“Kina në Shqipëri”: Sinjale të reja në një kornizë joformale 

Podcasti i kryeministrit Edi Rama me përfaqësuese të Ambasadës kineze dhe studente kineze shkoi përtej një bisede me fokus te gjuha shqipe. Ai funksionoi si një formë komunikimi diplomatik në një format të kontrolluar, duke sugjeruar përpjekje për të ruajtur kanale të hapura me Kinën përmes ndikimit kulturor, ndërsa, sipas ekspertëve, kjo qasje duhet të shmangë çdo paqartësi për orientimin euro-atlantik të Shqipërisë.

Më 22 mars, në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama zhvilloi një bisedë me përfaqësuese të Ambasadës kineze në Shqipëri dhe studente kineze, ku në qendër ishte gjuha shqipe dhe përvojat e tyre në vend, në një format që përfshinte përfaqësim diplomatik dhe tejkaloi një komunikim thjesht kulturor.

“Mysafiret e veçanta të këtij episodi vijnë nga shumë larg, por jetojnë shumë afër”, u shpreh Rama në hapje të podcastit, duke prezantuar katër të ftuarat e tij, dy prej të cilave zyrtare të Ambasadës kineze dhe dy studente.

Duke vijuar prezantimin, Rama theksoi lidhjen historike mes dy vendeve dhe zhvillimin e Kinës, ndërsa ndaloi edhe te një element simbolik i të ftuarave.

“Janë përfaqësuese të gjeneratës së re të një populli të madh me të cilin ne kemi qenë shumë të lidhur dhe vijnë nga një vend që është në rrugën e një progresi marramendës, por pavarësisht se janë që të katërta nga Republika Popullore e Kinës kanë emra shqiptarë: Lirën, Adrianën, Meritën, Etlevën”, tha Rama.

Rama e përshkroi Kinën në podcastin e tij si një vend në zhvillim të shpejtë, duke e paraqitur përpara të ftuarave të gjeneratës së re si një partner me lidhje historike me Shqipërinë. Theksi te progresi dhe afërsia kulturore krijon një narrativë që e normalizon këtë marrëdhënie në diskursin publik.

Kjo qasje, sipas ekspertëve, mund të lexohet si një formë e komunikimit diplomatik, ku formatet, ndonëse në dukje informale, përdoren për të ndërtuar narrativa dhe për të ruajtur apo përforcuar marrëdhënie.

“Ky lloj komunikimi mund të lexohet në kuadër të diplomacisë bashkëkohore, ku edhe formatet informale, përdoren si instrumente të “soft power-it” për të mbajtur kanale komunikimi me aktorë të mëdhenj si Kina”, tha pedagogu dhe juristi Evarist Beqiri  për Median Amfora.

Në episodin e 11-të të sezonit të 6-të, që zgjati për gati një orë, përfaqësueset e Ambasadës kineze ndanë përvojat e tyre nga koha si studente të gjuhës shqipe dhe rikthimin në Shqipëri si zyrtare, ndërsa studentet e reja folën për përjetimet e tyre dhe njohjen me Shqipërinë.

Rrëfime të tilla, që ndërthurin përvoja personale me elementë të marrëdhënieve mes dy vendeve, tregojnë se bashkëbisedimi shkoi përtej një diskutimi mbi gjuhën dhe mori një dimension më të gjerë komunikimi.

Mënyra se si zhvillohen këto lloj bashkëbisedimesh, pa hapësirë për pyetje apo debat kritik, e vendos theksin te natyra e tyre e kontrolluar, sipas ekspertëve.

“Komunikimi i zhvilluar në një format të kontrolluar, pa ndërveprim kritik, e pozicionon më shumë si mesazh të kuruar diplomatik, sesa debat publik. Kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në mënyrën se si lexohet ndërkombëtarisht”, u shpreh Evarist Beqiri.

Në këtë kontekst komunikimi të kontrolluar, edhe mënyra se si u trajtua roli i studentëve sugjeron një qasje të orientuar drejt përfshirjes së tyre në ndërtimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Përveçse studente, kinezet në një mënyrë ose në një tjetër janë të projektuara për t’u angazhuar në marrëdhëniet me Shqipërinë, pasi kanë edhe emra shqiptarë”, u shpreh Rama.

Gjatë podcastit, diskutimi përfshiu edhe marrëdhëniet mes dy vendeve, turizmin dhe bashkëpunimin akademik. Referenca për përkthimin e librit të ekonomistes Keyu Jin dhe ideja, sipas tij, për të kuptuar Kinën përtej stereotipeve sugjerojnë një përpjekje për të ndërtuar një narrativë më të hapur dhe më pozitive ndaj Kinës.

Kjo qasje, sipas ekspertit, kërkon ruajtjen e një ekuilibri të kujdesshëm në raport me orientimin strategjik të vendit.

“Shqipëria është një vend, i ankoruar qartë në arkitekturën euro-atlantike. Prandaj, çdo sinjal publik duhet të ruajë koherencën strategjike dhe të shmangë çdo ambiguitet në orientim”, tha Beqiri.

Në të njëjtën kohë, kjo formë komunikimi vlerësohet edhe si pjesë e një vazhdimësie në mënyrën se si Shqipëria ka menaxhuar marrëdhëniet me aktorë të ndryshëm globalë.

“Historikisht, Shqipëria ka pasur momente afrimi me aktorë të ndryshëm globalë, por në fund orientimi i saj strategjik ka mbetur i qëndrueshëm në hapësirën perëndimore”, përfundoi Evarist Beqiri.

Një podcast me fokus te gjuha dhe përvojat personale, ku përfshihen edhe përfaqësuese të Ambasadës kineze, shfaqet si një formë e re komunikimi, ku përmes një formati pa replika ndërtohen mesazhe të kuruara që shkojnë përtej një shkëmbimi kulturor. Kjo vëmendje ndaj Kinës nuk duket e shkëputur, por pjesë e një pranie më të dukshme në hapësirën publike, që sugjeron mbajtjen e kanaleve të hapura përmes asaj që ekspertët e cilësojnë si ndikim i butë.

Në një kontekst më të gjerë ndërkombëtar, ku marrëdhëniet mes fuqive të mëdha si Kina dhe Shtetet e Bashkuara po reflektohen gjithnjë e më shumë edhe në hapësira më të vogla si Ballkani, forma të tilla komunikimi marrin një kuptim përtej një bisede publike. Pa sinjalizuar një ndryshim të drejtpërdrejtë të kursit, ato sugjerojnë një vëmendje në rritje ndaj Kinës dhe një përpjekje për të mbajtur hapur kanale komunikimi, në një kohë kur Shqipëria mbetet e lidhur ngushtë me strukturat euro-atlantike.