Shembjet në emër të përmbytjeve: Banorët padisin IMT-në dhe Bashkinë Durrës
Dy familje, banesat e të cilave u shembën në fund të janarit në zonën e Urës së Dajlanit në Durrës, kanë përgatitur paditë e para kundër Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe bashkisë së qytetit. Me mbështetjen e organizatës “Drejtësi Sociale”, ato do t’i drejtohen Gjykatës Administrative duke kërkuar dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jopasuror.
Zona pranë Urës së Dajlanit ku u prishën banesat. Foto: Media Amfora
Familjet që deri më 26 janar jetonin pranë Urës së Dajlanit në qytetin bregdetar, banesat e të cilave u shembën pasi ndodheshin përgjatë kanalit të ujërave të larta, do të padisin Bashkinë Durrës dhe Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit për prishjet që i konsiderojnë të paligjshme dhe të pa paralajmëruara.
“Banorët janë nxjerrë me forcë nga banesat e tyre dhe janë lënë pa strehë, në kundërshtim me ligjin për strehimin social”, deklaroi të enjten organizata “Drejtësi Sociale”, e cila ka përgatitur padinë.
Sipas organizatës, ndërhyrja është kryer pa respektuar afatin 10-ditor për lirimin e banesave dhe pa garantuar një zgjidhje të qëndrueshme strehimi për familjet e prekura.
“Me këtë padi kërkojmë që gjykata të konstatojë paligjshmërinë e veprimeve të ndërmarra nga institucionet dhe të urdhërojë dëmshpërblimin për dëmin pasuror dhe jopasuror të shkaktuar”, thuhet më tej në reagimin e bërë publik në rrjetet sociale.
Banesat e shembura ndodheshin prej vitesh në proces legalizimi, ndërsa ndërhyrja u krye në kuadër të zgjerimit të kanalit të ujërave të larta në zonën e Urës së Dajlanit.
Padia pritet të depozitohet në ditët në vijim pranë Gjykatës Administrative. Deri më tani ajo është firmosur nga Lumturi Gashi dhe Skënder Dulaj, ndërsa pritet që nismës t’i bashkohen edhe banorë të tjerë të zonës.
Pas ndërhyrjes, familjet e komuniteteve rom dhe egjiptian u gjendën pa strehë dhe deklaruan për Median Amfora se nuk kishin marrë njoftim paraprak për shembjen, duke shtuar se nuk iu ishte lënë në dispozicion afati i plotë për t’u larguar dhe nuk iu ishte ofruar zgjidhje alternative strehimi.
Sipas Bashkisë Durrës, ndërhyrja u krye në kuadër të zgjerimit dhe pastrimit të kanalit të ujërave të larta pranë Urës së Dajlanit, me argumentin se banesat e ndërtuara përgjatë tij pengonin rrjedhën e ujit dhe rrisnin rrezikun e përmbytjeve në zonë.
Deri më tani, Bashkia Durrës dhe IMT nuk kanë reaguar lidhur publikisht në lidhje me paditë e banorëve për paligjshmëri.