Buxheti 2026: Shpenzime të fryra dhe shtet më i madh
Buxheti i vitit 2026 parashikon rritje të lartë të shpenzimeve publike dhe një rol më të zgjeruar të shtetit në ekonomi, i nxitur nga PPP-të dhe investimet publike, por ngre pikëpyetje serioze mbi qëndrueshmërinë fiskale, produktivitetin dhe ndikimin në sektorin privat.
Pamje e Tiranës. Fotografia është marrë nga Pexels.
Kuvendi ka publikuar relacionin e ligjit për buxhetin e vitit 2026, ku janë evidentuar objektivat dhe prioritetet financiare e ekonomike të qeverisë shqiptare për vitin 2026.
Për projektligjin
Në Nenin 1 të projektligjit sqarohet se buxheti i vitit 2026 projekton 823.57 miliardë lekë të ardhura (rreth 8.23 miliardë euro), 886.764 miliardë lekë shpenzime (rreth 8.86 miliardë euro) dhe një deficit buxhetor prej 63.707 miliardë lekësh (rreth 630 milionë euro). Ky buxhet ka një rritje nga akti normativ i vitit 2025, ku parashikoheshin 770.140 miliardë lekë të ardhura (rreth 7.7 miliardë euro), 831.784 miliardë lekë shpenzime (rreth 8.31 miliardë euro) dhe një deficit buxhetor prej 61.644 miliardë lekësh (rreth 610 milionë euro).

Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, të ardhurat e buxhetuara për vitin 2026 përbëjnë 29.6% të PBB-së, krahasuar me 29.1% vitin e kaluar. Shpenzimet e buxhetuara zënë 31.9% të PBB-së, krahasuar me 31.5% vitin e kaluar. Ndërkaq, deficiti i projektuar sipas buxhetit të vitit 2026 zë 2.3% të PBB-së, duke qëndruar në të njëjtin nivel me vitin e kaluar.

Ky trend rritës vjen në kuadër të një rritjeje të projektuar në buxhet për vitet 2026–2027.

Si në çdo vit, buxheti i vitit 2026 përbëhet nga buxheti i shtetit, ai i qeverisjes vendore, i sigurimeve shoqërore, shëndetësore dhe buxheti për kompensimin e ish-pronarëve. Të ardhurat në buxhetin e shtetit për vitin 2026 projektohen në 581.159 miliardë lekë (rreth 5.81 miliardë euro), ndërkaq shpenzimet në 644.866 miliardë lekë (rreth 6.44 miliardë euro).

Të ardhurat e buxhetit vendor projektohen në 97.767 miliardë lekë (rreth 970 milionë euro), po aq sa shpenzimet. Të ardhurat dhe shpenzimet e projektuara janë të njëjta edhe për kategori si sigurimet shëndetësore, shoqërore dhe për kompensimin e ish-pronarëve, respektivisht 195.292 miliardë lekë (rreth 1.95 miliardë euro), 67.332 miliardë lekë (rreth 670 milionë euro) dhe 3.5 miliardë lekë (rreth 35 milionë euro).
Mbi relacionin
Relacioni shtron situatën ekonomike të Shqipërisë në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe të vështirësive ekonomike globale të lidhura me pandeminë e COVID-19, tërmetin dhe goditjen e zinxhirëve të ofertës nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Sipas relacionit, stabilizimi ekonomik i Shqipërisë do të sjellë edhe uljen e borxhit bruto nga 54.1% e PBB-së në vitin 2025, në 53.6% në vitin 2026, 51% në vitin 2028 dhe 46.4% në vitin 2031.

Projeksionet ekonomike të mazhorancës faktorizojnë edhe rritjen e pensionit minimal në 200 euro dhe atij mesatar në 400 euro, së bashku me rritjen e pagës minimale në 50 mijë lekë, e cila sipas qeverisë pritet të mbërrijë në 60 mijë lekë në vitin 2028.
Një tjetër kategori e madhe shpenzimesh është ajo e investimeve publike, të cilat sipas relacionit do të kapin 6% të PBB-së në vitin 2026. Shpenzimet e buxhetit vendor do të rriten po ashtu, duke mbërritur sipas qeverisë në 3.52% të PBB-së.
Në përputhje me trendin e viteve të kaluara, qeveria parashikon se ekonomia shqiptare do të rritet me 4% të PBB-së në vitin 2026. Kjo shifër paraqet një përmirësim nga viti i kaluar, në të cilin ekonomia shqiptare u rrit me 3.7%.

Relacioni parashikon gjithashtu probleme me fuqinë punëtore vitin që vjen, për shkak të plakjes së popullsisë dhe valëve migratore, të cilat po e lënë Shqipërinë pa punëtorë. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, viti 2026 projektohet muaj pas muaji me një rritje të arkëtimeve nga taksat. Konkretisht, TVSH neto pritet të rritet nga 213.9 miliardë lekë (rreth 2.14 miliardë euro) në 242.5 miliardë lekë (rreth 2.42 miliardë euro).
Tatimi mbi fitimin nga 56.9 miliardë lekë (rreth 569 milionë euro) në 65.1 miliardë lekë (rreth 650 milionë euro); tatimi mbi të ardhurat personale nga 66.1 miliardë lekë (661 milionë euro) në 88.3 miliardë lekë (880 milionë euro). Në total, të ardhurat nga tatimet dhe doganat priten të rriten me 6.3% nga periudha e kaluar.

Shpenzimet publike për vitin 2026 janë parashikuar në 886.7 miliardë lekë (8.86 miliardë euro), ose 31.9% e PBB-së. Nga këto shpenzime, shpenzimet për administratën publike parashikohen të zënë 5% të PBB-së, ato për interesa 2.3% të PBB-së, ndërsa shpenzimet operative dhe të mirëmbajtjes së qeverisjes qendrore 2.9% të PBB-së.
Në total, buxheti vendor pritet të zërë rreth 3.52% të PBB-së, ndërsa skema e sigurimeve shoqërore 7.3% të PBB-së. Skema e sigurimit të kujdesit shëndetësor pritet të përbëjë 2.4% të PBB-së, ndërsa fondi i kompensimit të pronarëve 0.1% të PBB-së.
Rënia e bujqësisë ka sjellë edhe rënien e nevojës për subvencione, të cilat në buxhetin e vitit 2026 përbëjnë vetëm 0.1% të PBB-së. Investimet publike projektohen në nivelin 6.5% të PBB-së, ndërkaq niveli i fondit rezervë planifikohet në 0.1% të PBB-së.

Prioritetet
Buxheti paracakton disa prioritete në fusha si bujqësia, zhvillimi ekonomik, infrastruktura dhe energjia, shëndetësia, mbrojtja sociale, sigurimi shoqëror, arsimi, punësimi, mjedisi, turizmi, kultura, sporti, drejtësia, politika e jashtme, mbrojtja dhe siguria publike.
Në bujqësi shihen si prioritare konsolidimi i pronësisë mbi tokën bujqësore dhe mbështetja për agroindustrinë.
Për zhvillimin ekonomik kërkohet rritja e numrit të bizneseve të regjistruara në Regjistrin Tregtar në 373 mijë në periudhën 2026–2028, si dhe rritja e numrit të licencave të bizneseve në 7,700 për periudhën 2026–2028. Në infrastrukturë veçohen kontratat e koncesioneve për Rrugën e Arbrit, aksin Milot–Morinë, rrugën Orikum–Dukat, si dhe bypass-in e portit të jahteve. Në dokument përmendet edhe rehabilitimi dhe ndërtimi i linjave hekurudhore Durrës–Terminali i Pasagjerëve Tiranë, Tiranë–Rinas, Vorë–Hani i Hotit dhe Durrës–Rrogozhinë.
Në fushën e shëndetësisë, qeveria liston si prioritet mbulimin universal shëndetësor dhe rritjen e financimit shëndetësor bazë për të paktën 50% të shtetasve në moshat 35 deri në 70 vjeç.
Mbrojtja sociale theksohet me prioritete si rritja e numrit të përfituesve të shërbimit social nga 11,000 në 15,000. Po me aq prioritet shihet edhe sigurimi social, dhe në planin e qeverisë flitet për 780 mijë persona që kanë përfituar dhe pritet të përfitojnë pensione publike dhe pensione suplementare.
Në arsimin theksohet plani për mbulimin e shërbimeve të transportit për 35,000 nxënës që e kanë vendbanimin mbi 2 km larg shkollës. Ndërkohë vihet theksi edhe te përmirësimi i kapaciteteve të arsimit profesional.
Në fushën e mjedisit parashikohet rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura deri në fund të vitit 2028, ndërkaq që në fushën e trashëgimisë kulturore parashikohet restaurimi dhe mirëmbajtja e 156 objekteve të trashëgimisë arkitektonike, si dhe rritja e aktiviteteve sensibilizuese dhe edukuese për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Në buxhetin e politikës së jashtme parashikohet rritja e angazhimit të Shqipërisë si anëtare e Bordit Ekzekutiv të UNESCO-s për periudhën 2023–2027 dhe si anëtare e Komisionit për Parandalimin e Krimit dhe Drejtësinë Penale (CCPCJ) për periudhën 2025–2027. Gjithashtu përmendet konsolidimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe vënia në efikasitet e ambasadave të reja në Azerbajxhan, Ukrainë, Kenia dhe Indonezi.
Për buxhetin e mbrojtjes përmenden politikat e nevojshme për lartësimin e figurës dhe integritetit të ushtarakut, nëpërmjet politikave që nxisin promovimin në karrierë dhe trajnimin e ushtarakut.
Ndërkaq, për rendin dhe sigurinë publike, buxheti thekson nevojën për të rritur numrin e operacioneve të kryera, për të ulur numrin e aksidenteve dhe për të forcuar kontrollin e territorit dhe policimin në komunitet.
Klasifikimi i shpenzimeve
Si në çdo buxhet vjetor, bashkitë do të përfitojnë nga transfertat e pakushtëzuara dhe transfertat sektoriale, ose fonde që qeveria qendrore ua transferon bashkive. Tirana mban vendin e parë me rreth 6.5 miliardë lekë (65 milionë euro) të përfituara nga buxheti i shtetit, e ndjekur nga Durrësi, Elbasani, Fieri, Shkodra, Vlora, Kamza, Korça dhe Lushnja. Bashkitë e tjera përfitojnë më pak fonde nga buxheti qendror i vitit që vjen.

Gjithashtu, ministritë përfitojnë nga buxheti i ri i vitit 2026. Ministria e Shëndetësisë do të jetë më e financuara nga buxheti i ri me 78 miliardë lekë (rreth 780 milionë euro), e ndjekur nga Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Turizmit, Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mjedisit.

Vihet re se buxheti i vitit 2026 parashikon shpenzime të mëdha për Partneritete Publike Private (PPP), në shumën e 752 miliardë lekëve (rreth 7.52 miliardë euro), ose 27% të PBB-së së projektuar për vitin 2026 dhe plot 84% të buxhetit të vitit 2026.
Projektet më të mëdha përfshijnë projektimin, financimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Hidrocentralit në Lumin Devoll në shumën e 130 miliardë lekëve (1.3 miliardë euro); ndërtimin, operimin dhe transferimin e hidrocentraleve në Kaskadën e Osumit për rreth 30 miliardë lekë (afro 300 milionë euro); si dhe ndërtimin, pronësinë, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e Hidrocentralit të ri në Ashta për afro 19.5 miliardë lekë (rreth 195 milionë euro).
Vlerësimi i buxhetit
Buxheti parashikon rritjen e shpenzimeve qeveritare në raport me PBB-në dhe buxhetin e shtetit për tendera dhe PPP. Buxheti gjithashtu projekton rritjen artificiale të pagës minimale dhe mesatare, pa ndonjë indikacion konkret nga tregu. Në mënyrë që rritja e pagave të mos prodhojë inflacion dhe humbje të vendeve të punës, tregu duhet të ketë rritur produktivitetin, duke justifikuar edhe rritjen e pagave në sektorin privat. Gjithashtu, buxheti parashikon rritje konstante ekonomike dhe ulje të deficitit buxhetor, pavarësisht projeksioneve për rritje të shpenzimeve qeveritare.
Studimet flasin për një ekonomi shqiptare ku 1/3 e prodhimit është zhvillim dhe aktivitet shtetëror, gjë që nga ana e vet nuk e lejon sipërmarrjen të veprojë lirisht. Analiza e fundit e Fondacionit Heritage foli për Shqipërinë si “pjesërisht e lirë”, vlerësim që reflektohet edhe nga buxheti i fryrë i vitit 2026.