Lamtumira që tejkaloi ndasitë, Namir Lapardhaja dhe trashëgimia e një zëri të lirë
Lamtumira për gazetarin dhe publicistin Namir Lapardhaja në Berat u kthye në një moment që tejkaloi dhimbjen personale, duke bashkuar figura nga politika, media dhe jeta publike. Ai u kujtua si një zë i lirë, me integritet dhe ndikim në debatin publik.
Hyrja në sallën e homazheve. Foto: Sulo Gozhina
Më 25 mars, në zemër të qytetit të Beratit, mes homazheve dhe lutjeve, iu dha lamtumira e fundit gazetarit dhe publicistit Namir Lapardhaja, i cili ndërroi jetë më 18 mars, ndërsa rreth tij u mblodhën përtej ndasive përfaqësues të politikës, analistë, qytetarë dhe besimtarë.
“Largimi i Namirit është një prej atyre humbjeve që nuk mund të reduktohen thjesht në dhimbjen personale për një mik apo për një njeri të çmuar”, tha për Median Amfora Miklor Pasku, ekspert turizmi. “Është një mungesë që tejkalon kufijtë e intimes dhe prek vetë hapësirën publike”, shtoi ai.
Nga ora 11:00 deri në 13:00, në Pallatin e Kulturës, familjarë, miq, qytetarë, kolegë dhe përfaqësues të jetës politike e publike i bënë homazhe Namirit, ndërsa në sallë krijohej një varg i pandërprerë njerëzish që ndaleshin për pak çaste përpara se të vijonin në heshtje.
Në hyrje, fotografia e tij me një buzëqeshje të qetë dukej sikur i priste të gjithë, ndërsa një nga një, në heshtje, njerëzit ndaleshin për t’i dhënë lamtumirën e fundit Namirit, në një moment që fliste më shumë se çdo fjalë.
“Është një humbje e jashtëzakonshme. Humbëm një koleg, një djalë të shkëlqyer, që do t’i mungojë gazetarisë”, u shpreh gazetari nga Berati, Sulo Gozhina, për Median Amfora.
Ai përpiqej të mbante nën kontroll emocionet përmes aparatit fotografik që e shoqëron kudo, duke dokumentuar me profesionalizëm edhe këtë moment të fundit, si një formë respekti për kolegun, ndërsa çdo shkrepje dukej se mbante brenda më shumë ndjenjë dhe përgjegjësi se zakonisht.
Me lule në duar dhe hapa të ngadaltë, njerëz nga botë të ndryshme ndaleshin një nga një, duke sjellë me vete kujtime, fjalë të pathëna dhe respekt për Namirin. Ishin aty të gjithë, të bashkuar në të njëjtat momente, për një figurë që kishte ditur të qëndronte mbi ndasitë dhe të linte gjurmë në secilën prej tyre.
“Shumë i dhimbshëm largimi i parakohshëm nga jeta i Namirit. Një mik i rrallë, prania e të cilit i jepte kuptim çdo rrethi ku ndodhej”, u shpreh për Median Amfora Nevila Hyska, ekonomiste në Berat.

Përballja me fotografinë e tij, vendosja e një luleje, ngushëllimet për prindërit, bashkëshorten, dy motrat dhe dy vajzat, si dhe përshëndetja e fundit me Namirin kaluan shpejt, duke lënë pas një mungesë që pritet të ndihet në sheshin e qytetit ku ai kalonte ditët, pranë kafesë së tij të preferuar që nuk do ta presë më me padurim, si çdo verë kur kthehej nga Gjermania.
Namir Lapardhaja u nda nga jeta papritur më 18 mars në Gjermani, në moshën 40-vjeçare, duke lënë pas një profil të ndërtuar mes gazetarisë, mendimit kritik dhe angazhimit qytetar.
I lindur në Berat në një familje të persekutuar dhe i formuar në studime letrare, ai punoi si mësues, ndërkohë që paralelisht u bë një zë i njohur në media për analizat e drejtpërdrejta mbi zhvillimet politike e shoqërore, ndërsa përmes shkrimeve dhe librave kërkoi të ndikojë në debatin publik dhe ndërgjegjësimin qytetar.
“Një gazetar, por edhe një zë qytetar, një opinionist i paanshëm që mendimet i shprehte hapur – ai nuk do t’i mungojë vetëm Beratit, por edhe opinionit publik shqiptar”, u shpreh gazetari Sulo Gozhina.
Mes atyre që e përjetuan humbjen si një lidhje të ndërtuar mbi vlera ishte edhe Nevila Hyska, me të cilën ndante një miqësi të ushqyer nga kultura, libri dhe reflektimi mbi zhvillimet shoqërore.
“Sot qyteti duket më i varfër dhe më i heshtur, sikur i mungon një zë që e mbante gjallë”, u shpreh ajo.
Përtej humbjes personale, për disa prej atyre që e kishin ndjekur dhe vlerësuar në hapësirën publike, largimi i tij lidhej me mungesën e një zëri që sillte kthjelltësi dhe i rezistonte banalitetit të kohës.
“Për mua, kjo ikje mbetet e vështirë për t’u pranuar, pikërisht sepse ai ishte nga ata njerëz që krijojnë ndjesinë se duhej të ishin ende mes nesh, me fjalën, kthjelltësinë dhe integritetin e tyre”, u shpreh Miklor Pasku.
Sipas tij, humbja e Namirit shkon përtej qytetit dhe prek vetë klimën e mendimit dhe debatit publik në vend.
“Sepse Namiri përfaqësonte një tipar gjithnjë e më të rrallë në jetën tonë publike: njeriun që mendon lirshëm, që artikulon me dinjitet dhe që nuk i nënshtrohet banalitetit të kohës. Ikja e tij është, në këtë kuptim, edhe një varfërim i klimës sonë qytetare e kulturore; kemi humbur një zë që i bënte mirë mendimit, debatit dhe ndershmërisë publike”, përfundoi Pasku.
Në oborrin e Xhamisë Mbret, qindra burra dhe gra praktikante u rreshtuan më pas në heshtje për faljen e “Namazit të xhenazes”, në një moment solemn ku qyteti dukej i bashkuar në lutje.
Përballë tyre, hoxha drejtonte ritet, ndërsa të gjithë, në një përulje të përbashkët, qëndronin të rreshtuar, me duart e mbledhura dhe kokat e ulura, në një lutje që bashkonte heshtjen me besimin.
I rritur në një familje praktikante të besimit islam dhe vetë i lidhur ngushtë me të njëjtat vlera, Namiri u përcoll edhe përmes këtij rituali që përfaqësonte jo vetëm një detyrim fetar, por edhe një akt respekti dhe përulësie.

Ai u nda nga jeta vetëm dy ditë para Fitër Bajramit, pasi kishte agjëruar edhe atë ditë, e cila rezultoi të ishte e fundit për të, duke e përjetuar si çdo vit, edhe pse larg familjes dhe miqve, me të cilët do të ndante urimet nga larg, siç bënte gjithmonë.
Mungesa e tij u ndje edhe më fort në ditën e festës, siç e përshkroi një mik i afërt i tij në Berat me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Zemra e vëllait, sot bëhen dy ditë që nuk marr asnjë sms nga ty. Është Bajrami i parë që nuk marr një urim nga ti. Për mua është edhe Bajrami i parë që nuk hodha asnjë foto nga festa, sepse unë nuk ndriçoja më… Po tani?” , shkroi Helibak Muçogllava.
Në orën 13:00, Namir Lapardhaja u përcoll për në banesën e fundit, në varrezat e Burdulliasit, mes një kortezhi që përshkroi qendrën e qytetit, lagjen “Dëshmorët e Kombit”, të cilën e deshi aq shumë dhe për të cilën ngriti zërin shpesh, si këshilltar bashkiak dhe si qytetar aktiv, përpara se të mbërrinte në vendin e fundit të prehjes.
Familjarë, miq dhe qytetarë e ndoqën në heshtje deri në fund të përcjelljes, për t’i thënë lamtumirën e fundit me zemër të thyer.
Në moshën 40-vjeçare, si autor i tre librave, prind i dy vajzave dhe një zë që ndikoi në mendimin publik, ai la pas më shumë se një rrugëtim personal.
Ajo që mbetet nuk është vetëm kujtimi, por një prani që vijon të jetojë në fjalën dhe debatin që ai ndërtoi.