“Mëma e të gjitha gjuhëve”, shqipja midis romantizmit digjital dhe shkencës

Shqipja si “mëma e të gjitha gjuhëve” është një mit që vijon të keqpërdoret në rrjetet sociale, pretendime që janë antishkencore dhe krijojnë konfuzion tek publiku. Ndonëse e vonuar në dokumentimin e saj të shkruar, ajo dhe asnjë gjuhë nuk mund të jetë burimi i drejtpërdrejtë i të gjitha të tjerave.

Muzeu Kombëtar i Arsimit, foto ilustruese nga "Facebook"

“Gjuha e lashtë shqipe është çelësi i të gjitha mitologjive që nga krijimi i njerëzimit në tokat pellazge.…”, shkruhej në një postim në rrjetin social Facebook të vetëm pak ditëve më parë. 

Ky është vetëm një shembull mes qindra të tjerëve që qarkullojnë çdo ditë në hapësirat digjitale, duke e vënë theksin tek lashtësia dhe vlerat mitike të gjuhës shqipe. Në këto narrativa shqipja shpesh paraqitet si “mëma e të gjitha gjuhëve”. Por sipas ekspertëve të gjuhësisë, ky pretendim nuk mbështetet në asnjë provë shkencore dhe përbën një keqinterpretim që më shumë ushqen mitologji kombëtare sesa dije shkencore. 

“Është antishkencore të pohohet që shqipja është ‘nëna e gjuhëve të tjera’. Për asnjë gjuhë në botë nuk mund të themi se është ‘nëna e të tjerave’”, shpjegoi Prof. Dr. Mimoza Kore.

“Shqipja është gjuha më e vjetër në botë”, ky është një tjetër prej postimeve që qarkullojnë shpesh në platformat sociale, duke u shpërndarë masivisht pa filtra dhe pa verifikime. Sipas ekspertëve mesazhe të tilla janë të dëmshme, pasi spekulojnë me ndjenjat patriotike dhe shfrytëzohen për të ushqyer një krenari të verbër, sidomos tek publiku më pak i informuar.

“Këto narrativa përforcohen nga individë që nuk kanë lidhje me gjuhësinë dhe as formim shkencor në këtë fushë. Ata manipulojnë ndjenjën kombëtare, duke ushqyer interpretime të pasakta”, shpjegoi pedagogia Kore, nga Departamenti i Gjuhësisë në Universitetin e Tiranës. Sipas saj, kjo është një dukuri tipike e shoqërive ku identiteti kombëtar shpesh përkëdhelet përmes miteve dhe jo përmes fakteve.

E njëjta logjikë vlen edhe për gjuhët me ndikim të gjarë kulturor, si greqishtja e vjetër, sanskritishtja apo latinishtja – që i kanë dhënë shkencës botërore një trashëgimi të pasur – nuk mund të quhen “nëna e gjuhëve të tjera”. 

Pretendimet e tilla për lashtësinë e shqipes për ekspertët cilësohen si të pabazuara shkencërisht. Por gjuha shqipe ka historikun e saj të dokumentuar dhe çdo pretendim tjetër mbi lashtësinë e saj bie poshtë.  

“Në të vërtetë, shqipja është një gjuhë e dokumentuar vonë me shkrim, megjithëse bën pjesë në degët më të vjetra të familjes indoevropiane”, tha Kore për Amforën.  

Pushtimet e shpeshta dhe mungesa e një tradite të konsoliduar shkrimi kanë vonuar dokumentimin e saj të hershëm. Teksti i parë i njohur është “Formula e Pagëzimit”, e vitit 1462, e lidhur me Kuvendin e Matit. Ky dokument i rëndësishëm për historinë e shqipes u zbulua në Bibliotekën Laurentiana të Firences, nga historiani rumun Nicolae Iorga dhe u botua në vitin 1915 në veprën e tij, “Notes et extraits pour servir à l’histoire des Croisades au XV siècle”.  

Gjuha shqipe rrjedh prej familjes indoevropiane dhe sipas ekspertëve është familja më e studiuar e gjuhëve deri më sot.

“Në të ajo nuk ka lidhje të ngushtë me asnjë nga gjuhët e kësaj familjeje, por në disa tipare fonetike të saj afrohet me gjuhët e Veriut të kësaj familjeje, si gjuhët gjermanike e balto-sllave, e në Lindje me armenishten e gjuhët indo-iranike”, theksoi Kore. 

Shqipja duket se rrjedh në mënyrë të pandërprerë nga një prej gjuhëve të Ballaknit antik. Në gjysmën e shekullit XIX lindi problemi i origjinës së gjuhës shqipe, që përkon me kohën kur lindi gjuhësia historiko-krahasuese. 

“Ky problem nuk ishte thjesht gjuhësor sepse prejardhja e një gjuhe është e lidhur drejtpërdrejt me prejardhjen e popullit që e flet dhe vendin e formimit të tij, prandaj është edhe problem historik, arkeologjik, antropologjik, gjenetik, një problem ndërdisiplinor”, theksoi Kore. 

Ekspertët nga ana tjetër nuk shohin asnjë lidhje mes gjuhës shqipe dhe të ashtuquajturës pellazgjishte.

“Nuk ka asnjë lidhje midis shqipes dhe të ashtuquajturës pellazgjishte. Shqipja është një gjuhë indoevropiane dhe lidhet më shumë me gjuhët e veriut të Evropës”, shtoi Kore, nga Departamenti i Gjuhësisë.

Nga ana tjetër shqipja është po aq e vjetër sa edhe gjuhët e tjera të familjes indoevropiane, ndërsa termi “i lashtë” mbetet relativ. 

“Zakonisht kjo lidhet me faktorë gjeografikë dhe historikë. Për shembull, shqipja është më e lashtë se sllavishtja në Ballkan sepse kur popullsitë sllave mbërritën në shekujt VII-IX, ata gjetën shqiptarët me gjuhën e tyre tashmë të formuar”, shtjelloi më tej Prof. Dr. Mimoza Kore.

Sipas gjuhëtarëve nuk është e mundur të përcaktohet “ditëlindja” e saktë e një gjuhe. Shkencëtarë të fushave të ndryshme, gjuhëtarë, historianë dhe gjenetistë përpiqen të përcaktojnë momentin kur një gjuhë është shkëputur nga trungu indoevropian.

Kore sjell në vëmendje edhe një artikull të revistës “Science”, i cili bëri bujë në botën shkencore. “Në atë studim përmendej se shqipja, greqishtja dhe armenishtja janë shkëputur nga protoindoevropianishtja rreth 6000 vjet më parë, ndërsa gjuhët gjermanike rreth 5000 vjet më parë. Por kjo nuk do të thotë se shqipja është më e hershme se gjuhët e tjera sepse të gjitha këto ndarje janë relative”, theksoi ajo.

Debatet për lashtësinë e shqipes mbeten të përditshme, por sipas ekspertëve, është e rëndësishme të kuptohet se të gjitha gjuhët indoevropiane e kanë fillesën tek protoindoevropianishtja, një gjuhë e përbashkët që mendohet të jetë formuar rreth 8000-9000 vite më parë.

Në të përditshmen kur debatet shkencore rreth fakteve historike dhe shkencore për vlerat e një gjuhe mungojnë, vëmendje marrin postimet në hapësirat digjitale, ku mitet pushtojnë hapësirat në rrjetet sociale dhe flasin për origjinën e shqipes larg fakteve historike.

Nga kërkimet e hapura që Amfora bëri në rrjetet sociale, kryesisht në “Facebook”, rezultoi se mes qindra postimeve, shpërndarjeve dhe komenteve rreth teorive të lashtësisë së shqipes, lidhjes së saj me pellazgjishten, pak prej tyre i referohen drejtpërdrejtë teorive apo studimeve nga ekspertët e fushës. Ndërsa miti i “shqipes së lashtë” sipas ekspertëve i ka rrënjët më të thella në histori. 

“Miti i gjuhës së ‘lashtë’, u përhap nga ideologët e Rilindjes sonë, e më tepër nga arbëreshët”, theksoi Kore. Por në atë periudhë kohore gjithçka u përhap me një qëllim të qartë dhe në shërbim të kombit për rrethanat historike ku gjendej.

“Kjo u bë me një qëllim të caktuar, për të bashkuar njerëzit, për t’i bërë krenarë shqiptarët për rrënjët e tyre sepse ishte koha kur po krijoheshin shtetet në Ballkan, e duhej të bëhej sa më tepër dallimi me të tjerët, e kjo jo mbi baza fetare, por kombëtare”, theksoi ajo.   

Aktualisht miti i shqipes si “më e lashta në botë” apo si “gjuhë hyjnore”, vazhdon të qarkullojë çdo ditë, duke errësuar shpesh faktet shkencore, në një seri postimesh digjitale që i tejkalojnë faktet akademike.