Kur gabimi bëhet normë: Shenja të shqipes në hapësirën digjitale
Në hapësirën digjitale shqiptare, gabimet drejtshkrimore nuk janë më përjashtim, por po shndërrohen në normë, të ushqyera nga shkrimi i pakujdesshëm dhe mungesa e redaktimit. Sipas ekspertëve të gjuhës, ky fenomen nuk lidhet me dialektet, por me rënien e kulturës së leximit dhe me mungesën e kujdesit institucional ndaj shqipes
Fotografi ilustruese nga Pexels.
Në rrjetet sociale shqiptare, por jo vetëm, gjatë komunikimit të përditshëm të shkruar dhe të folur, përsëriten forma të njëjta fjalësh gabim, të cilat nuk shfaqen më si raste të izoluara, por si një model që po reflektohet gjithnjë e më shumë në hapësirën publike. Këto forma të gabuara nuk hasen vetëm në komunikimin informal online, por edhe në shkresa zyrtare, në tituj mediatikë, në debate publike, në dokumente institucionale dhe në komunikimin e përditshëm.
“Njerëzit po shkruajnë gjithnjë e më shumë në mënyrë të shpenguar, pra duke i shpërfillur tërësisht rregullat e drejtshkrimit”, tha Teuta Toska, gjuhëtare, për Median Amfora.
Nga përvoja e saj si redaktore dhe studiuese e gjuhës, Toska vëren se gabimet në shkrim po përhapen gjithnjë e më shumë.
“Kjo edhe sepse në vitet e fundit, me përhapjen e aplikacioneve të ndryshme të komunikimit me shkrim në telefona (Messenger, WhatsApp, Viber, Telegram, Signal etj.)”, shtoi ajo.
Ky ndryshim në mënyrën e komunikimit ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në standardin e gjuhës shqipe.
Në komunikimin e përditshëm të shkruar dhe të folur vërehen shpesh forma të gabuara të emërtimeve profesionale dhe fushave të dijes, si pasojë e shtesave ose mungesave të panevojshme në strukturën e fjalës, të cilat po normalizohen gjithnjë e më shumë në hapësirën publike.
Në këtë pikë, Toska e sheh përhapjen e gabimeve gjuhësore si pasojë të drejtpërdrejtë të praktikës së përditshme të shkrimit dhe redaktimit.
“Unë, që kur kam filluar punë në universitet, kam nisur të punoj gjithashtu edhe si redaktore. Dhe, si rrjedhojë, në një farë mënyre ‘jetoj’ përditë me gabimet gjuhësore”, shtoi ajo.
Përveç gabimeve që vijnë nga shkurtesat dhe mungesa e shenjave të pikësimit, në përdorim të gjerë janë edhe forma të gabuara të fjalëve që lidhen me profesionet dhe fushat e dijes. Mes rasteve më të shpeshta vërehen forma si arkolog në vend të arkeolog, matematikant në vend të matematikan apo pedagogjist në vend të pedagog, të cilat tregojnë një prirje për shtesa ose thjeshtime të gabuara në ndërtimin e fjalës.
Duke ndalur te roli i mediave, Toska vë në dukje mungesën e redaktimit profesional si një nga faktorët kryesorë që po ndikon në përkeqësimin e gjuhës së shkruar.
“Thuajse të gjitha mediet në Shqipëri nuk kanë redaktorë, persona që kujdesen jo për ta prodhuar mesazhin e shkruar, po për ta vlerësuar, analizuar, kritikuar mesazhin e shkruar. E kështu, është e vërtetë, gjendja vijon të përkeqësohet”, tha Teuta Toska, gjuhëtare dhe profesore në Departamentin e Gjuhësisë të Fakultetit të Shkencave Humane në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”.
Sipas saj, gabimet më të përhapura lidhen me mungesën e Ë-së dhe të Ç-së, mungesën ose përdorimin e gabuar të apostrofit, vizës në mes të fjalës, shkronjës së madhe, si edhe me përdorimin e gabuar ose mospërdorimin e shenjave të pikësimit.
Duke u ndalur te shkaqet kryesore të përhapjes së gabimeve gjuhësore, Toska e lidh këtë fenomen drejtpërdrejt me mungesën e leximit cilësor.
“Unë mendoj se gabimet vijnë ngaqë pjesa më e madhe e njerëzve nuk lexojnë libra të mirë, qoftë letërsi, qoftë histori, qoftë eseistikë”, theksoi ajo.
Sipas saj, ndonëse sot lexohet më shumë në dukje, kjo leximtari kufizohet kryesisht te komunikimi i përditshëm online, i mbushur me shkurtime dhe gabime, çka tregon një rënie të kulturës së leximit dhe të kujdesit në të shkruar. Kjo rënie e kujdesit në të shkruar nuk mbetet e kufizuar vetëm në komunikimin informal, por reflektohet edhe në mënyrën se si flitet dhe shkruhet në hapësirën publike.

Disa nga fjalët që përdoren më shpesh gabim në komunikimin publik, krahas formave të tyre standarde në shqip. Përpunoi: Media Amfora.
Në këtë kontekst, forma të gabuara si psikollog, sociollog, biollog, filozofist apo arhitekt dëgjohen dhe lexohen gjithnjë e më shpesh në fjalimet e figurave politike, në debatet publike dhe në ndërhyrjet e opinionistëve.
Duke folur për ndikimin e hapësirës publike, Toska thekson se roli i mediave dhe figurave publike është vendimtar në përhapjen ose frenimin e gabimeve gjuhësore.
“Patjetër që mediet luajnë një rol me rëndësi në këtë pikë. Unë shoh televizione kombëtare që shkruajnë me gabime drejtshkrimore titujt e emisioneve, titujt e lajmeve, njoftime të ndryshme të shkruara”, tha ekspertja e gjuhës.
Sa i përket figurave publike, Toska vëren se përmbajtja që arrin audiencën më të gjerë nuk është domosdoshmërisht ajo më e kujdesshmja gjuhësisht. Sipas saj, personazhet me më shumë ndjekës në rrjetet sociale nuk janë gjithmonë ata që shkruajnë apo flasin saktë, ndërsa zërat profesionalë dhe të kujdesshëm shpesh mbeten më pak të dëgjuar në hapësirën publike.
Aq të zakonshme janë bërë këto forma të gabuara, sa fjalë si arkeolog përdoren në formën arkolog në debate televizive, në deklarata publike dhe në komunikimin e përditshëm, duke u normalizuar gradualisht edhe mes të rinjve.
Duke folur për zgjidhjet afatgjata, Toska thekson se përgjegjësia për kultivimin e përdorimit të saktë të shqipes nis nga shkolla dhe shtrihet deri te institucionet shtetërore.
“Shteti nuk bën kujdes për ‘armën’ e vet më të rëndësishme, që është gjuha me të cilën komunikon me qytetarët”, tha ajo.
Sipas saj, edukimi për shkrimin e saktë të shqipes duhet të nisë që në shkollë, përfshirë mësimin e shkrimit elektronik me mjete digjitale, ndërsa institucionet shtetërore duhet të japin shembull përmes dokumenteve, shkresave dhe vendimeve zyrtare. Toska vëren se mungesa e këtij kujdesi reflektohet edhe në dokumente publike, nga aktet administrative te vendimet gjyqësore, duke krijuar një ndjesi mosrespektimi ndaj qytetarëve.
Normalizimi i gabimeve gjuhësore në hapësirën digjitale dhe publike nuk është thjesht çështje drejtshkrimi, por tregues i mënyrës se si një shoqëri sillet me dijen, komunikimin dhe institucionet e saj.