Kina në Evropë: “Loja me dy porta” e kryeministrit shqiptar
Deklarata e Kryeministrit Rama se Kina i ka vënë syrin Shqipërisë për investime ka bërë bujë në opinionin publik shqiptar. Historikisht, politika e jashtme shqiptare ka parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin e madh strategjik, por deklaratat e Ramës e kanë vënë në dyshim këtë aksiomë të vjetër të politikës së jashtme të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama në mbledhje. Burimi: Facebook
Në fjalën e tij gjatë prezantimit të projektit për parkun energjitik të Tropojës, kryeministri Edi Rama bëri bujë me deklaratën e tij për Kinën.
Në prani të së Ngarkuarës me Punë të Ambasadës Amerikane, Nancy VanHorn, Rama deklaroi se Kina e sheh Shqipërinë si “pikë mjalti” në Evropë.
Rama gjithashtu shtoi se mençuria kineze mund të kombinohet mjaft mirë me urinë amerikane për prodhimtari të suksesshme të energjisë në Shqipëri.
Interpretimi i këtyre deklaratave
Ka 2 mënyra për ta lexuar deklaratën e Ramës.
Së pari, si shantazh politik ndaj konjukturave të SHBA në Shqipëri. Aktualisht, qeverisja e Edi Ramës është në pikën politike më të ulët të saj në 13 vite.
SPAK ka marrë të pandehur krahun e djathtë të tij, Belinda Ballukun, me akuza për shkeljen e barazisë në tendera, akuza që çuan në kërkesën për heqje të imunitetit të Ballukut.
Po në të njëjtën kohë, SPAK ka arrestuar drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçani, me akuzë për shkelje të barazisë në tendera. Kujtojmë se AKSHI është konsideruar nga shumë analistë si “kopshti vetjak i Kryeministrit” për shkak të afrimitetit të institucionit me Kryeministrin që vërtetohet dhe nga fakti se drejtoresha e AKSHI është zyrtarja e lartë më jetëgjatë e këtyre 13 viteve të qeverisjes Rama.
Kësisoj, Edi Rama ndihet i rrezikuar nga arrestimet e SPAK dhe po bën ç’të mundet që të mos i vijë radha vetë. Kjo bëhet duke kërkuar një afrim artificial me administratën republikane në SHBA, me të cilën raportohet se Rama nuk ka marrëdhënie të mira, e që po lobon t’i përmirësojë nëpërmjet një takimi me JD Vance apo Marco Rubio në samitin e ardhshëm të Davos-it.
Këtë afrim artificial, Rama po kërkon ta arrijë edhe nëpërmjet shantazhit, ku amerikanëve u thuhet se ka edhe Kinë që mund të investojë në Shqipëri, në rast se SPAK, që sigurisht trajnohet dhe financohet nga aleatët strategjikë të Shqipërisë, godet Ramën.
Siç është paraqitur edhe në dokumentin e strategjisë së sigurisë kombëtare të SHBA, Kina shihet si kundërshtari kryesor global i SHBA, dhe në këtë kuadër Rama mendon se amerikanët mund ta shpëtojnë nga SPAK si shpërblim për mbajtjen e Shqipërisë larg ndikimit kinez.
Së dyti, deklarata e Ramës mund të interpretohet si kthim në fakt të kryer për amerikanët, të një afrimi të qeverisë së tij me investitorët kinezë.
Kështu që fjalët e Ramës mund të jenë thënë me qëllimin e rehatimit të amerikanëve me realitetin e ri: që Kina tanimë do të jetë faktor ekonomik edhe në Shqipëri.
Kjo e fundit vërtetohet edhe nga fakti që gjatë 12 viteve të qeverisjes së Ramës, importet kineze në Shqipëri janë rritur me 3.18 herë, ndërsa investimet e huaja kineze përbëjnë 2.27% të ekonomisë shqiptare.

Penetrimi ekonomik i Kinës në rajon
Vendi ku Kina ka ndikimin më të lartë ekonomik në Ballkanin Perëndimor është Serbia, ku investimet e huaja kineze përbëjnë 15.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kjo shifër është 4.65 herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut dhe 6.91 herë më e lartë se në Shqipëri.

Penetrimi ekonomik i Kinës në Evropë vjen në kuadër të dy faktorëve: iniciativës së “Rrugës dhe Zinxhirit” (The Belt and Road Initiative), si dhe tërheqjes ekonomike dhe politike amerikane nga Evropa.
Kësisoj, Kina e sheh si të arsyeshme ndërhyrjen me investime dhe kompani në vendet e Evropës, për të rritur ndikimin e saj politik.
Sipas të gjithë strategjistëve të gjeopolitikës, Kina ka ambicie të zëvendësojë SHBA në rolin e hegjemonit botëror, dhe për të arritur këtë përdor kompanitë e veta, që pavarësisht se janë ‘në letër’ private, bashkëpunojnë ngushtë me Pekinin zyrtar dhe interesat e tij.
Ekonomia dhe siguria e Shqipërisë
Penetrimi ekonomik kinez rrezikon sigurinë kombëtare të Shqipërisë, por edhe interesat e saj.
Me qëndrimet e saj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kina komuniste është solidarizuar me qëndrimin serb për Kosovën, duke bërë paralelizma me Tajvanin si pjesë të Kinës, ashtu siç Serbia e konsideron Kosovën pjesë të veten.
Kësisoj, ndikimi i shtuar kinez në Shqipëri cënon interesin parimor të faktorit shqiptar në Ballkan: pavarësinë e Kosovës.
Së dyti, ndikimi ekonomik kinez mund të përkthehet edhe në ndikim kulturor e politik, që sigurisht do të gërryente liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.
Modeli kinez është ai i autoritarizmit represiv, ku qytetarët përgjohen dhe u matet sjellja në sistemin famëkeq të “Kreditit Shoqëror”, dhe ku pakicat, si puna e ujgurëve dhe jo vetëm, shtypen dhe mbahen në kampe përqendrimi.
Normalizimi i këtij modeli politiko-kulturor do të dëmtonte fabrikën shoqërore shqiptare, duke cenuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Sot Kina është ende faktor i vogël në ekonominë shqiptare. Holanda vijon të mbetet vendi me më shumë investime në Shqipëri, e ndjekur nga Zvicra, Kanadaja, Italia, Turqia dhe Bullgaria.

Penetrimi ekonomik e politik kinez është i rrezikshëm dhe duhet mbajtur larg nga politikëbërja shqiptare.
‘Flirtimet’ e kryeministrit shqiptar me Kinën komuniste nuk janë të mira dhe i bëjnë dëm interesave strategjike të Shqipërisë.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ruajtja e marrëdhënies së veçantë me SHBA-në, lufta ndaj korrupsionit, trafiqeve dhe emigracionit të paligjshëm duhet të jenë prioritetet strategjike të Shqipërisë.