Thethi, pas thirrjes për zhvillim, si shteti u kthye në lehtësues të shkeljeve 

Në zemër të Alpeve Shqiptare, aty ku shteti promovoi turizmin si shpresë zhvillimi, Thethi u kthye në laboratorin më të qartë të dështimit institucional, me ndërtime të nxitura nga politika, të toleruara ndër vite dhe të dënuara vetëm kur peizazhi humbi autenticitetin.

Në korrikun e nxehtë të vitit 2025, në fshatin alpin të Thethit – zemra e Parkut Kombëtar  “Alpet e Shqipërisë” një nga destinacionet më të promovuara të turizmit natyror – buldozerët e Inspektoratit Kombëtar nisën prishjet e dhjetëra ndërtimeve të lejuara ndër vite me heshtje institucionale, duke shënuar kulmin e një zhvillimi të pakontrolluar që sipas eksperteve u ushqye nga vetë politikat shtetërore që e nxitën turizmin, por harruan ta menaxhonin.  

Në vitet që paraprinë prishjet masive Thethi përjetoi një shpërthim të paprecedentë ndërtimesh, që transformuan peizazhin alpin dhe ekonominë e fshatit. 

Aty ku dikur ngriheshin kullat prej guri, filluan të shfaqeshin bujtina moderne, kabina druri dhe struktura turistike të ngritura me nxitim – shpesh pa leje, por me idenë se zhvillimi ishte i mirëpritur. 

Në 2 vite, numri i ndërtimeve në Theth u dyfishua: nga 13 raste në vitin 2022 në 50 deri në gjysmën e parë të vitit 2025.  Për shumë familje vendase, ato godina ishin kursimet e tyre dhe shpresat për të përfituar nga turizmi që vetë shteti e kishte promovuar si rrugë shpëtimi për Alpet.   

Përpara zgjedhjeve të përgjithshme 2025 Kryeministri Edi Rama nga Shkodra prezantoi “Paktën e Maleve”, ku gjatë një takimi në muajin mars ftoi emigrantët të riktheheshin për të investuar, duke e vënë theksin tek zonat me potencial zhvillimi. 

“Është një paketë që adreson ëndrrën edhe dëshirën për t’u kthyer te toka e të parëve qoftë nga qyteti brenda për brenda Shqipërisë në fshat…”, tha ndër të tjera Rama në fjalën e tij. 

Thirrja e Ramës nga Shkodra ndikoi drejtpërdrejt tek disa banorë të Thethit, të cilët nisën të investonin në zonë me shpresën për të përfituar nga politikat e reja për zhvillimin e maleve.

Sipas ekspertëve, ajo që ndodhi në Theth nuk ishte një proces spontan, por pasojë e ndërhyrjes së politikës tek investimet në këtë zonë, rezultat i mënyrës se si vetë shteti ndërtoi politikat turistike atje. 

Kisha e Thethit – simbol i identitetit dhe qëndrueshmërisë kulturore. Foto: Media Amfora

“Zhvillimi në Theth u ushqye nga entuziazmi institucional për promovimin e Alpeve si pol kombëtar turistik, por pa një strategji të qartë menaxhimi që të garantonte ekuilibrin mes mbrojtjes dhe ndërtimit”, tha  Dr. Aida Ciro për Median Amfora. 

Hulumtuese / Eksperte për turizëm të qëndrueshëm Ciro e përshkruan rastin si “një model të përsëritur të zhvillimit të pakontrolluar, ku shteti dërgon sinjale për investime, por nuk vendos kufij të qëndrueshëm për territorin”. 

Kur fadromat zbritën në Theth, shumë prej atyre që kishin investuar aty e gjetën veten përballë një realiteti që nuk e kishin imagjinuar kurrë. Bujtinat që kishin ndërtuar me vite kursimesh, shpesh me kredi apo me ndihmën e të afërmve të kthyer nga emigracioni, u shpallën të paligjshme në kulmin e sezonit turistik. 

Për disa, prishjet ishin faliment ekonomik, për të tjerë – thyerje besimi nga shteti  që i kishte ftuar vetë të zhvillonin turizmin në Alpe. Në heshtjen që la pas zhurma e buldozerëve, Thethi u kthye në një vend ku politika kishte dërguar sinjale të përziera: Një herë si thirrje për ndërtim, e më pas si ndëshkim për të njëjtin akt. 

Sipas ekspertes, ky ishte momenti kur u bë e qartë mungesa e koherencës shtetërore që kishte prodhuar jo vetëm shkelje ligjore, por edhe padrejtësi sociale. 

“Shteti dërgoi sinjale të dyfishta – fillimisht inkurajoi zhvillimin, pastaj e ndëshkoi atë pa një proces të drejtë ligjor”, theksoi Ciro, duke nënvizuar se pasojat më të rënda i ndjenë vetë banorët që vepruan në mirëbesim ndaj politikave publike. 

Zinxhiri institucional që nuk funksionoi

Sipas institucioneve vendore rritja e ndërtimeve në Theth ishte e qëndrueshme dhe e pandalshme gjatë katër viteve të fundit. Bashkia Shkodër ka evidentuar evidentuar raste në rritje ndërtimesh pa leje, por shumë prej tyre nuk janë prekur për shkak të “mungesës së logjistikës specifike” dhe “vështirësive të terrenit malor”. 

Në përgjigjen zyrtare për Median Amfora, Bashkia theksoi se “për vitin 2022 janë konstatuar 13 raste ndërtimesh të kundraligjshme; për vitin 2023, 26 raste; për vitin 2024, 16 raste; dhe për vitin 2025, deri më 12 korrik, 50 raste ndërtimesh të paligjshme. Për të gjitha janë ndjekur procedurat ligjore dhe janë marrë masa administrative, por për mungesë të logjistikës specifike nuk janë realizuar aksionet e prishjes”.   

Grafikë me rastet e ndërtimeve të paligjshme në Theth. Përpunoi: Media Amfora

Megjithatë, ndërsa Bashkia Shkodër justifikon mospërmbushjen e prishjeve me mungesë logjistike, institucioni që duhet të kishte garantuar ruajtjen dhe kontrollin e territorit në Theth Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura (AdZM) Shkodër, pranon se parku nuk ka plan menaxhimi.

Në përgjigjen për Median Amfora, AdZM sqaron se Thethi është pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, por “kontrolli dhe monitorimi i territorit bëhet përmes patrullimeve të stafit në terren dhe raporteve periodike për shkelje të mundshme”, ndërsa shton se “kapacitetet njerëzore dhe logjistike janë të kufizuara”. 

Ky boshllëk institucional ka bërë që ndërhyrjet e paligjshme të ndodhin në mënyrë të përsëritur, shpesh për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit të banorëve dhe presionit të lartë turistik që ka përfshirë zonën.  

Të dhënat e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër tregojnë se problematika e ndërtimeve pa leje në Theth është ndjekur prej të paktën pesë vitesh, por pa rezultate të dukshme në terren. 

Që prej vitit 2020 procedimet penale për ndërtim të paligjshëm në zonë janë shtuar vit pas viti, por pa arritur të ndalin trendin e ndërhyrjeve. 

Vetëm në periudhën 2020 – 2025, janë regjistruar 76 procedime penale që lidhen drejtpërdrejt me ndërtimet në zonë, prej të cilave një pjesë janë gjykuar, por shumica mbeten në fazë hetimi ose verifikimi paraprak.

Për vitin 2025, kur nisi edhe vala e prishjeve, 26 procedime për ndërtim të paligjshëm ishin ende në hetim, ndërsa dy raste  ishin pushuar për mungesë prove.

Kjo tablo tregon një sistem ndjekjeje ligjore të ngadalshëm dhe të fragmentuar, ku hetimet nuk arritën të parandalojnë ndërtimet, por thjesht i pasuan ato – duke reflektuar më shumë një reagim pas fakti sesa një kontroll të mirëfilltë mbi territorin.

Nga ana tjetër Gjykata e Shkodrës si hallka e fundit e sistemit të drejtësisë nuk mundi t‘i identifikojë rastet sipas zonave të qarkut që mbulon. Nga të dhënat zyrtare rezulton se në periudhën 2019 – qershor 2025 janë dhënë mbi 620 vendime, prej të cilave rreth 97% kanë përfunduar me dënim, por pa i specifikuar. 

“Autoriteti Publik – Gjykata nuk disponon të dhëna të përpunuara mbi vendndodhjen e objekteve të ndërtuara në mënyrë të paligjshme (siç është zona e Thethit), pasi ky informacion nuk pasqyrohet në regjistrat gjyqësorë”,  thuhet në përgjigjen zyrtare për Median Amfora. 

Kjo do të thotë se, edhe pse vendimet ekzistojnë në letër, nuk është e mundur të përcaktohet se sa prej tyre lidhen realisht me Thethin –  një tjetër boshllëk institucional që e bën të vështirë të matet ndikimi i drejtësisë në territor. 

Mungesa e kontrollit në Theth nuk kufizohej vetëm në aspektin mjedisor, por shtrihej edhe  mbi trashëgiminë kulturore të zonës. Në përgjigjen për Median Amfora, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK)  deklaroi se “nuk ka pasur asnjë kërkesë për restaurimin e objekteve me status monument kulture nga zona e Thethit në pesë vitet e fundit”. 

IKTK konfirmon gjithashtu se në Theth ndodhen katër objekte me status monument kulture – ndër to banesat karakteristike dhe kullat historike – por asnjë prej tyre nuk ka kaluar në proces restaurimi gjatë viteve të fundit. 

Në praktikë, kjo do të thotë se ndërsa peizazhi kulturor ndryshonte përmes ndërtimeve të reja, vetë trashëgimia e mbrojtur mbeti pa kujdes institucional. 

Strategjitë e zhvillimit që u përplasën me realitetin

Edhe pse dokumentet strategjike të shtetit parashikonin një zhvillim të qëndrueshëm në Alpet Shqiptare, realiteti në Theth ndoqi një rrugë krejt tjetër. 

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024 – 2030 dhe Plani Kombëtar Sektorial për Alpet e Shqipërisë e dentifikojnë këtë zonë si një nga polet kryesorë të turizmit natyror dhe kulturor, ku çdo ndërhyrje duhej të ishte minimale, tradicionale dhe e kontrolluar. 

“Thethi duhet të zhvillohet në përputhje me karakterin historik, përmasat tradicionale dhe ruajtjen e peizazhit kulturor e natyror”,  thekson PKST Alpe, duke paralajmëruar se rritja e ndërtimit të pakontrolluar “rrezikon integritetin ekologjik dhe vlerat e mbrojtura të parkut”.

Por në mungesë të mbikëqyrjes dhe zbatimit, këto parime mbetën vetëm në letër. Në terren, ndërtimet u shtuan pa standarde të qarta dhe përmasat e tyre tejkaluan kapacitetin mbajtës të parkut, duke e kthyer Thethin nga një model zhvillimi të qëndrueshëm në një zonë të mbingarkuar turistikisht.  

Pas prishjeve – gjurmët e ndërtimeve të paligjshme në Theth. Foto: Media Amfora

Megjithëse ligji përcakton se administrimi i zonave të mbrojtura është përgjegjësi e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura  (AKZ) dhe strukturave të saj rajonale, në praktikë, Parku Kombëtar “Alpet e Shqipërisë”, që përfshin edhe Thethin, funksionon ende pa një plan menaxhimi. Kjo do të thotë se prej vitesh, ndërhyrjet janë bërë në mungesë të një udhëzimi të përbashkët për ruajtjen e ekuilibrit mes zhvillimit dhe mbrojtjes së mjedisit.

Në përgjigjen për Median Amfora, AKZM pranon se kontrolli i territorit në Theth kryhet “përmes patrullimeve të stafit dhe raporteve periodike për shkelje të mundshme”, duke theksuar se “kapacitetet njerëzore dhe logjistike janë të kufizuara”.    

Në praktikë, menaxhimi i Thethit si pjesë e Parkut Kombëtar “Alpet e Shqipërisë” ka mbetur në vakum institucional. Vetë Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) pranon se parku “aktualisht nuk ka një plan menaxhimi”, edhe pse ky i fundit është dokumenti bazë që përcakton se si duhet të ndërthuren zhvillimi turistik dhe ruajtja e ekosistemit. Në mungesë të këtij udhëzuesi, kontrolli i territorit është bërë përmes patrullimeve të stafit lokal dhe raporteve periodike, por me “kapacitete njerëzore dhe logjistike të kufizuara”, siç thekson vetë institucioni në përgjigjen për Median Amfora.

Ky boshllëk ka krijuar një situatë ku ligji ekziston, por zbatimi është i pjesshëm. Në terren, ndërhyrjet ndodhin më shpejt sesa reagimet institucionale, ndërsa koordinimi mes strukturave është i dobët. AKZM shpjegon se bashkëpunimi me Policinë, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit dhe Prokurorinë zhvillohet “në kuadër të detyrave të ruajtjes së rendit dhe kontrollit të territorit”, por pranon se sfidat kryesore lidhen me presionin turistik dhe me mungesën e ndërgjegjësimit të komunitetit.

“Administrimi dhe ruajtja efektive e zonave të mbrojtura në Shqipëri paraqet sfida të vazhdueshme, që lidhen me zhvillimet e pakontrolluara dhe kapacitetet e kufizuara të administratës në terren”,  thuhet në përgjigjen zyrtare të AKZM-së.

Për Dr. Aida Ciro, ky është një shembull klasik i një menaxhimi që nuk arrin të përballojë vrullin e zhvillimit: “Kur politika nxit turizmin pa i paraprirë me plane menaxhimi, rezultati është përplasje mes ligjit dhe interesit ekonomik”, u shpreh ajo.  Sipas saj, “mungesa e planit të menaxhimit në një zonë me fluks kaq të lartë tregon se shteti ka vepruar me sy mbyllur përballë zhvillimit që vetë e inkurajoi”. 

Në këtë boshllëk, roli i komuniteteve lokale është kthyer në një element simbolik. AKZM e pranon se banorët shpesh veprojnë si “roje informale” të parkut, duke sinjalizuar shkelje ose ndërhyrje të paligjshme, por kjo ndodh më shumë përmes vullnetit individual sesa përmes një strukture të organizuar. “Në shumë raste, ndërhyrjet e paligjshme ndodhin për shkak të mungesës së informacionit apo kulturës mjedisore”,  sqaron institucioni, duke theksuar nevojën për forcimin e edukimit dhe ndërgjegjësimit komunitar.

Sipas Ciros, ky është një nga dështimet më të dukshme të menaxhimit publik në zona të ndjeshme: “Banorët janë përfshirë vetëm si përfitues ekonomikë, jo si partnerë në vendimmarrje. Kur një komunitet nuk e di ku fillon zona e mbrojtur dhe çfarë lejohet brenda saj, atëherë shteti ka dështuar në rolin e tij themelor – informimin”, shpjegoi ajo. 

Në thelb, Thethi është bërë shembulli më i qartë se si një park kombëtar mund të degradojë nën peshën e politikave të papërfunduara dhe mungesës së koordinimit, duke treguar se mbrojtja e territorit nuk mund të bazohet vetëm në ligje, por kërkon prani të vazhdueshme, plan dhe përgjegjësi të ndarë qartë. Në një vend ku strategjitë ekzistojnë në dokumente, por jo në praktikë, Alpet shqiptare – me Thethin në qendër – po tregojnë se zhvillimi pa kontroll është po aq shkatërrues sa mungesa e zhvillimit vetë.