blektoria në fshat”, analizoi Gjoni për Amforën.
Më larg nga aty, në Pogradec sipas organizatave lokale vajzat dhe gratë që përballen me dhunën në familje nuk kanë njohuri të thelluara edhe pse mund të kenë kenë dëgjuar në televizor apo në rrjetet sociale rreth institucioneve që kanë detyrën ligjore për tu ardhur në ndihmë.
“Nuk kanë njohuri të thelluara apo të sakta mbi rrugët që ndiqen, por kanë informacion që ka zgjidhje për çështjen, por nuk dinë se ku realisht, ndaj duhet të vijojë sensibilizimi, pasi në praktikë nuk i njohin apo nuk i kuptojnë si duhet të veprojnë me hapa konkrete”, analizoi për ne Qendra “Unë Gruaja në Pogradec”, e cila punon prej vitesh në mbrojtje të grave dhe vajzave.
Gratë që u takuan gjatë realizimit të këtij investigimi treguan se dhunën ndaj bashkëshortëve e kanë denoncuar pasi kanë kaluar disa vite dhe kjo për shkak të pranisë së fëmijëve në jetën e tyre, pamundësive për t’i rritur të vetme dhe shpresës se gjërat do të ndryshonin me kalimin e kohës.
Rastet e dhunës që kanë përfunduar në dyet e gjykatave kanë pësuar rritje të ndjeshme në vitet e fundit, ku spikasin qarqet e mëdha si Tirana dhe Fieri, ky i fundit nga 254 urdhëra mbrojtje të lëshuara në vitin 2020, në vitin 2024 u regjistruan 450 të tillë. Ndërsa Vlora ka ardhur në ulje, nga 157 urdhëra mbrojtje të pranuar në vitin 2020, në 90 në vitin 2024.
“Vajzat dhe gratë hasin vështirësi të jashtëzakonshme për të raportuar dhunën, kjo për shkak të infrastrukturës. Telefonat janë pak të aksesueshëm, transporti deri në stacionin më të afërm policor ose në institucione të tjera është gati i pamundur për to, ndërsa për shkak të izolimit, përdorin shumë pak rrjetet sociale”, tha Oliana Manaj nga Qendrës Psiko-Sociale “Vatra”.
Nga analizat e pyetësorit që Amfora zhvilloi, në 6 rastet e denoncimeve të bëra për dhunën në familje u shprehën se nuk kishin dëgjuar apo përdorur aplikacione, linja telefonike apo forma raportimi në internet dhe vetëm prej tyre i njihnin apo i kishin përdorur.

“Puna në terren na tregon se vajzat e reja që kanë më shumë akses në rrjetet sociale njohin disa platforma denoncimi, por jo të gjitha i përdorin pasi kanë varësi ekonomike nga bashkëshorti/parneri, nuk kanë një profesion dhe nuk kanë punuar më parë”, shpjegoi Oliana Manaj.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale shpjegoi se mbështet financiarisht funksionimin e 16 shërbimeve sociale për viktimat e dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, duke shpjeguar se ekzistojnë edhe format e raportimit përmes telefonit.
“Në kuadër të Fondit Social janë mbështetur financiarisht për ngritjen dhe funksionimin e shërbimeve 3 sheltera të specializuara në nivel rajonal për viktimat e dhunës, ku në vite janë trajtuar dhe mbështetur/asistuar rreth 1165 përfitues, kryesisht gra dhe vajza”, shpjegoi zyrtarisht ministria.
“Shërbime të këshillimit online falas, raportimit të dhunës dhe abuzimit për fëmijë, ‘ALO 116-111’, si edhe ‘Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza’, viktima të të gjitha formave të abuzimit dhe dhunës…”, renditi institucioni, disa prej të cilave janë nisma të Organizatave të Shoqërisë Civile.
Një prej viktimave raportoi për Amforën se kishte dëgjuar për linjat e denoncimit të dhunës, por nuk kishte rezultuar e suksesshme. “Kam provuar të kontaktoj numrin e gjelbër në Bashkinë Durrës dhe nuk funksiononte”, shpjegoi gruaja përmes anonimatit.
Për sociologen Entela Binjaku shërbimet që ofrojnë institucionet shtetërore dhe mekanizmat alternative të raportimit të dhunës vijojnë të jenë të dobta dhe duan një ridimensionim.
“Ka ardhur koha të përqëndrohemi tek cilësia e aksioneve tona, tek qëndrueshmëria e tyre, tek rritja e presionit shoqëror ndaj shërbimeve që ofrojnë institucionet shtetërore, që mesa duket janë të dobëta dhe pa ndikim”, tha ajo.
Nga viti 2011 në 61 bashkitë e vendit janë ngritur mekanizmat përmes zyrave që bashkërendohen me institucionet e tjera në niel vendor, si gjykata, policia dhe shoqata të ndryshme që u vijnë në ndihmë rasteve të dhunës në familje.
“Bashkia e Durrësit ka një numër telefonik të gjelbër 0800 9888, por që nga eksperienca ime por edhe e grave viktima të dhunës, ky numër nuk është funksional”, analizoi avokatja Erisilda Shpata, që ka këshilluar dhe mbrojtur ligjërisht dhjetëra gra në vitet e fundit.
Bashkia e Durrësit, veç kësaj njësie për raportimin e dhunës ka në varësi edhe 2 qendra komunitare që punojnë me çështjet e tilla, por megjithëse në vitin 2023 vetëm Komisariati i Policisë Durrës regjistroi 231 raste të dhunës në familje asnjë prej rasteve nuk u zbulua nga kontaktet me këto qendra.
“Pranë Qendrës Komunitare Nishtulla dhe pranë Qendrës Komunitare në Rrashbull gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2023 nuk ka pasur asnjë rast dhune të identifikuar”, shpjegoi Bashkia Durrës në një përgjigje për Amforën,
[1] E cila pranoi të identifikohet vetëm me emër