Inteligjenca Artificiale në shërbim të mashtrimit, rriten rastet e dezinformimit shëndetësor
Artikuj të manipuluar që citonin aktorin Agron Llakaj duke promovuar një produkt dobësimi ka nxitur reagime për abuzimin me inteligjencën artificiale. Fotot e krijuara përmes Inteligjencës Artificiale përdorën imazhin e tij për qëllime mashtruese, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se raste të tilla përbëjnë një formë të re dezinformimi që rrezikon besimin publik dhe shëndetin e qytetarëve.
Foto ilustruese e artikullit për aktorin Agron Llakaj. Përpunoi Media Amfora
“Nuk e njihja më veten në pasqyrë” – Kështu shkruhej në një artikull të një faqeje që prezantohet si media në internet, ku pretendohet se Agron Llakaj komenton humbjen e shpejtë të peshës pas përdorimit të një produkti për dobësim.
Në fotot e përdorura ai shfaqet dukshëm më i dobësuar, duke krijuar përshtypjen e një transformimi fizik si rezultat i produktit që reklamohet. Në pamje të parë duket si një reklamë e zakonshme për një produkt dobësimi, por në fakt bëhet fjalë për foto të manipuluara përmes Inteligjencës Artificiale, ku imazhi i artistit është përdorur pa pëlqim për të mashtruar publikun.
Vetë artisti reagoi publikisht më 24 tetor, duke sqaruar se videoja ishte e manipuluar dhe se ai nuk kishte asnjë lidhje me produktin që reklamohej. Në një postim në rrjetin social Facebook, Llakaj e quajti rastin “abuzim me inteligjencën artificiale” dhe u bëri thirrje ndjekësve të mos bien pre e mashtrimeve të tilla, duke rrëfyer se kishte marrë dhjetëra mesazhe që kërkonin linkun e këtij produkti.
Ky rast nuk është i vetmi dhe përmbajtje të ngjashme të krijuara me Inteligjencë Artificiale po përdoren gjithnjë e më shpesh për të mashtruar publikun, duke shfrytëzuar besimin që njerëzit kanë ndaj figurave të njohura.
Sipas ekspertëve të fushës, këto raste përbëjnë një formë të re të dezinformimit, që po përhapet me shpejtësi falë përdorimit të mjeteve të inteligjencës artificiale dhe mungesës së kontrollit në platformat në internet.
“Bëhet fjalë për përmbajtje të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale, që manipulojnë imazhe apo video dhe në disa raste përdorin në mënyrë të rreme figurat e personazheve publikë për të promovuar produkte mashtruese, sidomos ato që pretendojnë se ofrojnë përfitime shëndetësore, si humbje peshe apo shërime mrekullibërëse”, vlerësoi Ina Allkanjari, gazetare me përvojë në verifikimin e fakteve.
“Është një formë e re e abuzimit me teknologjinë, që synon përfitime financiare duke mashtruar qytetarët”, shtoi ajo.

Ky lloj dezinformimi po prek gjithnjë e më shumë sektorë të ndjeshëm, si shëndetësia, ku reklamat mashtruese promovojnë ilaçe, preparate për dobësim apo produkte “kundër stresit”, që shpesh nuk rekomandohen nga specialistët. Përmes përdorimit të inteligjencës artificiale dhe teknikës së njohur si “Deepfake”, që përpunon video, foto apo audio të manipuluara dhe shfaqen sikur dikush ka thënë ose bërë diçka që në fakt nuk ka ndodhur. Këto përmbajtje synojnë të krijojnë besueshmëri të rreme dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në vendimet shëndetësore të qytetarëve.
Rasti i Agron Llakajt nuk është i izoluar, fenomene të ngjashme janë vënë re edhe më herët, ku emra të njohur të artit, politikës dhe mediave janë përdorur në mënyrë të rreme për të promovuar produkte apo mesazhe mashtruese. Në disa raste, janë gjeneruar video “deepfake” që imitojnë zërin dhe pamjen e personazheve publikë, duke krijuar përmbajtje që duken reale dhe të besueshme për publikun.
Një situatë e ngjashme ndodhi edhe me mjekun Skënder Brataj, ish-drejtues i Urgjencës Kombëtare, i cili reagoi publikisht pas përhapjes së videove të manipuluara me imazhin e tij në rrjetet sociale. Edhe në këtë rast, përmbajtjet e rreme promovonin produkte të dyshimta “shëndetësore”, duke u paraqitur sikur mjeku i rekomandonte ato, ndërsa ai vetë e denoncoi hapur manipulimin si një formë mashtrimi ndaj qytetarëve.
Sipas gazetares Ina Allkanjari, rritja e këtyre rasteve lidhet me zhvillimin e shpejtë të mjeteve të inteligjencës artificiale, që janë bërë të lehta për t’u përdorur edhe nga persona pa aftësi teknike. “Këto raste janë shtuar sepse mjetet e Inteligjencës Artificiale janë bërë shumë të aksesueshme dhe kushdo mund të krijojë një video ‘deepfake’ brenda pak minutash. Nga ana tjetër, mungon kontrolli efektiv i përmbajtjes në platformat sociale, dhe reagimi institucional është ende i ngadaltë”, theksoi ajo.
Allkanjari shtoi se fenomeni aktual ngjason me valën e dezinformimit të përjetuar gjatë pandemisë së COVID-19, kur rrjetet sociale u mbushën me përmbajtje të rreme për trajtime e kura të paverifikuara.
“Mësimet e asaj periudhe duhej të ishin reflektuar më shpejt. Edukimi mediatik dhe digjital nuk duhet të kufizohet vetëm te studentët apo profesionistët e medias, sepse në këtë mënyrë krijohet një ‘flluskë’ informacioni që nuk arrin te publiku i gjerë”, nënvizoi ajo.
Grupet më të ekspozuar sot ndaj këtij lloji mashtrimi janë përdoruesit e rrjeteve sociale të moshës 40–60 vjeç, të cilët shpesh nuk arrijnë të dallojnë përmbajtjet e manipuluara. Allkanjari e vlerëson edukimin e gjerë të publikut si zgjidhjen afatgjatë për të ndaluar përhapjen e dezinformimit.
“Duhet të investohet në ndërgjegjësimin e qytetarëve për të dalluar burimet e besueshme, për të verifikuar informacionet dhe për të raportuar përmbajtje mashtruese”, shtoi ajo.
Sot mjafton një shtypje butoni në televizor apo një hapje e thjeshtë e rrjeteve sociale që të shfaqen dhjetëra video të tilla, të krijuara me inteligjencë artificiale. Këto përmbajtje janë bërë pjesë e pandashme e rrjedhës digjitale të përditshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë ndarjen mes reales dhe të manipuluarës.
Media Amfora ka analizuar më herët përhapjen e videove dhe reklamave mashtruese në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ku përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale përdoren për të promovuar produkte “shëndetësore” me qëllim fitimin dhe pa argumente shkencore. Këto fushata manipulojnë imazhet e politikanëve, gazetarëve dhe figurave publike, duke ndikuar në opinionin publik dhe duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve.
Ekspertja e mediave Ina Allkanjari theksoi se ndikimi i këtij fenomeni është shumë më i madh sesa duket në pamje të parë sepse prek drejtpërdrejt perceptimin publik për informacionin shëndetësor. “Shumë njerëz mund të besojnë që produktet e reklamuara janë të vërteta dhe t’i përdorin pa këshillim mjekësor, duke rrezikuar shëndetin e tyre”, shpjegoi ajo.
Ky lloj dezinformimi duket se po shfrytëzon edhe boshllëqet që ekzistojnë në sistemin e verifikimit të fakteve dhe mungesën e kontrolleve institucionale ndaj reklamave për produktet shëndetësore në rrjetet sociale.
“Reklamat mashtruese online janë bërë një fushë gri, ku mungesa e mbikëqyrjes po u lejon individëve apo bizneseve të abuzojnë me besimin e qytetarëve”, nënvizoi Allkanjari.
Për të frenuar këtë dukuri, ajo theksoi rëndësinë e ndërhyrjeve të koordinuara ndërmjet institucioneve, platformave sociale dhe mediave.
“Nëse këto raste nuk trajtohen me seriozitet, rrezikojmë që dezinformimi të dëmtojë jo vetëm individët, por edhe besimin publik te informacioni dhe institucionet shëndetësore”, përfundoi ajo.
Në një kohë kur inteligjenca artificiale po bëhet pjesë e përditshmërisë, përgjegjësia për ta përdorur me kujdes duket edhe më rëndësishme, përmes rritjes së vetëdijes, transparencës dhe edukimit publik.