Gjuha seksiste si tymnajë, narrativat sensacionale devijojnë ngjarjet e drejtësisë
Një ngjarje për të cilën duhej të flisnin institucionet përgjegjëse, ku u përfshi një anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, përfundoi në një debat mbi “turpin” dhe gjuhën seksiste. Artikujt ku dominon gjuha sensacionale lidhur me drejtësinë po humbasin fokusin e llogaridhënies, duke u zhvendosur tek etiketimet dhe gjuha e trupit.
Grafikë ilustruese me postimet në mediat në internet. Përpunoi: Media Amfora
Rasti i bërë publik më 23 mars, ku një qytetare në kontakt me një anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë denoncoi komunikime të papërshtatshme me përmbajtje seksuale, ngriti pikëpyetje serioze mbi etikën dhe sjelljen e një funksionari të lartë të drejtësisë. Por, kjo çështje u shoqërua me një debat mbi “turpin” dhe gjuhën seksiste, duke lënë në hije përgjegjësinë dhe llogaridhënien.
“Anëtari i KLP, Olger Eminaj i kërkon ankueses që t’i blejë viagra në Itali si dhe lodra seksuale”, shkroi ndër të tjera portali Prapaskena më 23 mars, duke u ndjekur nga qindra lajme të ngjashme.
Mënyra si është trajtuar ngjarja në hapësirën digjitale lidhet ngushtë me logjikën e funksionimit të lajmit sot, ku elementët që tërheqin vëmendjen shpesh marrin përparësi ndaj përgjegjësive institucionale. Në praktikë, sipas ekspertëve kjo lidhet shumë me mënyrën si funksionon sot cikli i lajmit dhe konkurrenca për vëmendje.
“Redaksitë punojnë nën presionin e klikimeve dhe shpërndarjes në platformat në internet, ku elementët që shkaktojnë reagim emocional si gjuha vulgare, detajet intime apo fragmentet “shokuese” marrin më shumë shikieshmëri”, u shpreh Ina Allkanjari, eksperte e medias.
Në analizën se si trajtohen raste të tilla, sociologët e vendosin fokusin tek mënyra si ndërthuren dinamika mediatike, kulturore dhe institucionale, duke shpjeguar pse debati publik shpesh largohet nga thelbi i çështjes.Sipas tyre shoqëria shqiptare mbetet relativisht konservatore në raport me moralin publik dhe seksualitetin.
“Kjo bën që shkeljet “morale” të perceptohen si më të rënda, reagimi bëhet më shumë ndaj “turpit publik” sesa ndaj shkeljes së standardeve institucionale”, u shpreh Dr. Mirjam Reçi sociologe, për Median Amfora.
Rasti ku u përfshi anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) nisi me denoncimin e një qytetareje nga Tirana, e cila pretendon se, pas një episodi dhune nga ish-partneri dhe një procesi të ndërlikuar në sistemin e drejtësisë, u përfshi në një situatë edhe më problematike. Teksa kërkonte përgjigje nga institucionet, ajo hyri në komunikim me anëtarin e KLP dhe gjatë komunikimit bisedatat nga për shkak të profesionit kaluan në personale. Sipas materialeve të bëra publike, ky komunikim kaloi nga rrjetet sociale në platforma private dhe përfshiu përmbajtje seksuale dhe të papërshtatshme nga ana e zyrtarit, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi kufijtë e ushtrimit të detyrës dhe etikën e funksionit publik. Pikërisht në këtë pikë, një çështje që lidhej drejtpërdrejt me përgjegjësinë institucionale, mori trajtë tjetër në hapësirën publike.
Debati publik dhe moralizimi
Reagimi në hapësirën publike ishte i menjëhershëm. Me qindra postime në rrjete sociale dhe mediat në internet shpërndanë pjesë nga komunikimet mes tyre, duke e zhvendosur diskutimin në hapësirën digjitale.
Vëmendja u përqendrua kryesisht te përmbajtja e mesazheve dhe gjuha e përdorur, ndërsa debati publik u orientua drejt interpretimit të tyre, duke lënë në plan të dytë çështjet që lidhen me rolin institucional, kufijtë e funksionit dhe përgjegjësinë e zyrtarëve publikë.
Ky fokus te përmbajtja dhe reagimi emocional në hapësirën publike ndikon drejtpërdrejt edhe në mënyrën si ndërtohet debati dhe si perceptohet çështja nga publiku, duke e thjeshtuar atë në terma moralë.
“Publiku e përkthen situatën në: ‘sjellje të papërshtatshme’ dhe ‘sa turp’ dhe asnjëherë në ‘a ka shkelur detyrën’, ‘a janë shkelur procedurat-ligjet’’, tha Mirjam Reçi.
Debate të fokusuara tek gjuha seksiste, përfshinë më pas edhe vetë kryetaren e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e cila u gjykua publikisht përmes komentesh me ngarkesë seksiste lidhur me veshjen e saj gjatë një takimi në nivel ndërkombëtar. Më 25 mars, ish-deputeti Myslim Murrizi publikoi në rrjetet sociale një foto nga një takim zyrtar i kryetares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Mirela Bogdani, me ambasadoren e Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato. Postimi u shoqërua me komente mbi veshjen e zyrtares, duke e lidhur atë me rastin e anëtarit të KLP-së, dhe duke e zhvendosur diskutimin nga çështjet institucionale drejt gjykimeve mbi paraqitjen fizike.
“.. Olger Eminaj nuk u ndje fare në siklet dje në mbledhjen e KLP se ka menduar që në fund të fundit në KLP dhe në çdo hallkë të kësaj drejtesie njëlloj jemi, por dikush e shfaq me sms e dikush me veshje …”, shkroi Myslim Murrizi në një postim në rrjetet e tij sociale, i cili u publikua më pas nga media.
Sensacionalizmi dhe zhvendosja e fokusit
Në të njëjtën linjë, dominimi i detajeve sensacionale ndikon edhe në mënyrën si zhvendoset presioni publik, duke e larguar atë nga kërkesa për transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
“Po, kur debati dominohet nga gjuha e përdorur apo nga detajet intime, publiku fillon të diskutojë kryesisht moralin individual të personit, dhe jo rolin e tij institucional apo përgjegjësitë që burojnë nga funksioni që mban”, u shpreh Ina Allkanjari për Median Amfora.
Vetë Këshilli i Lartë i Prokurorisë reagoi pas rastit të anëtarit përmes një deklarate zyrtare, ku bëri me dije se e kishte ndjekur çështjen me shqetësim dhe se ankesa e qytetares ishte përcjellë për trajtim pranë Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Në të njëjtën kohë, institucioni sqaroi se çdo çështje me natyrë disiplinore ndaj anëtarëve të tij i përket kompetencës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, duke theksuar se rasti është në proces verifikimi dhe do të trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi.
Ky reagim institucional, i kufizuar në sqarime procedurale, u zhvillua paralelisht me një debat publik që mori një drejtim tjetër në hapësirën mediatike dhe sociale.
Kjo sipas ekspertëve ndikon edhe në mënyrën si strukturohet perceptimi publik dhe në çfarë kërkohet nga institucionet. Sipas sociologes ky lloj reagimi në hapësirën publike nuk është i shkëputur nga konteksti më i gjerë shoqëror, ku mënyra si perceptohet përgjegjësia lidhet ngushtë me pritshmëritë ndaj institucioneve.
“Në një mjedis ku besimi tek institucionet është i ulët, qytetarët nuk presin realisht përgjegjësi institucionale dhe debati zhvendoset te individi dhe përgjegjësia publike tek sjellja e tij personale”, tha Dr. Mirjam Reçi.
Vetë anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i përfshirë në rast nuk mbajti një qëndrim, duke lënë hapësirë për interpretime në hapësirën publike. Një rast që ngre pikëpyetje për etikën profesionale dhe funksionimin e institucioneve tregon se vëmendja shpesh zhvendoset nga përgjegjësia te perceptimi. Kur fokusi mbetet te gjuha dhe detaji, llogaridhënia mbetet në hije.