Kakomeja pas revoltës: Historia e një gjiri të rihapur pas 20 vitesh
Mes kodrave me bimësi mesdhetare dhe ujërave të Jonit, Gjiri i Kakomesë shpalos një prej peizazheve më tërheqëse të bregdetit jugor shqiptar. Pas më shumë se dy dekadash me akses të kufizuar, Kakomeja është rihapur për qytetarët, duke rikthyer vëmendjen te një gji ku bukuria natyrore, trashëgimia dhe gjurmët e një historie të trazuar bashkëjetojnë në të njëjtin peizazh.
Tabela “Plazh publik”, e vendosur nga banorët përgjatë rrugës me Gjirin e Kakomesë në sfond. Foto: Media Amfora.
Gjiri i Kakomesë shtrihet në bregdetin e Jonit, mes Sarandës dhe Himarës, i rrethuar nga kodra me bimësi mesdhetare që zbresin drejt ujërave të kaltra. Forma natyrore e gjirit i ngjan një amfiteatri të hapur drejt detit, duke krijuar një peizazh karakteristik të rivierës shqiptare. Plazhi është kryesisht zallor, ndërsa relievi që e rrethon ndërthur shpatet e gjelbëruara me pjesët shkëmbore që bien drejt detit. Gjiri gëzon statusin Monument Natyror, për vlerat e tij bregdetare, gjeomorfologjike dhe ekologjike. Karakteristikat natyrore dhe statusi i mbrojtur e vendosin Kakomenë mes hapësirave me vlera të veçanta të bregdetit jugor shqiptar.

I parë nga lart, Gjiri i Kakomesë zgjatet drejt brendësisë së territorit dhe hapet në det mes dy shpateve malore. Dokumentacioni zyrtar i zhvillimit të territorit e përshkruan gjirin me një gjatësi afro dy kilometra, ndërsa gjerësia e tij i kalon 300-400 metra. Në anën jugore shtrihet një shpat me bimësi natyrore të ruajtur, ndërsa pjesa veriore karakterizohet nga një reliev më shkëmbor. Ujërat e pastra dhe konfigurimi i mbrojtur natyror e bëjnë zonën të përshtatshme për not, zhytje dhe lundrim. Sot, automjetet përgjatë bregut, pushuesit dhe mjetet lundruese në det i kanë rikthyer gjirit një panoramë të gjallë gjatë sezonit veror.

Por pas peizazhit që tërheq vizitorët qëndron një histori e gjatë mosmarrëveshjesh për territorin e Kakomesë. Banorët e Nivicës pretendojnë pronësinë mbi tokat dhe prej më shumë se dy dekadash kanë kundërshtuar zhvillimin e projektit turistik në zonë. Mosmarrëveshja për territorin ka vijuar ndër vite, duke e shoqëruar historinë e zhvillimeve të planifikuara në këtë pjesë të bregdetit. Në terren, qëndrimi i komunitetit shprehet edhe përmes pankartave ku shkruhet se autoktonët “vatanin e Kakomes nuk e kanë në shitje”. Mesazhi i vendosur përgjatë rrugës e bën konfliktin për tokën pjesë të dukshme të peizazhit që vizitori ndesh sot në Kakome.

Aksesi në plazh ka qenë një tjetër pikë qendrore e përplasjes shumëvjeçare në Kakome, ndërsa sot përgjatë rrugës një tabelë e banorëve e identifikon atë si “Plazh publik”. Në qershor 2026, niviciotët u rikthyen në territorin e Kakomesë, pas më shumë se dy dekadash gjatë të cilave hyrja nga toka kishte qenë e kufizuar. Hapja e zonës ndryshoi edhe mënyrën se si Kakomeja mund të frekuentohej, duke mundësuar hyrjen e qytetarëve me automjete deri pranë bregut. Tabela e vendosur mbi rrugën drejt gjirit mbetet sot një nga shenjat më të drejtpërdrejta të pretendimit të komunitetit për aksesin në bregdet.

Gjurmët e protestës së qershorit mbeten të dukshme edhe në territorin përreth rrugës që zbret drejt gjirit. Porta që kontrollonte hyrjen u largua nga kompania “Riviera Kakome”, ndërsa gjatë protestës u shembën pjesë të rrethimit dhe u larguan kontejnerët e përdorur nga rojet. Vend-roja dhe ambientet e shërbimit u dëmtuan, duke lënë pas materiale dhe struktura të shkatërruara. Mbetjet e këtyre ndërhyrjeve qëndrojnë mes bimësisë, ndërsa në sfond rruga vazhdon drejt detit. Ato janë sot ndër gjurmët më të dukshme të ndryshimit që pësoi hyrja në Kakome gjatë verës së vitit 2026, pas revoltës që erdhi në vazhdën e lëvizjeve të “Revolucionit të Flamingove”.

Mbi shpatin verior të gjirit ngrihet Manastiri i Shën Mërisë në Kakome, duke i shtuar peizazhit natyror një dimension të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore. Agjencia Kombëtare e Turizmit e daton historinë e kompleksit në shekujt XVI–XVII dhe e përshkruan si një shembull të veçantë të arkitekturës fetare shqiptare. Manastiri është i regjistruar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore si Monument Kulture i Kategorisë I. Në regjistrin zyrtar për Qarkun Vlorë, për monumentin referohen akte të mbrojtjes që nisin nga viti 1963 dhe vijojnë në vitet 1970 e 1973. I rrethuar nga ullinjtë dhe relievi kodrinor, kompleksi mbetet një nga elementet që e dallojnë Kakomenë përtej karakterit të saj bregdetar.

Ndërtesat e nisura vite më parë në kuadër të projektit turistik kanë mbetur të papërfunduara në territorin e Kakomesë. Me kalimin e kohës, strukturat janë amortizuar dhe sot paraqiten si karabina mes bimësisë së dendur. Në hapësirën përreth shihen gjithashtu materiale dhe pajisje të braktisura, mbi të cilat koha ka lënë gjurmët e saj. Pamja e tyre krijon një kontrast të fortë me peizazhin natyror që rrethon Gjirin e Kakomesë. Të mbetura prej vitesh në këtë gjendje, karabinat janë tashmë pjesë e panoramës që ndesh vizitori gjatë rrugëtimit në zonë.

Sot, Gjiri i Kakomesë frekuentohet nga qytetarë, pushues dhe vizitorë që zgjedhin këtë pjesë të bregdetit për qetësinë dhe bukurinë e saj natyrore. Ujërat e kristalta të Jonit, plazhi dhe kodrat që zbresin drejt detit krijojnë një peizazh ku natyra mbetet elementi mbizotërues. Gjatë kësaj vere, bregu është gjallëruar, ndërsa në horizont shfaqen herë pas here varka dhe mjete të tjera lundruese. Përtej historisë dhe gjurmëve që koha ka lënë në territor, Kakomeja vazhdon të tërheqë për atë që e ka dalluar gjithmonë: detin, natyrën dhe peizazhin e saj. Në këtë ndërthurje, gjiri mbetet një prej hapësirave të veçanta të bregdetit jugor shqiptar, tashmë sërish i hapur për ata që duan ta vizitojnë dhe ta përjetojnë nga afër.