Fondacioni Heritage: Ekonomia shqiptare “mesatarisht e lirë”. Problem, e drejta e pronës, korrupsioni dhe integriteti qeveritar.
Shqipëria shënon rritje të lehtë në indeksin e lirisë ekonomike të Fondacionit Heritage, por mbetet nën mesataren evropiane dhe përballet me sfida serioze në sundimin e ligjit, korrupsionin dhe të drejtën e pronës. Edhe pse ekonomia vlerësohet dinamike dhe me rregullim relativisht efikas, trendi i viteve të fundit tregon rënie të lirive ekonomike, duke e lënë vendin “mesatarisht të lirë” krahas rajonit.
Fondacioni Heritage ka publikuar një raport të përvitshëm mbi lirinë ekonomike në botë. Studimi, i cili thekson se mesatarisht bota nuk ka liri ekonomike, ka publikuar edhe gjetjet e tij mbi Shqipërinë, ekonomia e së cilës renditet si “mesatarisht e lirë”.
Mbi Shqipërinë
Raporti vëren se Shqipëria ka një rritje prej 1.8 pikësh nga indeksi i vitit të kaluar dhe renditet e 27-ta nga 44 vende në Evropë dhe e 50-ta në botë për liri ekonomike. Kjo renditje vjen në kuadër të rritjes galopante të lirisë ekonomike të Shqipërisë nga viti 1992 në vitin 2014. Pavarësisht rritjes së pikëve nga viti i kaluar, Shqipëria ka përshkruar një trend rënieje në lirinë ekonomike vitet e fundit, duke rënë nga 66.9 pikë në vitin 2020 në 64.8 në vitin 2024. Ndërkohë, liria ekonomike e Shqipërisë mbetet nën rajonin, me një diferencë prej 1.9 pikësh nga mesatarja e Evropës.

Raporti vlerëson diversifikimin e bazës së ekonomisë shqiptare, e cila ka rritur dinamizmin ekonomik dhe mirëqenien, por thekson se rritja e shpenzimeve të shtetit ka sjellë deficit buxhetor. Regjimi rregullator i Shqipërisë vlerësohet si efikas, duke sjellë rrjedhimisht edhe një lehtësim të procedurave për krijimin e sipërmarrjeve. Në raport me vendet e rajonit, investimet e huaja direkte (FDI) mbeten të ulëta, ndërkaq Shqipëria vuan edhe nga të drejtat e ulëta të pronës. Studimi ia faturon këtë të fundit faktorëve si ndërhyrja e politikës në sistemin e drejtësisë dhe korrupsioni.
Shqipëria renditet si “e lirë” në komponentë si barra fiskale dhe liria tregtare. Në komponentë si shpenzimet qeveritare, shëndeti fiskal, liria e sipërmarrjes dhe liria monetare, Shqipëria renditet si “kryesisht e lirë”. Në lirinë e investimeve dhe atë financiare, Shqipëria renditet si “mesatarisht e lirë”. Në fusha si e drejta e pronës, efektiviteti i shtetit dhe liria e punës, Shqipëria renditet si “kryesisht jo e lirë”. Ndërkaq, integriteti qeveritar renditet si “i shtypur”, pra niveli me I ulët I lirisë.
Sundimi i ligjit vlerësohet më ulët nga Heritage për shkak të problemeve që Shqipëria ka me të drejtën e pronës, efektivitetin e sistemit të drejtësisë dhe integritetin qeveritar. Ndërkaq, komponentët e tjerë si efikasiteti rregullator, hapja e tregut dhe madhësia e qeverisë vlerësohen më mirë nga raporti.
Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet nga raporti me pikët më të larta për sa i përket lirisë ekonomike me 66.6 pikë, e ndjekur nga Serbia me 64.4 pikë, Mali i Zi me 63.8 pikë, Bosnjë e Hercegovina me 63.5 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 63.2 pikë. E fundit renditet Kosova me 61.7 pikë. Të gjitha vendet klasifikohen si “mesatarisht të lira” ekonomikisht.
Ekonomia botërore
Raporti parashtron korrelacionin pozitiv midis lirisë ekonomike dhe pesë metrikave: standardit të jetesës, inovacionit, qeverisjes demokratike, ruajtjes së mjedisit dhe zhvillimit njerëzor. Një vend me liri më të madhe ekonomike performon më mirë edhe në këto pesë metrika. Kjo shihet edhe nga renditja e vitit 2025, ku shteti më i lirë ekonomikisht është Singapori, i ndjekur nga Zvicra, Irlanda, Tajvani, Luksemburgu, Australia, Danimarka, Estonia, Norvegjia dhe Hollanda. Shqipëria renditet e 50-ta nga 184 vende, ndërkaq SHBA renditet e 28-ta. Vendin e fundit e mban shteti komunist i Koresë së Veriut.

Sipas raportit, ekonomia botërore mbetet “kryesisht jo e lirë”. Raporti sheh me shqetësim rënien e shëndetit fiskal në gjithë globin për shkak të deficiteve buxhetore dhe borxheve publike në rritje. Kjo situatë ka ndikuar në rënien e produktivitetit, me impakt negativ në rritjen ekonomike, e cila garantohet nëpërmjet lirisë ekonomike; pra, duke ulur taksat, zbutur mjedisin rregullator, hapur ekonominë ndaj konkurrencës dhe luftuar korrupsionin. Indeksi i këtij viti raporton sërish se vendet me standarde të larta jetese janë ato me lirinë ekonomike më të madhe.
Raporti prek edhe probleme si pabarazia, e cila shihet me shqetësim edhe nga një raport i fundit i Oxfam. Për ta luftuar pabarazinë, nevojitet liri ekonomike, e cila do të garantojë rritje dinamike e gjithëpërfshirëse ekonomike për të gjithë pjesëmarrësit e shoqërisë. Raporti sheh kapitalizmin e tregut të lirë si sistemin më të mirë ekonomik të provuar, pavarësisht se pranon që shoqëritë e përparuara kanë ndjekur një model ekonomik që përzien kapitalizmin me ndërhyrjen shtetërore për rishpërndarjen e burimeve në shoqëri.
Metodologjia
Ashtu si për vendet e tjera, Fondacioni Heritage mat lirinë ekonomike bazuar në 12 komponentë: e drejta e pronës, integriteti qeveritar, efektiviteti i sistemit gjyqësor, barra fiskale, shpenzimet qeveritare, shëndeti fiskal, liria e sipërmarrjes, liria e punës, liria monetare, liria tregtare, liria e investimeve dhe liria financiare. Këto komponentë janë bashkuar me njëri-tjetrin për të formuar katër kategori më të mëdha studimi: rendi ligjor, madhësia e qeverisë, efikasiteti rregullator dhe hapja e tregjeve. Këto komponentë janë pikëzuar nga 0-100, ku 0 është pika më e ulët e lirise dhe 100 më e larta.
Presidenti i Heritage, Kevin Roberts, theksoi se liria ekonomike shërben për të mbrojtur të vërtetën, të mirën dhe të bukurën, dhe për të cilën mund të argumentohet si në baza morale ashtu edhe praktike. Sipas Roberts, korporatat shumëkombëshe dhe grupet globaliste punojnë së bashku për vjedhjen e lirive nga shtresa e mesme, teksa pasurojnë të fuqishmit.
Shqipëria duhet të çlirojë ekonominë. Korrupsioni, mungesa e shtetit ligjor, integriteti i qeverisjes, efektiviteti i gjyqësorit dhe e drejta e pronës mbeten problematika që kufizojnë rritjen ekonomike të Shqipërisë. Për pasojë, hapja e ekonomisë, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, si edhe çlirimi i tregjeve nga oligarkët e politikanët e korruptuar, janë parakushte të nevojshme për garantimin e lirisë ekonomike të shqiptarëve. Kjo e fundit është mjaft e rëndësishme, sepse, siç thoshte edhe Presidenti Reagan: “Liria nuk është kurrë më shumë se një brez larg zhdukjes.”