Gratë në politikë, të shqetësuara për pasojat e dezinformimit gjinor
Ndërsa partitë politike në Shqipëri kanë ndezur “motorët” dhe po përgatiten për përballjen elektorale të 14 majit, për gratë e angazhuara në politikë kjo periudhë është dyfish stresuese. Media Amfora bisedoi me 4 prej tyre dhe të gjitha u shprehën të shqetësuara për situatën me të cilën përballen gratë në politikë, mungesën e burimeve për t’i përballuar ato dhe nevojën e ngutshme për t’i trajtuar këto çështje brenda forume partiake dhe në publik.
Derisa i ngjiti vetë shkallët e Kuvendit në shtator 2021, Merita Bakiu i kishte ndjekur seancat e Parlamentit nga televizioni. Ajo kishte vënë re se shumica e lajmeve për deputetët përqendroheshin tek diskutimet e tyre, ndërsa për pjesën tjetër të kolegeve, fokusi i lajmeve dhe objektivëve të fotografëve prodhonte lajme që lidhen me veshjen, aksesorët dhe se me kë shoqëroheshin përgjatë seancës plenare.
“Megjithatë nuk e kisha menduar asnjëherë se këtu do të ishte kaq e ashpër klima për gratë. Kjo gjë na është kthyer në stres, ankth, shqetësim, kur mendojmë që mediat merren me pamjen tonë”, rrëfeu Bakiu, deputete e Partisë Demokratike për Krujën dhe njëkohësisht Kryetare e Aleancës së Grave Deputete.
Kuvendi i Shqipërisë ka sot 50 gra deputete, të cilat herë pas here janë në fokus të lajmeve për veshjet me të cilat shkojnë në seanca plenare, aksesorët, si çantat apo syzet, mënyrën se si ecin dhe ajo për të cilën kanë diskutuar zhduket nga fokusi i raportimeve.
“Është e vërtetë se goditja dhe dhunimi mediatik ndaj grave është shumëfish më i madh se ndaj burrave dhe ato që qëllojnë gratë, janë vetë gratë. Një gruaje a vajze i bëhet gjyqi publik-mediatik”, u shpreh Klodeta Dibra, kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste, dega Tiranë.
Fillesat e dezinformimit që shënjestron gratë
Format e sulmeve ndaj grave në politikë janë të shumëllojshme. Midis tyre gjen fushata shpifjesh, denigrimesh dhe gjuhë urrejtjeje, vetëm sepse janë gra.
Vitet e fundit megjithatë është vënë re edhe përdorimi i teknikave të dezinformimit gjinor, që do të thotë fushata me lajme të rreme ndaj grave aktive në jetën publike. Në Shqipëri, rasti tipik i dezinformimit gjinor ka ndodhur me ish-deputeten Grida Duma.
Ish-kandidatja për Bashkinë e Durrësit në vitin 2015, tashmë duket se ka hequr dorë nga karriera politike për t’iu përkushtuar angazhimeve jashtë saj. E megjithatë, nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet me emrin e saj, ende shfaqen lajme dhe foto të cilat kanë në fokus pamjen e saj, hiret e trupit apo elementë të tjerë estetikë.
Një prej tyre u bë virale pikërisht gjatë zgjedhjeve vendore të vitit 2015, ndërsa foto tregonte se Duma kishte pësuar një “incident” teksa po largohej nga një takim elektoral. Sipas raportimit, për shkak të motit era kishte i kishte ngjeshur fustanin, duke ekspozuar trupin e saj, shoqëruar me tekste që e krahasonin me një personazh të jetës publike në Amerikë, Kim Kardashian.
Megjithatë “stuhia” përfundoi kur u mësua se foto realisht nuk i përkiste Dumës, por këngëtares nga Polonia, Justyna Steczkowska. Megjithatë asnjë nga portalet në internet nuk kërkoi falje për lajmin e pavërtetë.
Teksa karriera e Dumës vijoi të shoqërohej me lajme që më shumë e paraqisnin si modele se sa për kontributin real në politikë edhe koleget e tjera deputete përballen gjithnjë e më shumë me një klimë të rënduar në raport me angazhimin e tyre në politikë dhe portretizimin që i bëhet në internet.
“Linçimi ndaj figurës së gruas a vajzës është në përmasa të frikshme në vendin tonë. Kjo për shkak të mungesës së politikave afatgjata në mbrojtje të grave dhe mungesës së vizionit për përmirësimin e edukimit si element i domosdoshëm për reduktimin e kësaj dukurie”, analizoi për Median Amfora, Klodeta Dibra, kryetare e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste Tiranë.
Pesha e lajmeve të tilla duket se është në përpjesëtim të drejtë me karrierën politike të grave. Gratë deputete i shohin lajmet e përhapura në median në internet apo në mediat sociale si pjesë e fushatave dhe sulmeve që parapërgatitura.
“Rastet kanë qenë të shumta vitet e fundit dhe është fatkeqësi të themi që nuk kanë ardhur vetëm nga mediat, por kryesisht nga vetë kolegët kundërshtarë”, komentoi ish-deputetja e Beratit për Lëvizjen Socialiste për Integrim në atë kohë, Silva Caka.
“Këta kolegë jo pak herë paguajnë edhe gazetarë apo media të ndryshme, që shpesh herë shkruajnë pa fakte, vetëm me qëllim stepjen”, shtoi Caka, e cila kandidon për Këshillin Bashkiak të Tiranës, si përfaqësuese e Partisë së Lirisë.
Pavarësisht ndërmarrjes së diskutimeve dhe takimeve për njohjen e fenomenit, informacionet denigruese apo shpërqendruese duket se janë të vështira për t’u luftuar nga gratë në politikë, sidomos kur ato janë pjesë e fushatave të dezinformimit.
“Sigurisht që e njohim si fenomen, për aq kohë sa kemi rënë shpesh pre e tij. Gjithashtu është diskutuar edhe në forumin e Lëvizjes së Gruas për Integrim në Partinë e Lirisë, por për aq kohë sa mbi median e lirë ka një presion të jashtëzakonshëm, nga njerëz me pushtet dhe para të gjeneruara nga korrupsioni, duket e largët dita e ndërgjegjësimit prej tyre”, përfundoi Caka.
Hapësira të pakta për luftën ndaj dezinformimit gjinor në politikë
Teksa përballen me artikuj pa autorë dhe një pjesë nga burime anonime, gratë e angazhuara në politikë pohuan se nga ana e kolegëve ka një kujdes të shtuar në gjuhën me të cilën u drejtohen.
“Ka momente kur ndihemi të fyera, kur thuhet ‘nuk debatoj se je femër’. Ndërsa gjuhë jo etike ka në raste sporadike, mundohen të jenë të kujdesshëm”, tregoi Merita Bakiu, deputete e listës së Partisë Demokratike për Krujën.
Reagimi i grave në Kuvendin e Shqipërisë shihet si një mekanizëm që nuk është përdorur sa duhet në klimën e fjalimeve që i kanë shënjestruar ato nga kolegët burra.
“Nuk kam parë asnjëherë një reagim unanim të grave deputete ndaj dhunës verbale që ushtrohet në foltoren e Kuvendit”, konstatoi Klodeta Dibra, anëtare e Këshillit Bashkiak Tiranë për dy mandate rradhazi.
“Kjo lyp politika të mirëfillta dhe informim të gjerë në lidhje me dezinformimin gjinor. Mungon ky aksion si nga institucionet përkatëse përgjegjëse, ashtu edhe nga organizatat jo-qeveritare që punojnë në këtë drejtim. Nuk mjafton thjesht të diskutosh, duhen medoemos veprime konkrete”, shtoi Dibra.
Përfshirja e grave në politikën lokale ka gjithashtu problematikat e veta, megjithëse është më pak në vëmendjen e prozhektorëve të Kuvendit apo të kamerave.
Nadire Jani prej shumë vitesh është pjesë e strukturave administrative lokale dhe politike të Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit.
“Gjatë gjithë rrugëtimit me strukturat vendore, nuk është se kemi qenë komode në realizimin e kërkesave tona. Disa herë ato nuk mereshin parasysh apo ‘liheshin’ për një kohë të dytë sepse ishin kërkesa të bëra nga gratë”, kujtoi Jani.
Teksa “motorët” e fushatës për zgjedhjet vendore 2023 po ndizen, vajzat dhe gratë që janë pjesë e listave garuese për drejtimin e bashkive dhe në këshillat bashkiakë kanë pikëpyetjet e tyre. Njohëset e politikës në vend shprehen se edhe në këtë fushatë ato mund të përballen me dezinformimin, shpifjet dhe sulmet e pabaza.
“Si çdo fushatë edhe kjo do të shoqërohet nga goditjet nën brez, e shpifjet. Për sa kohë që shoqëria dhe pushteti i katërt nuk do të demokratizohen, gratë e vajzat do të mbeten ende për shumë kohë shënjestra publike”, përfundoi rrëfimin për Median Amfora, Klodeta Dibra.
Ndërsa Silva Caka mendon se në ditët e sotme, kur edhe popullsia po rrudhet për shkak të emigrimit, është e nevojshme që gratë dhe vajzat të luajnë rol në vendimmarrje dhe politikë.
“Unë zbatoj parimin ‘vendos vetë për të ardhmen tënde’, pa lënë që të tjerët të vendosin për ty. Vajzat e reja duhet të përfshihen në vendimmarrje politike dhe publike, në mënyrë që të kenë zërin e tyre, të paktën në forume politike”, përfundoi Caka.