Shumë drejtorë të vegjël dhe një problem i madh

Kryeministri Rama po tenton të pastrojë administratën me një aksion pa bazë ligjore, duke shkelur autonominë vendore dhe duke krijuar presion politik mbi drejtorët që janë shtylla të strukturave elektorale. Kjo lëvizje jo vetëm që rrezikon stabilitetin politik dhe besimin qytetar, por nxjerr në pah një problem edhe më të madh, arrogancën dhe kapjen totale të pushtetit vendor nga kryeministri.

Foto ilustruese e Bashkisë Durrës. Foto Media Amfora

Prej disa javësh qytetarëve shqiptarë i është komunikuar nga kryeministri Edi Rama se administrata shtetërore do t’i nënshtrohet një reformimi të thellë. I kapur ndoshta nga entuziazmi i rezultatit zgjedhor, kryeministri me siguri është duke menduar se përmes këtij veprimi po fiton kredite politike në një popull që urrejtjen për admininstratën e ka pothuajse gjenetike. Është në fakt e përhapur masivisht ideja mes nesh se administrata dhe në veçanti drejtorët, janë një klasë parazitare që jeton në luksinë e siguruar nga korrupsioni. Ashtu siç kanë dëshmuar dhjetëra hetime të SPAK-ut, një gjë e tillë është me siguri e vërtetë për një shumicë të tyre. 

Kryeministri, i cili kishte plot 12 vite kohë për të ndaluar apo parandaluar drejtorët e paaftë apo të korruptuar që të bëheshin pjesë e skuadrës së tij, duket se javët e fundit po nxiton të “pastrojë” administratën përmes një aksioni i cili nuk qëndron i mbështetur në asnjë ligj apo logjikë politike dhe morale. Për shembull, shumica e drejtorëve për të cilët kryeministri ka kërkuar dorëheqjen, gëzojnë statusin e nënpunësit civil. Në ligjin për ta, është shumë mirë e përcaktuar se kur një drejtor shkarkohet nga detyra. Nuk ekziston asnjë pikë e këtij ligji që të shtrëngojë drejtorët për të dhënë dorëheqjen në mënyrë të pa justifikuar, apo vetëm se një gjë të tillë e kërkon kryeministri. Ky i fundit, mbajtës i një pushteti tjetër, i cili është i ndarë me ligj dhe me Kushtetutë nga pushteti vendor. 

Dikush mund të kundërshtojë duke thënë se Rama nuk urdhëroi asnjë dorëheqje, por ai e kërkoi një të tillë në shenjë repekti për pakënaqësinë qytetare, duke i lënë sidoqoftë njëfarë lirie drejtorëve që të mos e ofrojnë dorëheqjen e tyre. Por edhe ky është një pikëvështrim i gabuar, pasi një gjë e tillë shkel autonominë vendore, ushtron presion të paligjshëm mbi administratën, ndërton një precedent të rrezikshëm politik, krijon klimë negative brenda strukturave të pushtetit dhe mbi të gjitha ndërton modelin e një shteti diktatorial, ku ndarja e pushteteve nuk respektohet dhe ku “Maliqi”, është më i fortë se “Ligji”. Një vend demokratik nuk mund të qeveriset me entuziazmin e paqëndrueshëm të fitimtarit. Ai duhet të mësohet të respektojë mbi të gjitha kufijtë që i ka përcaktuar ligji.

Megjithatë ky nuk është problemi i vetëm që kryeministri po krijon. Ai gjithashtu është duke krijuar një “hiatus” politik të jashtëzakonshëm, pasi në strukturën e Partisë Socialiste, figura e drejtorit ka një rol themelor. Përkundrejt përgënjeshtrimeve të vazhdueshme që vijnë nga partia, drejtorët gjatë fushatës konvertohen “de facto” në drejtues politik të zonave të mëdha elektorale. Ata janë financuesit, organizatorët, ekzekutuesit dhe finalizuesit real të të gjithë strategjisë elektorale në bazë. Kur Rama lavdëron partinë, pavarësisht se nuk do ta pranojë kurrë një gjë të tillë, ai në fakt është duke lavdëruar drejtorët. Shkarkimi i tyre në bllok ka krijuar (ose do të krijojë) një krizë të madhe në disa qarqe të vendit. Drejtori është hallka që lidh votuesin me strukturën politike. Këputja e kësaj hallke do të dobësojë zinxhirin e pushtetit politik. Shpresa se kjo hallkë do të rivitalizohet përmes prurjeve të reja është naive dhe joreale, që sidoqoftë do t’i kushtojë partisë shumë në terma të konflikteve të brendshme. Megjithëse nuk u ndje në rezultatin final, konflikti me drejtorët e Bashkisë Tiranë i kushtoi Ramës dhe PS-së këtë vit plot 19.000 vota më pak. A e ka Rama luksin t’i humbasi ato vota në zgjedhjet lokale të vitit 2027?!

Nga problemi politik sidoqoftë del edhe një problem moral. Në Durrës “super drejtorët”, si për shembull ai i OSSHE-së, Kadastrës apo i Ujësjellësit, kanë qenë ata që kanë mbajtur peshën elektorale të fitores. Mjafton këtu të shohësh fotot e shtabeve, takimeve elektorale dhe ZAZ-ve për të mos pasur dyshime. Nëse ata sollën në shtëpi këtë rezultat, kjo do të thotë se qytetarët i kanë pëlqyer, mbështetur, votuar. Kjo do të thotë se Rama sot qëndron në një fron i cili është ngritur mbi shpatullat e atyre drejtorëve që ai kërkon t’i heqi. A është kjo normale dhe e mirë?!  Po e ndalojmë këtu analizën tonë morale të kësaj manovre vere, pasi një thellim i mëtejshëm i saj do të na detyrojë të futemi në përkufizime psikopatologjike, të cilat në vetvete mbartin përgjegjësi të rënda penale.

Mund të shkruheshin shumë gjëra në fakt në lidhje me çfarë po ndodh së fundmi në Shqipëri, por në thelb ato lidhen bashkë nga një fije e vetme dhe nuk ka asnjë lidhje me dëshirën e shpallur të kryeministrit për të qeverisë më mirë. Aftësinë dhe dëshirën e tij për të qeverisur mirë (apo më mirë!) kemi 12 vite që e provojmë në kurriz. Problemi i vërtetë i Shqipërisë është dëshira e pashpallur e kryeministrit për të qenë “Zoti” i gjithëpushtetshëm i saj. Egocentrizmi, arroganca dhe cinizmi do të përkeqësohen me kohën, duke i rrezikuar atij gjykimin dhe qytetarëve mirëqenien. Kjo ka ndodhur me të gjithë ata që janë ulur për shumë kohë në karrigen e pushtetit.

Nuk janë pra problemi i Shqipërisë sot drejtorët e vegjël të administratës publike – Problemi i madh sot është ego gjigande që ne vetë e kemi ushqyer tek kryeministri ynë. Pushteti i tij duhet të kufizohet dhe paradoksalisht sot këtë pushtet mund ta kufizojnë vetëm drejtorët. Ata do t’i bënin sot shërbimin më të madh vendit, demokracisë, vetes dhe Ramës, nëse nuk e japin dorëheqjen. Nga dinjiteti nuk dorëhiqesh dot!