Mos zbardhja e vendimit për Aeroportin e Vlorës, aktivistët protestojnë para Gjykatës së Lartë
Aktivistë dhe qytetarë protestuan përpara Gjykatës së Lartë, një vit pasi ajo vendosi që çështja e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Apelit. Mos zbardhja e vendimit prej saj ka penguar aktivistët që ta adresojnë ligjërisht, teksa punimet e aeroportit po shkojnë drejt fundit.

Foto ilustruese nga Gjykata e Lartë. Foto: Media Amfora
Teksa sipas paralajmërimeve të kryeministrit Edi Rama më 8 Maj pritet të realizohet fluturimi testues në Aeroportin e Vlorës, aktivistë dhe qytetarë kanë protestuar të mërkurën për zvarritjen e çështjes së aeroportit që sipas tyre po mbetet peng i drejtësisë.
Aktivistë nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), dhe Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS), qytetarët të Vlorës akuzuan autoritetet shtetërore dhe gjykatat për zvarritjen e kësaj çështjeje me rëndësi kombëtare.
“Ka kaluar më shumë se një vit që kur Gjykata e Lartë vendosi që çështja e ndërtimit të aeroportit të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Apelit. Por arsyetimi i këtij vendimi ende nuk është bërë publik, duke bllokuar vazhdimin e proçesit gjyqësor’, thanë aktivistët në protestë.
Sipas tyre rasti përbën një precedent të rrezikshëm për të drejtat e qytetarëve, ndërsa brenda zonës së mbrojtur punohet.
“Ky është një precedent i rrezikshëm që mohon të drejtën e qytetarëve për drejtësi dhe për një proces të ndershëm gjyqësor ndërkohë, brenda një zone të bbrojtur derdhet beton çdo ditë”, u shprehën protestuesit.
Në verën e vitit 2023 Gjykata Administrative e Apelit e ktheu për gjykim çështjen e ndërtimit të Aeroportit të Vlorës, që ishte depozituar nga organizatat mjedisore PPNEA dhe shoqata OAOS kundër parregullsive dhe shkeljeve ligjore në projektin e qeverisë për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës.
Sipas protestuesve gjykata ka shkelur afatet e arsyeshme për të trajtuar këtë çështje jetike për natyrën dhe për të ardhmen e vendit, në mënyrë të qëllimshme.
“Ndërkohë që autoritetet premtojnë hapjen e aeroportit të Vlorës vitin që vjen, gjykatat vazhdojnë të zvarrisin këtë çështje jashtë afatit të përgjithshëm. Ne kemi të drejtë të besojmë që autoritetet dhe gjykata po e zvarrisin këtë çështje duke e vonuar vendimin dhe zhvillimin e saj”, thanë protestuesit.
Protestuesit ngritën pikëpyetje se nëse ndodh kështu me një çështje me interes kombëtar, çfarë ndodh me çështje të tjera.
“Nëse gjykata e lartë sillet kështu me një çështje që ka profil të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar, atëherë çfarë ndodh me çështjet e tjera”, pyetën ata.
Protestuesit u shprehën se ndërsa banorët e zonës së Nartës ku ndërtohet aeroporti presin vendimin e drejtësisë mjedisi po shkatërohet.
“Sa shpresë ka që qytetarët e lagunave dhe liqeneve tona të marrin një vendim nga drejtësia, pa pasur një aeroport që fluturon mbi to ose pa një gurore që po shkatërron mjedisin”, pyetën ata.
Protestuesit e cilësuan premtimin për hapjen e aeroportit më datën 8 maj shfaqje elektorale.
“Nëse ata premtojnë se do ta hapin vitin që vjen, ndërkohë fluturimi i datës 8 është thjesht një shfaqje elektorale, pasi aty nuk ka as energji elektrike” .