Konflikti në Lindjen e Mesme, armët bërthamore nuk mund të përhapen

Përshkallëzimi i fundit mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po formëson një moment të ri në sigurinë ndërkombëtare, mes vendimeve të forta ushtarake dhe përpjekjeve për të frenuar programin bërthamor të Iranit. Ndërhyrja amerikano-izraelite shihet si përpjekje për të ruajtur ekuilibrat strategjikë dhe për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore, ndërsa pasojat e konfliktit pritet të ndikojnë edhe rendin global të sigurisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli kanë nisur prej 2 ditësh një fushatë ajrore ndaj Iranit me qëllim rrëzimin e regjimit të Ajatollahëve. 

Operacioni “Epic Fury”

Të shtunën, më 29 shkurt, rreth orës 1:15 të mëngjesit (me orën e SHBA-së Lindore), SHBA, e mbështetur nga aleati i saj strategjik në rajonin e Lindjes së Mesme, Izraeli, nisi operacionin ushtarak “Epic Fury” (Furia Epike), me qëllim neutralizimin e kapaciteteve ushtarake iraniane, ndalimin me forcë të programit bërthamor të Iranit si dhe largimin e regjimit të Ajatollahëve nga pushteti në Iran.

Sipas komandës qendrore amerikane, goditjet amerikane përdorën municione precize për goditjen e objektivave të targetuara në Iran. Një nga këto sulme eliminoi edhe Ajatollah Ali Khamenein, udhëheqësin suprem të Iranit.

Objektivat e goditur gjatë operacionit “Epic Fury”. Burimi: New York Times

Ky operacion nuk klasifikohet si luftë nën Kushtetutën Amerikane, duke ditur që lufta shpallet vetëm nga Kongresi amerikan.

Irani i është përgjigjur sulmeve amerikane me sulme me raketa dhe dronë ndaj aleatëve të SHBA-së, duke përfshirë rreth 165 raketa balistike, 2 raketa nga anije dhe 541 dronë iranianë drejt Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilat goditën edhe aeroportin ndërkombëtar të Abu Dhabit.

Rafineria e naftës e kompanisë shtetërore të naftës së Arabisë Saudite gjithashtu u bombardua nga dronë të Iranit. Ministria e Mbrojtjes së Kuvajtit ka raportuar avionë amerikanë të rrëzuar nga dronë të Iranit, ndërkaq që Ministria e Jashtme e Katarit ka raportuar sulme ndaj infrastrukturës civile nga Irani.

Mesdheu gjithashtu është prekur nga raketat e Iranit, të cilat kanë prekur qytete si Tel Aviv dhe Bet Shemesh. Sulmi i fundit iranian vrau 9 civilë dhe plagosi 27 të tjerë.

Analistët gjykojnë se sulmet e Iranit ndaj bazave amerikane, Izraelit dhe vendeve të Gjirit përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar. Ndërkohë, ka pak gjasa që konflikti të eskalojë në ndërhyrjen e trupave amerikane apo izraelite dhe, me gjasë, konflikti do të vijojë të zhvillohet me avionë dhe dronë.

Lufta 12-ditore dhe ndërhyrja amerikane

Goditjet midis dy palëve. Burimi: Financial Times

Përballja aktuale midis SHBA-së dhe Iranit nuk është e para. Në qershor të vitit 2025, pas luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit, SHBA ndërhyri nëpërmjet operacionit “Midnight Hammer” (Çekiçi i Mesnatës), ku avionët bombardues amerikanë B2 goditën bunkerë nëntokësorë që përdoreshin nga regjimi i Iranit për pasurimin e uraniumit. Pasurimi i uraniumit është një proces mjaft i rëndësishëm në krijimin e armëve bërthamore.

Ambiciet bërthamore të Teheranit zyrtar janë arsyeja kryesore pse Amerika, Izraeli dhe aleatët e tyre e konsiderojnë regjimin e Ajatollahëve të rrezikshëm dhe të padëshirueshëm. Nën udhëheqjen e Khameneit, Irani ka shpenzuar miliarda dollarë në ndërtimin e infrastrukturës për ndërtimin e armëve bërthamore.

Për shkak të shqetësimeve nga Izraeli, si dhe nga kundërshtari kryesor i Iranit në botën myslimane, Arabia Saudite, administrata Obama nisi bisedimet me Iranin për reduktimin dhe kontrollin ndaj programit bërthamor të këtij të fundit, bisedime që kulmuan me marrëveshjen bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit të firmosur më 14 korrik 2015.

Kritikë të marrëveshjes kanë përmendur faktin që Irani nuk i është mbajtur kushteve të marrëveshjes dhe ka vijuar të pasurojë uraniumin, material i nevojshëm për mbushjen e testatave bërthamore. 

Për këtë arsye, administrata e parë Trump e nxori SHBA-në nga marrëveshja dhe ka kërkuar në vijimësi, edhe gjatë mandatit të dytë të tij, çmontim të plotë të programit bërthamor të Iranit.

E vetmja fuqi bërthamore, edhe pse e padeklaruar zyrtarisht në Lindjen e Mesme, është Izraeli. Në përputhje me principin e mosproliferimit të armëve bërthamore, është e ndaluar që vende të tjera, me përjashtim të poseduesve aktualë, të zotërojnë armë bërthamore.

Kjo sepse shtimi i vendeve që posedojnë armë bërthamore do të nxiste marrjen e armëve bërthamore edhe nga vende kundërshtare, gjë që do të rriste shansin e përdorimit të armëve bërthamore në luftë (i ashtuquajturi Armageddon), me pasoja katastrofale për njerëzimin.

Në kontekstin e kësaj të fundit, Arabia Saudite ka paralajmëruar se, nëse kundërshtari i saj Irani do të ndërtojë armë bërthamore me sukses, edhe ajo do të nisë procesin e ndërtimit të armëve bërthamore.

Në rast se vende pa armë bërthamore kërkojnë t’i marrin ato, legjitimohet edhe ndërhyrja ushtarake ndaj tyre, siç ishte pushtimi amerikan i Irakut në vitin 2003, për të ndaluar regjimin e Saddam Husseinit nga marrja e armëve te shkatërrimit në masë.

Diapazoni goditës i raketave iraniane. Burimi. New York Times

Irani faktor destabilizimi në rajon

Zhvillimi i programit bërthamor nuk është arsyeja e vetme pse Irani konsiderohet faktor destabilizimi në rajon.

Që pas revolucionit islamik të vitit 1979, që përmbysi mbretërinë në Iran dhe solli regjimin teokratik të Khomeinit, Irani është kthyer në një sponsor të terrorizmit global, i përcaktuar si i tillë edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Në dekadat e fundit, Irani ka mbështetur tre grupe terroriste si Hamasi (Gaza), Hezbollahu (Liban) dhe Houthit (Jemen). Hamasi dhe Hezbollahu janë në një luftë prej vitesh me Izraelin, drejt të cilit kanë dërguar raketa. Agresioni i boshtit Hamas–Hezbollah kulmoi me sulmin terrorist të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit.

Ndërkaq, rebelët Houthi janë në një luftë me qeverinë e Jemenit, të mbështetur nga Arabia Saudite. Piratët Houthi kanë tentuar disa herë të grabisin dhe shkatërrojnë anije tregtare amerikane dhe jo vetëm, gjë që ka justifikuar edhe sulmet amerikane, izraelite dhe saudite ndaj tyre.

Hamas, Hezbollah dhe Houthi kanë operuar në koordinim dhe financim direkt të regjimit të Ajatollahëve. Ky regjim i ka konsideruar këto grupe si pjesë të “Boshtit të Rezistencës”, një aleancë anti-amerikane që Irani ka krijuar në Lindjen e Mesme.

Në kuadër të kësaj aleance, mbi 200 ushtarë amerikanë në Liban u vranë nga Organizata e Çlirimit të Palestinës në bashkëpunim me organizata terroriste libaneze të mbështetura nga Irani ne sulmet e vitit 1982. Ndërkohë, anëtarë të kupolës së regjimit të Ajatollahëve kanë drejtuar deklarata publike që kërcënojnë SHBA-në, Izraelin dhe Arabinë Saudite.

Së fundmi, që pas revolucionit islamik, Irani është bërë një prej vendeve më represive në botë, me gratë, pakicat dhe disidentët politikë që kanë humbur çdo të drejtë. Aq i madh është ky represion, sa përcaktohet se në protestat anti-regjim të muajit të fundit janë vrarë mbi 30,000 protestues lirie në Iran.

Skenarët e konfliktit

Deri tani, konflikti po zhvillohet në ajër, me avionë bombardues, dronë dhe raketa që qarkullojnë në qiejt e Iranit, Izraelit dhe vendeve të Gjirit. Opsioni i “boots on the ground” (çizmeve në terren), duke iu referuar përfshirjes së këmbësorisë në luftë, nuk konsiderohet i mundshëm.

Analistët flasin për një fushatë ajrore e cila do të zgjasë me javë deri në kapitullimin e regjimit të Ajatollahëve.

Impakti rajonal

Ngushtica e Hormuzit, e cila ndodhet midis Iranit dhe Gjirit Persik, është rrugë kyçe nëpërmjet së cilës transportohet 1/3 e naftës krudo globale. Si pasojë e këtij konflikti, fuçia e naftës është shtrenjtuar me 10%, duke e çuar çmimin e naftës krudo në 79 dollarë për fuçi.

Ekspertët paralajmërojnë se një mbyllje e tejzgjatur e Ngushticës së Hormuzit mund ta çojë çmimin e fuçisë së naftës në 100 dollarë.

Nafta është një element kyç në prodhim dhe transport të artikujve kryesorë të ndërtimit dhe prodhimit, dhe një rritje e çmimit të naftës mund të shkaktojë inflacion me pasoja të rënda mbi ekonominë globale dhe fuqinë blerëse të konsumatorëve në të gjithë botën.

Impakti i konfliktit mbi tregtinë globale të naftës. Burimi: Bloomberg, Data Explained

Ndërkohë, sulmet e Iranit ndaj Katarit, Kuvajtit, Omanit, Bahreinit dhe Arabisë Saudite kanë gjasa ta kthejnë këtë konflikt në një luftë rajonale, me pasoja për paqen dhe stabilitetin rajonal dhe global.

Diaspora iraniane duket se po e mirëpret sulmin mbi Iranin, gjë që shihet edhe nga videot e shumta virale ku qytetarë iranianë në SHBA, por edhe iranianë në qytete të Iranit, entuziazmohen nga sulmet amerikane mbi regjimin.

Rreziku për Shqipërinë

Shqipëria i ka ndërprerë marrëdhëniet me Republikën Islamike të Iranit. Ky vendim erdhi pas sulmeve kibernetike të 15 korrikut 2022, ku u hakeruan të dhënat e qytetarëve shqiptarë nga portali E-Albania. Irani e ka justifikuar sulmin me strehimin e grupimit opozitar iranian MEK në Manëz, të cilin Republika Islamike e konsideron terrorist.

Gjithashtu, media në Iran ka flirtuar me idenë e bombardimit të kampit të Manzës, gjë që do të përbënte një shkelje të ligjit ndërkombëtar, të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe të sigurisë së qytetarëve shqiptarë.

Mbetet për t’u parë se si ky konflikt do të përfundojë. Populli iranian ka kohë që proteston për liri, ndërkaq që Lindja e Mesme ka nevojë për stabilitet.