Kur varret flasin, zbulim romak në Dibër kthehet në narrativë nacionaliste në rrjetet sociale
Zbulimi i varrit monumental në Dibër, i cilësuar nga studiuesit si një fakt arkeologjik i Periudhës Romake u shndërrua shpejt në rrjetet sociale në krenari kombëtare dhe pretendime për madhështi historike. Një gjetje shkencore u transformua në narrativë nacionaliste, ku faktet arkeologjike u përzien me mite identitare.

Varri monumental i Periudhës Romake. Foto: Instituti i Arkeologjisë
“Varri monumental i zbuluar në Bulqizë, Dibër nuk është as romak as grek por maqedonas nga koha e Aleksandrit të Madh, mbret i Shqipërisë’, shkruhet që prej 15 shtatorit në një faqe në rrjetin social Facebook me emrin “Kryeministre Elena Kocaqi”.
Zbulimi i varrit monumental i Periudhës Romake më 1 shtator në fshatin Strikçan, e njohur si ‘Fusha e Gurrës’ në Bulqizë të Qarkut Dibër, u pasua shpejt nga një valë interpretimesh në rrjetet sociale, ku një fakt arkeologjik mbi periudhën u shndërrua në arenë debatesh me fokus identitetin kombëtar.
Media Amfora, përmes një kontrolli të hapur në rrjetet sociale, ka evidentuar dhjetëra postime të ngjashme me përmbajtje të theksuara nacionaliste.
Në këto postime, gjetja arkeologjike nuk paraqitet si një fakt i mirëfillitë shkencor, por si dëshmi për një trashëgimi të veçantë dhe unike shqiptare. Retorika përdor krahasime përjashtuese ndaj kulturave të tjera antike për të ngritur idenë e një lashtësie të pakontestueshme kombëtare.
“Shikoni faktet. As romakët dhe as grekët nuk i varrosën të vdekurit e tyre në varret e dhomave nën mazë të lartë si varri i Bulqizës. Varret monumentale janë një traditë varrimi pellazge, e përdorur nga anadollakët, etruskët dhe maqedonasit/epirotët në Shqipëri”, thuhet më tej në postimin e analizuar. Ndërsa theksohet se varri i Bulqizës lidhet me Aleksandrin e Madh dhe përshkruhet si provë e kohës kur ‘Shqipëria ishte një perandori e madhe’.
Ndryshe nga gjetjet e mëparshme të varreve antike në Apoloni, Durrës, Shkodër apo Berat-kryesisht fragmente si urna, bustë apo relieve funerare, varri monumental i Bulqizës përfaqëson rastin e parë të këtij lloji të dokumentuar në territorin shqiptar.
Studime të mëparshme, si ai i Guntram Koh (1989), kërkimet e Eduard Shehit, Saimir Shpuzës, Brikena Shkodra-Rrugias apo edhe punimet e Mariglen Meshinit dhe Berbis Islamit kanë evidentuar mbishkrime latine, urna funerare dhe fragmente modeste monumentesh, por jo struktura të plota të tipit varr monumental romak.
Por, ndërsa arkeologjia e vlerëson zbulimin si një përjashtim të rrallë në krahasim me gjetjet e mëparshme, në rrjetet sociale zbulimi u lexua krejt ndryshe: si provë e lashtësisë, madhështisë dhe krenarisë kombëtar.
Një tjetër postim që pasqyron këtë qasje u publikua më 20 shtator në një faqe tjetër në rrjetin social Facebook, ku varri monumental i Bulqizës nuk shihet si një gjetje e rëndësishme arkeologjike, por lidhej drejtpërdrejt me një fis ilir të njohur nga burimet antike.
“Vend varrimi i gjetur në Bulqizë lidhet me fisin ilir Penestët që ka burime të dhëna. Penestët (lat. Penestae) ishin një fis ilir që përmendet në burimet antike, kryesisht nga Polibi dhe Tit Livi. Vendbanimi: Penestët banonin në luginën e sipërme të lumit Shkumbin dhe në krahinën e sotme të Dibrës (në kufirin mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut)”, thuhet në postimin e faqes me emër Eglantin Lleshi, më 20 shtator.
Shembuj të tillë nuk mbetën të izoluar. Postime me përmbajtje të ngjashme, ku varri monumental i Bulqizës interpretohej si dëshmi e lashtësisë dhe krenarisë kombëtare, u shpërndanë gjerësisht në rrjetet sociale, duke e kthyer zbulimin arkeologjik në një narrativë nacionaliste të amplifikuar online.
Këtë e tregon edhe një postim i grupit ‘Shqipëria Antike’, ku theksohet se: ‘Varre të tilla monumentale u ndërtuan vetëm kur Shqipëria ishte superfuqi globale në shekullin e 4-3 p.K. Dhe ky varr-dhomë padyshim i përket ndonjë princi shqiptar që printe trupat e tij maqedon në fushatën aziatike të Aleksandrit të Madh”, shkruhet në postimin e datës 2 shtator.
Edhe pse postimet për zbulimin e varrit u përhapën në të gjitha rrjtet sociale, retorikat nacionaliste dolën hapur kryesisht në Facebook.
Për banorët vendas, varri monumental nuk ishte thjesht zbulim shkencor. Shumë postime u shoqëruan me qindra komente ku varri u shndërrua në shenjë të peshës së vjetër të krahinës-një dëshmi se Dibra ka mbajtur rol kyç në lashtësi. Disa komente e përjetuan si krenari krahinore “Bulqiza nuk është vetëm vend kromi, por edhe histori mijëravjeçare”, të tjerë si pjesë të një trashëgimie kombëtare që i rrit zonës prestigjin.
Në hapësirën e komenteve nën postimin e Bulqiza TV u pa një miks krenarie vendase dhe thirrjesh për ta ruajtur e kthyer në atraksion, por edhe replika që vinin në dyshim datimin ‘romak’, duke e shtyrë zbulimin drejt një narrative etno-historike.
Në shumë prej postimeve, nuk del në pah lajmi për zbulimin arkeologjik, por edhe mesazhi që “ky zbulim na përket neve si popull”, “kemi histori të lashtë që na identifikon”.
Zbulimi i varrit monumental në Strikçan të Bulqizës, rasti i parë i këtij lloji në Shqipëri, është kornizuar nga arkeologët si material që lidhet me antikitetin, lashtësinë e Shqipërisë jo si dëshmi për identitete kombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara, varri i zbuluar më 1 shtator ka plan rreth 9×6 metra, dhomë funerare ~2.4 m të lartë, inventar luksi (ena qelqi, armë, objekte kocke, fragmente tekstili me fije ari) dhe një mbishkrim dygjuhësh kushtuar Jupiterit që përmend një individ të pasur, Gelliano.
Jehona e zbulimit kaloi kufijtë, media ndërkombëtare si ‘Reuters’, ‘Sky News’, ‘The Independent ‘ dhe ‘Kathimerini’, raportuan për varrin e parë monumental të Periudhës Romake në Shqipëri.
Ndërsa arkeologët e cilësuan si zbulim të rrallë, qarkullimi online e ngarkoi me frymë nacionaliste, duke e tejkaluar kornizën e gjetjeve të vetë monumentit.