Fundviti i ngrohtë në Durrës: Vijon nisma solidare “Dhuro shpresë”

Për të tetin vit radhazi, të rinjtë dhe organizatat në Durrës u bënë bashkë në kuadër të nismës tradicionale “Dhuro shpresë për Vitin e Ri”, duke ofruar ndihmë për familjet dhe personat në nevojë. Të organizuar nga Rotaract Club, Rotary E-Club dhe CSDC Durrës, ata i erdhën në ndihmë 60 familjeve në qytet dhe përreth tij.

Momente gjatë shpërndarjeve në terren. Foto Media Amfora

Në mbyllje të vitit 2025, aktivistë dhe qytetarë në Durrës organizuan një fushatë bamirësie, përmes së cilës u mblodhën donacione që u kthyen në pako ushqimore, veshje, lodra për fëmijë dhe libra, duke sjellë mbështetje konkrete për familjet që përballen me vështirësi sociale dhe ekonomike.

Fokusi i nismës, e cila ndërmerret çdo fundvit, ishte tek familjet në qytet dhe në njësitë administrative përreth. Shpërndarja e ndihmave nisi nga lagjet e Durrësit dhe u shtri në zona si Spitalla, Porto-Romano, Ish-Këneta, Shkozeti dhe Plazhi, duke përfshirë familje në nevojë të kategorive të ndryshme.

“Jemi të lumtur që ne po trashëgojmë një nismë rinore që lindi në Durrës që prej vitit 2018, si një traditë e shëndetshme e kontributit në komunitet dhe përcjelljes së mesazhit për kohezion social”, u shpreh Tedi Qehajaj, presidenti i Rotaract Club Durrës.

Në prag të natës së ndërrimit të viteve, pakot ushqimore, produktet e higjienës dhe frutat u shpërndanë në 60 familje, së bashku me veshje të dhuruara, lodra dhe libra, të siguruara falë kontributit të qytetarëve, organizatave dhe bizneseve lokale.

“Ne i dërgojmë pakot në familjet në nevojë pavarësisht se ku ato gjenden, duke nisur nga qendra e qytetit deri në zonat më periferike, me qëllim mbështetjen edhe të atyre personave që kanë kufizime në lëvizje”, shtoi më tej Qehajaj për Median Amfora.

Nisma u realizua falë bashkëpunimit mes organizatave Rotaract Club Durrës, Rotary E-Club Durrës dhe CSDC Durrës, duke vijuar traditën e nisur 8 vite më parë.