Dezinformimi shëndetësor: “Pandemia” që vazhdon

Frika nga vaksinat, e ushqyer nga informacioni i paverifikuar, po ndikon gjithnjë e më shumë vendimet e prindërve për vaksinimin e fëmijëve. Kur këto narrativa përhapen përtej rrjeteve sociale dhe hyjnë në familje, komunitete dhe institucione, pasojat nuk janë më individuale, por prekin shëndetin publik.

Vitet e fundit, në Shqipëri është vërejtur një rritje e hezitimit të prindërve për të vaksinuar fëmijët e tyre, fenomen i nxitur nga qarkullimi i informacionit të pasaktë mbi shëndetin dhe nga mungesa e besimit te burimet zyrtare.

“Deri sa fëmijët ishin parashkollorë, nuk u kisha bërë asnjë vaksinë,” tregoi Mira, nënë e dy binjakëve që në vitin 2025 i regjistroi për herë të parë në kopsht.

Vendimi i saj, siç shpjegon vetë, ishte i lidhur me frikën nga autizmi dhe ndikimin e informacionit që qarkullonte në rrethin familjar dhe në rrjetet sociale.

“Frika ishte shumë e madhe dhe ishte ushqyer nga ajo që kisha dëgjuar në familjen time”, tha ajo për Median Amfora, duke pranuar të identifikohet vetëm me emër për arsye privatësie.

“Vajza e motrës time deri në moshën dyvjeçare ishte zhvilluar normalisht, por më pas u diagnostikua me çrregullim të spektrit të autizmit dhe kjo më frikësoi shumë. Në të njëjtën kohë, çdo ditë lexoja lajme dhe komente në rrjetet sociale që lidhnin autizmin me vaksinat”, shtoi nëna e re.

Raste të tilla nuk janë të izoluara, por pasqyrojnë një klimë më të gjerë pasigurie që është forcuar sidomos pas pandemisë së COVID-19, kur informacioni shëndetësor u përhap me shpejtësi, shpesh pa verifikim.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik treguan se në janar 2024 u konfirmuan 11 raste me fruth në Tiranë e Durrës, shumica fëmijë të pavaksinuar, ndërsa gjatë vitit 2025 u regjistruan 18 raste, duke reflektuar rritjen e sëmundjes si pasojë e uljes së mbulimit vaksinal.

Në këtë kontekst, mjekët pediatër thonë se hasin gjithnjë e më shpesh prindër që vijnë me dyshime dhe frikë për vaksinimin, të ndikuar nga informacioni që qarkullon jashtë kanaleve zyrtare.
“Çuditem se si ka raste prindërish që vijnë dhe më pyesin me mëdyshje nëse duhet apo jo t’i bëjnë fëmijës vaksinat, nga frika se mund t’i shkaktojnë autizëm”, tha mjeku pediatër Vladimir Kumaraku për Median Amfora.

Sipas mjekut, një pjesë e këtyre frikërave ushqehet nga mënyra se si informacioni shëndetësor qarkullon sot në publik, shpesh i shkëputur nga konteksti dhe pa shpjegim profesional.

“Këto shqetësime lidhen drejtpërdrejt me informacionin që qarkullon sot”, shtoi pediatri, duke theksuar se mënyra se si interpretohet shkenca shpesh krijon më shumë konfuzion sesa qartësi.

Hezitimi ndaj vaksinimit nuk mbetet vetëm në raportin mjek–prind, por shfaqet edhe në komunitete fetare, ku disa familje kërkojnë orientim në kushtet e pasigurisë dhe konfuzionit informativ.

“Ne kemi hasur raste mes besimtarëve, të cilët kanë shfaqur një lloj ngurrimi për marrjen e dozave të vaksinimit, sidomos të asaj njëvjeçare dhe dyvjeçare, sepse nga miq të afërt kanë konstatuar raste të shfaqjes së simptomave të autizmit dhe i atashojnë këto probleme me marrjen e vaksinës”, tha Ervin Qylafku, Imam i Xhamisë së Madhe në Durrës.

Sipas tij, kjo situatë ushqehet nga përplasja e informacionit zyrtar me burime të pakonfirmuara dhe autoritete jozyrtare që qarkullojnë në hapësirën publike.

“Sot kemi një fluks informacioni që herë është i vërtetuar e herë i pavërtetuar. Krahas institucioneve zyrtare si Organizata Botërore e Shëndetësisë, qarkullojnë edhe autoritete të tjera jozyrtare që bëjnë deklarata dhe kjo përplasje zërash i bën shumë njerëz të dyzuar në marrjen e vendimeve për fëmijët e tyre”, shtoi ai.

Mjeku pediatër tha se prindërit që i drejtohen me shqetësime për vaksinimin shpesh kanë nevojë për sqarim dhe siguri profesionale. Sipas tij, këto dyshime shtohen me përkimin në kohë mes moshës kur kryhen disa vaksina dhe momentit kur fillojnë të vërehen shenjat e para të çrregullimit të spektrit të autizmit.

“Nëse do të kishte një lidhje reale mes vaksinimit dhe autizmit, atëherë do të përballeshim me një përhapje masive, njësoj si në rastin e sëmundjeve infektive”, shpjegoi mjeku pediatër, duke shtuar se “nuk ka të dhëna shkencore që ta mbështesin këtë pretendim”.

Për Mirën, përballja me kërkesën për kartelat e vaksinimit në momentin e regjistrimit të fëmijëve në kopsht e vuri përballë vendimit që kishte shtyrë prej vitesh. Ajo thotë se sqarimet e pediatrit ishin vendimtare për ta marrë këtë hap me më pak frikë.

“Kur e dëgjova pediatrin dhe kuptova që frika ime nuk mbështetej në fakte, vendosa t’i bëja vaksinat”, tha ajo. “Mbylla të gjitha rrjetet sociale, si të miat ashtu edhe të bashkëshortit, sepse ndryshe nuk do ta përballoja dot situatën”, shtoi gruaja e re.

Sipas imamit të Xhamisë së Madhe në Durrës, situata aktuale karakterizohet nga një nivel i lartë dezinformimi, që e bën të vështirë dallimin mes informacionit të besueshëm dhe atij të pasaktë, duke ndikuar drejtpërdrejt vendimmarrjen e prindërve.

“Ka një dezinformacion të jashtëzakonshëm, ku ne nuk mund ta ndajmë më se kush është e vërteta, cili është mendimi i vlerësuar nga ana mjekësore dhe cili nuk duhet marrë në konsideratë. Për këtë arsye, jemi të dyzuar si shoqëri, sepse gjithçka që na rrethon duket e kontaminuar, duke filluar nga ushqimet, ambienti dhe deri te lajmet që qarkullojnë në media”, u shprehet Ervin Qylafku.

Ai shton se kjo klimë pasigurie i bën njerëzit më të stepur ndaj çdo vendimi që lidhet me shëndetin, përfshirë vaksinimin e fëmijëve.

“Të gjitha këto e bëjnë njeriun të jetë shumë i rezervuar për të marrë vendime, sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, dhe kjo e bën shoqërinë të jetojë në një gjendje hezitimi të vazhdueshëm”, shtoi ai.
Sipas tij, përballë kësaj situate, roli i mjekut mbetet thelbësor, ndërsa besimi dhe shkenca nuk duhet të vendosen në kundërshti.

“Roli i mjekut është shumë i rëndësishëm, sepse nuk është thjesht profesion, por mision. Mjekët dhe besimi duhet të jenë bashkë për t’i ndihmuar njerëzit të dalin nga bataku i dezinformimit”, përfundoi ai.

Edhe nga këndvështrimi mjekësor, problemi nuk qëndron te mungesa e informacionit, por te mbingarkesa me informacion të pasaktë, që e vë prindin përballë frikës dhe dyshimit.

“Sot prindërit nuk vijnë pa informacion, përkundrazi vijnë të mbingarkuar me informacione të gabuara” shpjegoi mjeku pediatër Vladimir Kumaraku. “Kjo i bën ata më të pasigurt dhe më të frikësuar, sepse çdo burim pretendon se ka të vërtetën e vet”, përfundoi ai.

Hezitimi ndaj vaksinimit tregon një mjedis të kontaminuar informativ, ku frika shpesh ushqehet më shpejt se faktet. Në këtë realitet, dezinformimi shëndetësor nuk mbetet vetëm në rrjetet sociale, por shndërrohet në vendime që prekin shëndetin e fëmijëve dhe të shoqërisë në tërësi, duke e bërë besimin te informacioni i saktë një nga sfidat më të mëdha të kohës.