Turizmi i munguar në Durrës: Si po zbehet pasuria mijëravjeçare

Përkundër pasurisë arkeologjike dhe historike, qyteti i lashtë bregdetar i Durrësit vazhdon të mbetet jashtë hartës së mirëfilltë të turizmit kulturor shqiptar, duke zbehur pritshmëritë për vizitorë të qëndrueshëm dhe cilësor.

Vizitorë në Forumin Rrethor në Durrës. Foto Media Amfora

Nga viti në vit, Shqipëria po shënon rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj. Nën këtë zhvillim pozitiv, pjesën më të madhe e përbën turizmi bregdetar, falë bukurive natyrore të Adriatikut e Jonit dhe rritjes së infrastrukturës hoteliere. 

Por për një destinacion që synon të bëhet konkurrues në tregun ndërkombëtar, vetëm deti nuk mjafton. Turizmi bregdetar, i ndikuar edhe nga sezonaliteti, nuk mund të jetë i vetmi atraksion që ofron vendi ynë. Për të siguruar një përvojë më të pasur, për të tërhequr turistë të huaj gjatë gjithë vitit dhe për të krijuar një arsye reale për rikthimin e tyre, Shqipëria ka nevojë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe të mirëmenaxhuar të turizmit kulturor. 

Ky lloj turizmi, që bazohet në trashëgiminë historike dhe arkeologjike të vendit, përbën një aset të jashtëzakonshëm që nuk është shfrytëzuar ende në potencialin e tij të plotë. Turistët kërkojnë më shumë: Përjetime autentike, njohje me kulturën vendase dhe mbi të gjitha, histori.

Në këtë pikë, Durrësi ka një avantazh unik – një qytet me histori mijëravjeçare, që nga periudha ilire, romake, bizantine, osmane, e deri në kohët moderne. Megjithatë, përkundër kësaj pasurie të jashtëzakonshme, oferta kulturore që u ofrohet vizitorëve sot në Durrës mbetet zhgënjyese dhe larg standardeve minimale të turizmit kulturor.

Monumente të mëdha, përvoja minimale

Aktualisht vizitorët mund të eksplorojnë lirshëm disa segmente të mureve antike të fortifikimeve të antitetit të vonë dhe mesjetar, kryesisht në linjën jugperëndimore të qytetit. Një shëtitje pranë tyre zgjat jo më shumë se 10 minuta edhe pse monumentet përfaqësojnë një rëndësi historike të madhe, mungesa e informacionit shpjegues dhe mungesa e guidave e bën përvojën të thatë dhe të pakuptimtë për shumicën e vizitorëve. 

Fillimi i shëtitjes zakonisht bëhet nga “Torra Veneciane”, e restauruar së fundmi me një investim të konsiderueshëm, por që për fat të keq nuk ofron pothuajse asgjë përveç një hapësire bosh, me disa riprodhime digjitale monumentesh që pretendohet se janë zbuluar në Durrës, por që nuk kanë asnjë lidhje reale me qytetin apo me trashëgiminë e tij.

Më tej, një nga pikat më të rëndësishme arkeologjike të vendit është Amfiteatri i Durrësit, ndër shembujt më të mëdhenj të periudhës romake në Ballkan. Por edhe këtu përvoja mbetet e fragmentuar dhe sipërfaqësore. Pas prerjes së biletës, vizitori futet në një hapësirë të madhe, pa shpjegime, pa sinjalistikë të brendshme, pa tabela të detajuara dhe më e rëndësishmja, pa një guidë nga ana e Qendrës Muzeore Durrës (QMD), që të ndihmojë të kuptosh madhështinë dhe funksionin e dikurshëm të këtij objekti. Kjo vizitë e vetmuar zakonisht zgjat jo më shumë se 20 minuta.

Pas amfiteatrit, vizitori mund të drejtohet ose nga Forumi Bizantin ose nga Hamami i Periudhës Osmane. Hamami, i cili është restauruar gjithashtu, përbëhet nga 2-3 dhoma që mund të vizitohen shpejt e shpejt, por edhe këtu mungojnë informacionet për kohën e ndërtimit, funksionin, strukturën apo historinë. Ndërkohë, forumi i Antikitetit të Vonë, një shesh i hapur me një rëndësi të jashtëzakonshme për qytetërimin e lashtë, mund të shihet vetëm nga trotuari. Një tabelë informative e shkurtër është e vetmja përpjekje për të ofruar ndonjë kontekst për vizitorin. Territori është lënë në mëshirë të fatit, ku e vetmja ndërhyrje e realizuar nga QMD-ja është ndonjë korrje bari herë pas here, por jo aq sa mos të të lejë përshtypjen e një are për të kullotur bagëtitë.

Jo shumë larg prej andej, gjenden Termat Publike Romake, të cilat ndodhen nën ndërtesën e Teatrit “Aleksandër Moisiu”. Fatkeqësisht, ndërsa ky i fundit është në proces rikonstruksioni, strukturat antike janë të ekspozuara ndaj dëmtimeve, pasi janë mbuluar nga skela ndërtimi dhe shfrytëzohen për qëllime të papërshtatshme, personale, nga punëtorët. Kjo tregon një mungesë të plotë të menaxhimit profesional të trashëgimisë kulturore.

Pa muze, pa orientim, pa vizion

Një nga problemet më alarmante është se qyteti i Durrësit aktualisht, nuk ka asnjë muze të hapur dhe në funksion. Kjo mungesë krijon një boshllëk të madh informativ dhe edukativ, duke mos u ofruar vizitorëve një hapësirë ku të njihen në mënyrë të plotë me historinë e qytetit dhe të rajonit. 

Muzeu Arkeologjik Durrës është mbyllur për rikonstruksion prej vitesh, pa një datë të qartë rihapjeje, ndërsa Qendra Muzeore Durrës, institucioni përgjegjës për administrimin e trashëgimisë, si rrjedhojë e këtyre politikave për kulturënduket se është kthyer në pasiv dhe i distancuar nga realiteti në terren. Nën këtë frymë të autoriteteve të kulturës edhe Qendra Muzeore Durrës duket të ketë në fokus raportimet mujore mbi biletat e shitura (rezultat ky jo nga aktiviteti i tyre, por si pasojë e punës së operatorëve turistikë), jo përmirësimi i përvojës së vizitorëve apo mbrojtja aktive e monumenteve.

Në fakt, janë operatorët turistikë dhe guidat private që me përpjekje individuale, mundohen të mbajnë të gjallë interesin për Durrësin, ndërsa institucionet publike duket sikur kanë hequr dorë nga kjo betejë.

Një thirrje për veprim

Në total, një vizitor mund të përfundojë të gjithë itinerarin kulturor të qytetit për më pak se 30 minuta, kohë e pamjaftueshme edhe për ta bindur të ndalet më së paku për një drekë në qytet. Në një kohë kur shumë vende investojnë fuqishëm për të kthyer trashëgiminë në aset ekonomik dhe identitar, turizmi kulturor në Durrës ndodhet në një gjendje të papranueshme.

Turizmi kulturor nuk është një luks, por një nevojë për çdo vend që aspiron të ndërtojë një imazh serioz në sytë e botës. Durrësi e ka potencialin për të qenë një nga qytetet më të rëndësishëm kulturor në Mesdhe. Por ky potencial nuk mjafton, duhet vullnet, investim dhe mbi të gjitha, vizion. Elemente këto që qartësisht i mungojnë institucionit që duhej t’i plotësonte në formën e duhur, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe në rastin e Durrësit, institucioneve të saj të varësisë.

Redaksia - Amfora.al

Amfora.al është një media online kushtuar arkeologjisë dhe monumenteve të kulturës në Shqipëri, me fokus në qytetin e Durrësit. Ne synojnë informimin e qytetarëve për zhvillimet mbi arkeologjinë dhe monumentet e kulturës. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e redaksisë së Medias Amfora.

Lajme të ngjashme


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *