Çmimi i neoliberalizmit: Oxfam mbi pabarazinë ekonomike në SHBA
Raporti më i fundit i ‘Oxfam’ evidenton se 10 miliarderët më të pasur të SHBA-ve kanë rritur pasurinë e tyre me 698 miliardë dollarë gjatë vitit të kaluar – tregues i rritjes së pabarazisë ekonomike në ekonominë më të madhe të botës.
Organizata globale “Oxfam”, e cila studion e raporton mbi pabarazinë ekonomike në SHBA dhe botë, ka publikuar raportin e saj më të fundit, që evidenton sse pabarazia është zgjedhje, jo pasojë dhe se ajo mund të ulet nëse ekziston vullneti politik e shoqëror.
Që nga revolucioni neoliberal i presidentit amerikan Ronald Reagan, mirëqenia e ekonomisë së SHBA-së është matur nga norma e fitimit të aksionarëve të kompanive që tregtohen në bursa. Kjo sipas raportit duhet të zëvendësohet me uljen e polarizimit, fuqizimin e shtresës së mesme dhe demokratizimin. Për arritjen e këtyre qëllimeve, Oxfam ka parashtruar katër prioritete politikash: Ribalancimin e fuqisë, drejtësi fiskale, ringritjen e rrjeteve të sigurisë shoqërore dhe mbështetje ndaj të drejtave të punëtorëve.
Gjetjet e raportit
Shifrat flasin për një rritje të frikshme të pabarazisë në SHBA gjatë viteve 1989–2022. Pasuria e 1% të familjeve më të pasura është rritur 101 herë më shumë sesa ajo e shtresës së mesme dhe 987 herë më shumë sesa ajo e 80% të familjeve të tjera. Ndërkohë, 0.1% e individëve kontrollojnë 12.6% të aseteve dhe 24% të tregut të aksioneve, ndërsa gjysma e amerikanëve zotërojnë vetëm 1.1% të tregut. Raporti e lidh këtë pabarazi me fenomene si numri i të pastrehëve, pasiguria ushqimore, varfëria relative, pamundësia për të paguar qeranë, kartat e kreditit dhe mungesa e sigurimeve shëndetësore.

“Indeksi Gini” tregon se pabarazia në SHBA është rritur me 21% në periudhën 1980–2022. Oxfam e krahason këtë me “Epokën e Artë” (1870–1900), e njohur për zgjerimin industrial por edhe për thellimin e hendekut të pasurisë.
Politikat neoliberale cilësohen si shkaktarët kryesorë të kësaj pabarazie, përmes asaj që autorët e raportit e quajnë “Marshimi drejt oligarkisë”. Fuqia monopoliste e korporatave u ka dhënë mundësinë të ndikojnë drejtpërdrejt në politikëbërje, duke lobuar për ulje taksash, goditje të sindikatave, shfuqizim të pagës minimale dhe dobësim të të drejtave të punës.
Oxfam thekson rëndësinë e politikave antimonopol dhe pro shtresës së mesme për të ndalur ndikimin e kapitalit të madh mbi politikën dhe për të mbrojtur demokracinë. Presidenti Theodore Roosevelt paralajmëronte dikur për nevojën e kufizimit të ndikimit të “një klase të vogël burrash jashtëzakonisht të pasur dhe ekonomikisht të fuqishëm, qëllimi i të cilëve është të rrisin pasurinë e tyre”.
Realiteti shqiptar
Raporti i Oxfam gjen jehonë edhe në realitetin shqiptar. Sot më shumë se kurrë, oligarkët kanë fuqi të pakontrolluar mbi çmimet dhe ligjbërjen. Tregjet e lira janë kthyer në monopole, ku sektorë të tërë kontrollohen nga disa familje ekonomike të lidhura me politikën dhe krimin. Ky model oligarkiko-korporatist dëmton si ekonominë e qëndrueshme, ashtu edhe konsumatorin, e punëtorin shqiptar. Çmimet e larta të produkteve bazë dhe të naftës janë produkt i karteleve ekonomike që funksionojnë me bekimin e politikës dhe nën hundën e autoriteteve rregullatore.
Pasojat janë të dukshme: Shqipëria është vendi i pestë më i varfër në Evropë, me pagë minimale dhe mesatare më të ulëta se vendet fqinje, por me çmime të ngjashme me BE-në. Kjo ka gërryer fuqinë blerëse dhe ka nxitur emigrimin e mbi 1 milion shqiptarëve në 16 vitet e fundit. Ndërkohë, asistencat sociale dhe pensionet mbeten nën minimumin jetik, për shkak të korrupsionit dhe abuzimeve të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kodi i Punës shpesh nuk respektohet, ndërsa informaliteti në punë mbetet një plagë e hapur.
Raporti i Oxfam është një kambanë alarmi për politikëbërësit në SHBA dhe në mbarë botën. Pabarazia ekstreme kërcënon ekonominë e tregut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Në përputhje me rekomandimet e Oxfam, Shqipëria duhet të miratojë ligje anti-monopol, të forcojë agjencitë rregullatore dhe të nxiten politika fiskale që mbështesin ekonominë produktive, konkurrencën e ndershme dhe rritjen e konsumit.