“Pranverë”, ekspozita kolektive e piktorëve ndër dekada në Durrës 

Veprat e artistëve durrsakë më të njohur janë bërë bashkë në një ekspozitë që është hapur në Galerinë “Nikolet Vasia” dhe do të presi publikun deri më 19 maj.  Ekspozita e titulluar “Pranverë” po tërheq vëmendjen e publikut sepse përfshin edhe punimet e kolosëve të pikturës durrsake ndër dekada.

Vizitorët në Galerinë “Nikolet Vasia”. Foto: Media Amfora

Në Durrës është çelur ekspozita që vjen edhe si një homazh për veprat e artistëve të shquar artit pamor në Durrës, si Sabri Tuçi, Agim Kavaja, Zef Ujka, Gravril Priftuli, Skënder Kokobobo, Dhimitër Arrallambi dhe emrave të tjerë të rinj që vazhdojnë traditën e artit figurativ në qytet. 

Ekspozita u mundësua nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, e cila synon të rikthejë traditën shumëvjeçare të shfaqjes së dy ekspozitave kolektive të artistëve të artit pamor në 2 stinë të ndryshme të vitit.

Pikturat e artistëve durrsakë. Foto: Media Amfora
Pikturat e artistëve durrsakë. Foto: Media Amfora

Veprat në pikturë dhe skulpturë, të realizuara ndër vite nga artistët u prezantuan për publikun e dashuruar pas ngjyrave dhe formave e ekspozuara në Galerinë e Artit Pamor “Nikolet Vasia”. Veprat sjellin për publikun emocionet e peizazhit, por nuk mugojnë as kompozimet me një mori ngjyrash dhe formash. 

Në ekspozitë nuk mungojnë as portretet në skulpturë, me fokus disa nga figurat publike të qytetit. Kjo ekspozitë vjen si rrugëtim i artit pamor durrsak, që nga periudha para realizimit socialist, për të mbërritur deri në ditët tona. 

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 19 maj, ku mund të shijohen veprat më të mira të artit pamor të realizuara në 80 vitet e fundit. Me këtë ekspozitë galeria e qytetit u rikthye për të pasionuarit pas artit figurativ pas rikonstruksionit të galerisë.