Bashkimi Evropian vlerëson me Çmimin e Parë investigimin e Amforës mbi shkatërrimin e Parkut të Butrintit
Bashkimi Evropian ndau tre çmime për tregimet më të spikatura investigative në Shqipëri gjatë vitit 2024. Vendi i parë iu dha gazetarëve Geri Emiri dhe Erjola Azizolli nga Amfora.al, për artikullin që zbuloi shkatërrimin e arkeologjisë në Parkun Kombëtar të Butrintit, si pasojë e ndërtimeve me status investitor strategjik në “Gjirin e Manastirit”.

Drejtuesi i Medias Amfora, Geri Emiri dhe gazetarja Erjola Azizolli. Foto: Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri
Mbrëmjen e 20 tetorit në “Shtëpinë e Evropës” në Tiranë u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimeve të Bashkimit Evropian për Gazetarinë Investigative 2025, për të vlerësuar arritjet e gazetarëve që sollën historitë më të fuqishme hulumtuese në Shqipëri gjatë vitit të kaluar.
Gazetarët Geri Emiri, Erjola Azizolli, Vladimir Karaj, Edmond Hoxhaj, Erisa Kryeziu dhe Esmeralda Keta, u përzgjodhën midis shumë kolegëve si fituesit e këtij viti për historitë që hodhën dritë mbi keqpërdorimin e fondeve publike, korrupsionin, ekologjinë, shëndetin dhe trashëgiminë kulturore.
“Në Shqipëri, gazetaria investigative vazhdon të luajë një rol kryesor në promovimin e transparencës dhe llogaridhënies. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat me të cilat gazetarët përballen ende, që nga frikësimi dhe presioni ekonomik deri te pronësia e përqendruar e medias”, u shpreh Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, gjatë fjalës së tij përshëndetëse.

Deklarata e Ambasadorit Gonzato nënvizoi më tej se, “BE-ja do të vazhdojë të ngrejë këto shqetësime dhe të mbështesë reformat, që krijojnë një mjedis më të sigurt dhe më të drejtë për gazetarët. Në të njëjtën kohë, ne do të vazhdojmë të investojmë në gazetari të pavarur, iniciativa për verifikimin e fakteve dhe në edukimin mediatik sepse qytetarët e informuar janë mbrojtja më e mirë kundër dezinformimit dhe manipulimit”, përfundoi ambasadori Gonzato.
Organizatorët theksuan rritjen e interesit dhe standardeve profesionale në gazetarinë investigative, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm të gazetarëve në mbrojtje të transparencës dhe të drejtës për informim.
“Këtë vit kemi pasur jo vetëm numrin më të lartë të aplikimeve, por edhe cilësinë më të lartë dhe tematika më diverse, që trajtonin keqpërdorimin e fondeve publike dhe korrupsionit, ekologjinë, shëndetin dhe trashëgiminë kulturore”, u shpreh fjalën hapëse të ceremonisë, Sanja Lazic, përfaqësuese e ‘Thomson Media’.

Ceremonia vijoi me prezantimin e jurisë, e cila përzgjodhi fituesit e këtij viti mes 32 aplikimeve, me anëtarë Blerjana Bino, Fatjona Mejdini dhe Rashela Shehu, të cilët prezantuan fituesit e çmimeve për historitë më të mira investigative të vitit 2024 të ndara në 3 vlerësime.
Çmimin e parë e morën gazetarët Geri Emiri dhe Erjola Azizolli, nga media Amfora.al, për artikullin, “Resorti tek Gjiri i Manastirit shkatërroi potencialin arkeologjik të Parkut të Butrintit”. Investigimi i Amforës zbuloi shkatërrimin e trashëgimisë arkeologjike në zonat bregdetare për përfitime monetare, duke dokumentuar se si kompanitë ndërtuese përfituan statusin e “investitorit strategjik” pavarësisht shkeljeve të qarta të rregullave të UNESCO-s. Artikulli ngre pyetje serioze mbi llogaridhënien, korrupsionin dhe mbrojtjen e pasurive kulturore në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Çmimi i dytë këtë vit kishte dy fitues, që shkoi për gazetarët Vladimir Karaj dhe Edmond Hoxhaj, të medias “Reporter.al”. Artikulli i Karajt – “‘Si në burg: Punëtorët afrikanë përballen me privim lirie dhe shfrytëzim në Shqipëri” – sjell dëshmi tronditëse mbi shfrytëzimin e punëtorëve afrikanë përmes praktikave diskriminuese dhe të paligjshme, duke dokumentuar shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Ndërsa hulumtimi i gazetarit Hoxhaj – “KPK kërkoi donacion nga kompania e Kastratit, duke i kujtuar një tender të fituar më parë” – ekspozon mungesën e transparencës në një institucion kyç të reformës në drejtësi, duke ngritur pikëpyetje mbi integritetin institucional dhe etikën në kërkimin e fondeve publike.
Në vendin e tretë u renditën gazetaret Erisa Kryeziu dhe Esmeralda Keta, nga media “Citizens.al”, me artikullin, “Na shfrytëzojnë deri në palcë: Gratë në fasoneri ankohen për kushtet e punës”.
Investigimi i tyre i mirëdokumentuar trajton shfrytëzimin e grave në fabrikat e fasonerive, duke hedhur dritë mbi një problem të rëndësishëm social e ekonomik, që shpeshherë mbetet në hije.
Ndërsa në vlerësimet e vitit të kaluar “Vendi i tretë” shkoi për gazetarët Geri Emiri, Aida Ciro dhe Aleksandar Dimitrievski nga Amfora.al, për artikullin që ekspozoi sfidat me të cilat përballen fermerët në Ballkan për aksesin në fondet e BE-së përmes Programit IPARD.
Çmimet e Bashkimit Evropian për Gazetarinë Investigative jepen nga Bashkimi Evropian në bashkëpunim me “Thomson Media”, në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi, për të fuqizuar dhe mbështetur gazetarinë e pavarur dhe investigative.