Kambanë alarmi për dezinformimin shëndetësor në Ballkan përmes Inteligjencës Artificiale
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor po përhapen me shpejtësi video dhe reklama mashtruese për produkte shëndetësore, shpesh të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale (“Deepfake”), që manipulojnë opinionin publik dhe rrezikojnë jetën e konsumatorëve. Këto fushata po përdorin imazhet e politikanëve, gazetarëve dhe ekspertëve për të rritur besueshmërinë, duke targetuar veçanërisht personat më vulnerabël, si mosha e tretë.

Printscreen nga video me IA u publikua në “Facebook”
Një video u shfaq në mediat sociale në Maqedoninë e Veriut më 25 nëntor të vitit 2024, në të cilën ministri i Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, Slaven Radunović, shfaqet duke reklamuar një krem për trajtimin e mykut të këmbëve.
“A ju është dashur ndonjëherë të trajtoni një sëmundje kërpudhore në këmbë?! Nëse e keni pasur, e dini sa kokëfortë dhe e vazhdueshme mund të jetë…?!”, dëgjohet të thotë ndër të tjera ministri në videon që më tej e vë theksin tek trajtimi i gabueshëm i mykut dhe gjetjen e një zgjidhje të re nëpërmjet një kremi të futur rishtazi në treg.
Në të vërtetë video rezultoi të ishte e rreme, e realizuar përmes Inteligjencës Artificiale, duke u marrë nga një fragment i intervistës që ministri Radunović kishte dhënë për shërbimet publike pak kohë përpara publikimit të kësaj videoje – e cila i manipuloi zërin dhe e nxorri nga konteksti për qëllime tregare për shitjen e një kremi shëronte mykun e këmbëve.
“Ndodh çdo javë që hasim mashtrime të reja në lidhje me produkte të caktuara shëndetësore, suplemente, çajëra bimorë dhe ilaçe”, analizoi Matej Trojachanec, gazetar për verifikimin e fakteve në Maqedoninë e Veriut.
“Këto shpesh kanë të bëjnë me sëmundje që prekin moshën e tretë, si vena të zgjeruara, apo flitet për pilula për diabetin që e eliminojnë atë brenda tre ditësh ose ka raste reklamimi për pilula antiparazitare ose rregullues për zorrët apo stomak të shëndetshëm, përfshirë këtu edhe pilula për performancë më të mirë seksuale mashkullore”, shtoi Trojachanec për Amforën.
Këto sekuenca që bënë shumë bujë në opinionin publik maqedonas, jo vetëm që nuk janë raste të izoluara, por së fundmi në rajonin e Ballkanit Perëndimor me qindra informacione me përmbajtje shëndetësore shpërndahen çdo ditë në televizone, në internet dhe në mediat sociale – ku propagandohen ilaçe, oferta për vizita shëndetësore në klinika dhe spitale, efekte kurash, për problemet shëndetëore, si edhe zbulimet më të fundit të shkencës.
Politikanët dhe gazetarët në qendër në fushatave mashtruese
Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale (“Artificial Intelligence” – AI) e ka transformuar krejtësisht mënyrën se si përpunohet dhe shpërndahet sot informacioni, por nga ana tjetër ka krijuar mundësi të reja për përhapjen e dezinformimit, duke u bërë i rrezikshëm veçanërisht në sektorë jetikë për popullatën, si shëndeti.
Algoritmet dhe programet për editimin e videove e që kanë në qendër Inteligjencën Artificiale po përdoren për të gjeneruar dhjetëra lajme, mesazhe, fotografi dhe video, me përmbajtje shëndetësore që tentojnë manipulojnë opinionin publik, duke rrezikuar jetën e konsumatorëve dhe nga ana tjetër minojnë besimin në institucionet shëndetësore.
Ndryshe nga sa është mësuar audienca në internet me reklamimin e produkteve shëndetësore apo për kujdesin nga figura të njohura të botës spektaklit, së fundmi trendi i videove të manipuluara përmes Inteligjencës Artificiale përfshin imazhe politikanësh, gazetarësh dhe profesionistësh.
Në Shqipëri në një video të shpërndarë rreth fundit të muajit qershor fillimisht në “Facebook” dhe që më pas “pushtoi” të gjitha rrjetet, gazetari Blendi Fevziu u shfaq në studion e tij televizive të emisionit Opinion duke raportuar mbi një sulm fizik që kishte lënë pas fraktura ndaj drejtorit të Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, që më tej pretendohej të ishte kryer nga “mafia farmaceutike”.
E gjitha kjo sipas narrativës dezinformuese të videos kishte ardhur pasi mjeku Brataj kishte shpërndarë një video ku fliste për efektet pozitive të një kremi, për të cilin premtonte se shëronte një listë të gjatë sëmundjesh. Video rezultoi jo vetëm se nuk ishte e vërtetë, por realizuar në mënyrë të rreme përmes aplikacioneve që përdorin Inteligjencën Artificiale për qëllime krijuese.
“Më telefonojnë për ilaçet që gjoja unë kam nxjerë dhe shërojnë menjëherë këto sëmundje! Nuk jam unë në ato intervista. Nuk kam bërë dhe nuk do të bëj asnjëher intervista dhe publicitet për ilaçe”, shpjegoi në një reagim në “Facebook”, mjeku Brataj.
“Vetëm se thashë të vërtetën e shkencës mjekësore, besoj se të njëjtit ujqër të pa fytyrë, pa moral janë lëshuar në rrjetet sociale duke marrë intervista të mijat, duke e dubluar zërin tim me zëra të tjerë dhe thonë të kundërtën e asaj që unë mendoj”, shtoi ai – duke shpjeguar se video erdhi pas një “podcast”-i ku ai foli për informacionet që përhapen pa bazë shkencore.
Ndërsa më tej në Malin e Zi, rastet e para të dezinformimit në lidhje me çështjet shëndetësore dhe produktet farmaceutike nisën të regjistrohen gjatë pandemisë së COVID-19, për të vijuar më pas me shpejtësi dhe për të mos njohur limite për formën e manipulimit për përmbajtjes.
“Informacionet e rreme u shpërndanë në atë kohë përmes mediave sociale, grupeve private në aplikacioneve Viber dhe ‘WhatsApp’. Kujtoj se pati raste të promovimit të barnave të paregjistruara, suplementeve me efekte të paprovuara dhe teorive të konspiracionit që inkurajuan mosbesimin ndaj vaksinave, testeve PCR dhe protokolleve zyrtare të trajtimit që nisën të shpërndaheshin me shpejtësi”, analizoi Biljana Matijašević, gazetare në vendin fqinj.
Në Shqipëri reklamat televizive shfaqen në çdo orë për zgjidhjen e problemeve të depresionit, sëmundjeve që lidhen me traktin e zorrëve, problemet reomatizmale, ato të gjumit dhe të tjera sëmundje që prekin kryesisht të moshuarit – për të cilët këshillohet përdorimi i kremërave apo mjekimit pa recetë nga mjeku specialist – për të cilat në një pjesë nevojitet trajtimi mjekësor, antibiotikët, deri tek ndërhyrja kirurgjikale.
Ndërsa në mjedisin digjital opinioni publik po haset gjithnjë e më shumë me përmbajtje videosh të manipuluara dhe dezinformuese për çështjet shëndetësore – të cilat përhapen pa asnjë filtër nga burime të paverifikuara që targetojnë kryesisht personat me sëmundje kronike.
“Në disa raste, reklamat për të ashtuquajturat ‘ilaçe natyrale’ maskohen edhe si artikuj lajmesh, apo zbulime të reja, të cilat i ngatërrojnë edhe më tej qytetarët dhe duke e bërë të vështirë dallimin midis këshillave legjitime shëndetësore dhe dezinformimit”, shpjegoi për Amforën gazetarja Biljana Matijasevic, nga e përditshmja “Vijesti” në Malin e Zi.
“Deepfake”, një armë e sofistikuar për mashtrimin mbi shëndetin
Këto formate fushatash dezinformimi që kanë në fokus shitjen e “medikamenteve mjekësore” po përdoren imazhet me video të manipuluara për personazhet me influencë në opinionin publik, të cilët paraqiten duke i reklamuar ato, me qëllim për tu bërë edhe më të besueshëm.
“Problem i madh kanë qenë fushatat mashtruese duke përdorur foto dhe emra gazetarësh apo personalitete televizive të njohura, ku pa pëlqimin e tyre janë shpërndarë informacione për produkte për gliceminë, presionin e lartë të gjakut, potencën seksuale ose humbjen e shpejtë të peshës”, komentoi më tej Matijašević.
Në këto raste është nevojitur edhe reagimi i vetë personazheve të përfshirë në dezinformime të tilla që materialet të hiqeshin nga rrjetet sociale përmes ndërhyrjes së platformave si “META” (“Facebook”) apo mekanizma të ngjashëm.
“Ato u hoqën menjëherë nga mediat sociale pas reagimeve të vetë gazetarëve apo personazheve publike, të cilët përdorën mjete raportimi në platformat sociale, por edhe ju drejtuan autoriteteve përkatëse, siç janë Departamenti i Krimeve të Teknologjisë së Lartë, i Drejtorisë së Policisë dhe Ekipi i Reagimit ndaj Incidenteve Kompjuterike (CIRT) në Malin e ZI”, shpjegoi Matijašević.
Sipas saj Inteligjenca Artificiale po përdoret gjithnjë e më shumë për të gjeneruar lajme të rreme bindëse, duke përfshirë tekste të shkruara automatikisht, klipe audio dhe madje përmbajtje të rreme me video, e cila lehtëson përhapjen e dezinformimit të sofistikuar dhe që identifikohet me vështirësi.
“Mjetet e Inteligjencës Artificiale mundësojnë krijimin e përmbajtjes që duket e besueshme dhe profesionale dhe mund të shpërndahet gjerësisht, e shpejt – shpesh më shpejt sesa institucionet të jenë në gjendje që të përgjigjen”, shtoi ajo.
Ndërsa në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon teknikat e dezinformimit po zhvillohen, duke u bërë edhe më të besueshme përmes përfshirjes së fragmenteve të lajmeve të vërteta që ndërthuren me informacionin e rremë që synon t’i përcillet publikut.
“Ajo që kanë bërë është se marrin segmente lajmesh nga prezantues shumë të njohur, nga stacionet televizive më të ndjekura në vend dhe duke përdorur Inteligjencën Artificiale gjeneruese përcjellin mesazhe që nuk janë të vërteta”, analizoi verifikuesi i fakteve, Matej Trojachanec.
“Përmbajtja ‘e falsifikuar’ paraqitet si një informacion televiziv i vërtetë, ku ata marrin citime nga mjekë të njohur – duke e falsifikuar përsëri citimin përmes Inteligjencës Artificiale gjeneruese [që njihet si] ‘deepfake'”, shtoi Trojachanec.
“Deepfake” është një teknologji e Inteligjencës Artificiale që krijon imazhe, audio ose video, të cilat janë të rreme, por duken shumë të besueshme dhe manipulojnë fytyrat apo zërat me qëllim për të mashtruar shikuesin dhe me një objektiv të caktuar.
Shpërndarja e informacioneve të rreme që lidhen me shëndetin synon kryesisht moshën e tretë dhe personat më vulnerabël, të cilët kanë më pak mundësi verifikimi dhe nga ana tjetër e kanë kujdesin më të lartë për trajtimin fizik. Burimet e shpërndarjes së këtyre informacioneve gjithashtu janë të vështira për tu gjurmuar nga autoritetet sepse janë të kamufluara, anonime dhe i heqin përmbajtjet e publikuara kur ekspozohen.
“Përmbajtje të tilla mund të gjenden në mediat sociale që promovojnë produkte natyrale që supozohet se ‘shërojnë gjithçka’ për një çmim fiks. Megjithatë, këto postime zakonisht hiqen shpejt, duke e bërë të vështirë citimin e shembujve konkretë”, tha gazetarja Biljana Matijašević.
Sipas saj Inteligjenca Artificiale luan një rol të dyfishtë në këtë kontekst sepse mund të kthehet në një instrument për luftimin e dezinforimit që gjenerohet në këtë mjedis.
“Nga njëra anë, AI mund të ndihmojë në identifikimin, sinjalizimin dhe luftimin e dezinformimit përmes monitorimit të automatizuar të përmbajtjes mediatike, zbulimit të narrativave të rreme dhe analizës së rrjeteve të ‘bot’-ve [programe kompjuterike që veprojnë automatikisht dhe imitojnë sjelljen njerëzore]”, shpjegoi Matijašević.
Prodokutet e kompanisë “SLC Group”, e cila qëndron pas markës “Slimline” për humbje peshe, nuk do të shiten në tregun maqedonas për një vit, pasi gjykata atje e gjobiti kompaninë për mashtrim.
Denoncimi erdhi nga një nënë që e akuzoi kompaninë se i kishte shitur fëmijës së saj një suplement në të cilin u zbulua prania e sibutraminës – medikament për humbje peshe – e cila është ndaluar dhe e dëmshme për shëndetin e të miturve.
Nga ana tjetër përhapja në internet e videove dhe materialeve dezinformuese, një pjesë të gjeneruara me “deepfake”, e vështirëson edhe më shumë punën e autoriteteve dhe konsumatorit në identifikimin e personave përgjegjës, duke ngritur një “këmbanë alarmi” mbi verifikimin kryesisht të videove që hasen në mediat sociale për produktet që sjellin dobi shëndetësore.