Media më e fortë vendore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Në 4 shkurt, Shoqëria Ujësjellës-Kanalizime Durrës (UK Durrës) po bënte riparime në rrjetin kryesor të ujësjellësit në afërsi të ndërtesës së Prefekturës së Durrësit ku ishin zbuluar rrënoja të vjetra. Sipas arkeologëve, këto rrënoja i përkasin të paktën Periudhës së Vonë të Antikitetit, shek. V pas Erës Sonë dhe mund të datojnë edhe më herët deri në parahistorinë e qytetit të Durrësit. Megjithatë, gazetarët konstatuan se edhe pse Këshilli Kombëtar i Kulturës dhe Trashëgimisë Materiale i kërkoi UK Durrës të rrethonte zonën dhe t’i linte gjetjet “in situ” (në gjendjen siç janë), gjetjet arkeologjike u mbuluan me mbetjet e ndërtimit. 

Kjo nuk është e pazakontë për Durrësin, qytet që shtrihet përgjatë bregdetit të Adriatikut, në pjesën perëndimore të Shqipërisë. Toka e Durrësit është e pasur me rrënoja arkeologjike që dëshmojnë origjinën ilire të qytetit. Në sajë të pozicionit të favorshëm gjeografik dhe faktit se në këtë qytet ndodhet edhe porti më i madh i vendit, në Durrës janë bërë shumë ndërtime që kanë degraduar trashëgiminë kulturore të këtij qyteti. Lufta për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të Durrësit po bëhet nga arkeologët, organizatat e shoqërisë civile, qytetarët dhe media.

Mediat kombëtare raportojnë vazhdimisht për zhvillimet në Durrës, ndërkohë që një media lokale, www.amfora.al, ka qenë e angazhuar në këtë luftë gjatë katër viteve të fundit.

Info për amfora.al

Info për amfora.al

Amfora u krijua në vitin 2017, nga një i sapodiplomuar në atë kohë për gazetari. Kjo media është pjesë e Amfora Media Group, në të cilën bëjnë pjesë www.amfora.al, Amfora Production – një kompani prodhimi videosh, dhe Durrës Press, një portal lokal për lajme online.

Amfora.al, është një portal online që fokusohet në raportimin investigativ për abuzimet me arkeologjinë dhe monumentet e kulturës në Shqipëri si dhe për promovimin e trashëgimisë kulturore të vendit. Deri në maj 2020, ky portal ishte projekt i Grupit Amfora dhe përmbajtja e tij financohej nga (i) puna e bërë përmes Amfora Production, dhe (ii) vullnetarë dhe aktivistë.

Media Amfora u krijua fillimisht si një blog në një moment kritik për qytetin e Durrësit, thotë Geri Emiri, themeluesi i grupi, sepse gjatë punimeve për zbatimin e projektit për ndërtimin e sheshit të ri “Veliera”, dolën në dritë dhe më pas u dëmtuan objekte arkeologjike. Është platforma e parë dhe e vetme online e këtij lloji, me një mision të qartë: ruajtjen dhe promovimin e zbulimeve arkeologjike dhe trashëgimisë kulturore.

Në muajin maj 2020, www.amfora.al u regjistrua si subjekt ligjor, gjë që e vë në vështirësi pronarin dhe stafin për ta kthyer atë në një subjekt fitimprurës. Pyetja kryesore që na del është se si mund të realizohet kjo gjë?

Kjo pyetje bëhet edhe më e vështirë kur merret parasysh se ekipi i redaksisë e konsideron pavarësinë editoriale si elementin bazë të punës së tij dhe, për këtë arsye, nuk pranon reklama nga pjesa më e madhe e bizneseve vendore dhe nga institucionet shtetërore.

Zhvillimi i përshtatur nga “Media për të gjithë”

Zhvillimi i përshtatur nga “Media për të gjithë”

Stafi i www.amfora.al u bashkua me Programin “Media për të gjithë” me qëllim për të mësuar si të nxjerrë të ardhura nga përmbajtja e portalit dhe, rrjedhimisht, të sigurojë qëndrueshmërinë e portalit. Gjatë gjithë programit, stafi u njoh me koncepte të reja, me mundësi dhe metoda për rritjen e të ardhurave, si të strukturojnë ofertën e tyre dhe si ta njohin më mirë e më nga afër audiencën e tyre.

Në planin e biznesit, që hartua si rezultat i kurseve të mentorimit dhe trajnimit online, u prezantuan dy produkte për t’u zbatuar: një seri videosh të shkurtra të quajtura “Kultura në një minutë”, që është një ndërthurje e tregimit me përmbajtje fotografike dhe videoje për konceptet e rëndësishme kulturore në Durrës, dhe një seri podkastesh, intervista më të gjata me aktorët kryesorë të fushës së arkeologjisë në Durrës.

Geri thekson se përfshirja në Programin “Media për të Gjithë” i ndihmoi të krijojnë stabilitetin financiar për redaksinë e tyre në raportimin e temave me interes publik dhe sipas sugjerimeve të publikut. Për më tepër, Amfora është bërë edhe më e fortë, pasi tani përdor teknologji të fjalës së fundit përmes mbështetjes së projektit si dhe mbështetje për të realizuar përmbajtje më cilësore.

Stafi i www.amfora.al ka nxjerrë një sërë mësimesh nga përvoja e tyre si pjesë e Programit “Media për të Gjithë”, përvoja që mund të jenë të dobishme për portalet e tjera lokale të lajmeve online në rajon, teksa përpiqen të realizojnë të ardhura nga përmbajtja që krijojnë, duke e ruajtur, gjithsesi, pavarësinë editoriale të paprekur.

Ja disa nga më të rëndësishmet:

Identifikimi i audiencës/konsumatorëve dhe aktorëve kryesorë

Identifikimi i audiencës, konsumatorëve dhe aktorëve kryesorë është hapi i parë i rrugëtimit të formalizimit dhe realizimit të të ardhurave. Amfora përgatiti një listë shteruese të të gjithë audiencës dhe konsumatorëve të mundshëm, dhe i analizoi ata (kush janë, ku janë, cilat janë interesat e tyre, si mund të shkohet tek ta, cila është fuqia blerëse e tyre). Po ashtu, ata analizuan edhe marrëdhëniet e tyre aktuale dhe të ardhme me median. Audienca, konsumatorët dhe aktorët kryesorë të identifikuar janë si më poshtë: 

  • Qytetarët në nivel vendor dhe kombëtar
  • Lexuesit e huaj që kanë interes në arkeologji dhe trashëgimi kulturore
  • Ekspertët, arkeologët, dhe studentët e arkeologjisë
  • OSHC të angazhuara në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore
  • Bota akademike
  • OSHC fqinje
  • OSHC ndërkombëtare
  • Donatorët
Gjuha

Gjuha

Mediat lokale i drejtohen audiencës lokale. Prandaj, përdorimi i gjuhës zyrtare është me rëndësi të jashtëzakonshme. Megjithatë, nëse shtrirja e audiencës shkon përtej nivelit vendor dhe kombëtar, ofrimi i përmbajtjes në anglisht, në gjuhë mjaft e përhapur, përbën një avantazh. Si hapi të parë, Amfora përktheu në anglisht strukturën bazë të faqes së saj ueb dhe në të ardhmen do të botojë materiale edhe në anglisht për të tërhequr lexues dhe të interesuar të tjerë të huaj.

Monetizimi (realizimi i të ardhurave)

Deri kohët e fundit, shërbimet e Amforës kishin të bënin kryesisht me prodhimin e lajmeve (tekst, fotografi dhe video) nëpërmjet reportazheve, historive me personazhe, intervistave, dhe investigimeve. Tematikat që mbulonte kjo media kishin të bënin përgjithësisht me arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore.

Për të pasuruar ofertën e saj, Amfora vendosi të fuste dy shërbime: prodhimin e videove të shkurtra dhe podkastet. Videot 60-sekondëshe prodhohen në shqip dhe anglisht dhe do të shërbejnë si platformë për të promovuar vendet arkeologjike dhe ato të trashëgimisë kulturore, ndërkohë që seancat me podkaste parashikohen të shërbejnë si mënyrë për të nxitur diskutime për çështje të rëndësishme social-kulturore. 

Deri në vitin 2020, aktivitetet kryesore të medias financoheshin nga kompania motër Amfora Production. Për të bërë të mundur realizimin e të ardhurave, kjo media ka identifikuar teknikat e mëposhtme të motenizimit për t’u përdorur:

  1. Donacione (“Dhurime nga komuniteti”) që lidhet me kërkesat ndaj komunitetit për të mbështetur media me qëllim ruajtjen e pavarësisë dhe cilësisë së raportimit;
  2. Anëtarësimi: ofrimi i përmbajtjes speciale për anëtarët dhe mundësimi i krijimit të një komuniteti të ngushtë të lexuesve të rregullt që kanë interes në fushat që mbulon media;
  3. Përmbajtje e sponsorizuar (shkrime promocionale): shkrimi i artikujve dhe krijimi i videove që promovojnë destinacione turistike apo biznese shërbimit (sektori i hoteleri-turizmit, agjenci udhëtimi, dhe biznese që fokusohen në turizëm dhe trashëgimi kulturore).
Partneritetet rajonale dhe ndërkombëtare

Partneritetet rajonale dhe ndërkombëtare

Amfora do të angazhohet në forcimin e partneriteteve rajonale dhe ndërkombëtare që mund t’i shërbejnë misionit të saj. Partneritete të tilla janë jo vetëm të rëndësishme për sa i përket mundësive për financim por edhe të lidhura me advokacinë, promovimin dhe përvetësimin e njohurive për format e përmirësimit të cilësisë së raportimit.

Të bëhesh partner mediatik

Hapi tjetër është angazhimi me organizata të shoqërisë civile (OSHC) dhe botën akademike, puna e të cilëve fokusohet në trashëgiminë kulturore. Në këtë drejtim, roli i Amforas është të shërbejë si partner mediatik për promovimin e veprimtarisë dhe projekteve të tyre. Në këtë mënyrë, OSHC-ve u ofrohet raportim i cilësisë së lartë për aktivitetet e tyre, ndërkohë që prania e mediave lokale rritet si në nivel vendor ashtu edhe kombëtar. Kështu, është me rëndësi të evidentohet se diversifikimi i portofolit është i rëndësishëm për ruajtjen e pavarësisë editoriale dhe forcimin e brandit të medias. 

Stafi të shkruajë për mediat kombëtare

Mediat e reja që kanë burime të kufizuara mund të bëjnë të mundur që stafi i tyre të shkruajë artikuj me pagesë për mediat kombëtare. Kjo praktikë përdoret edhe tek amfora.al. Duke qenë se është media relativisht e re, që ka ende nevojë të punojë për të fituar besimin e publikut në raportimin e saj, shkrimi i artikujve nga stafi i saj për mediat kombëtare konsiderohet si avantazh si për sa i përket pagesave për stafin ashtu edhe për krijimin e reputacionit, veçanërisht kur raportohet për arkeologjinë dhe trashëgiminë kulturore. 

Edhe pse një angazhim i tillë i shërben objektivave afatshkurtër, kjo gjë ndikon nga ana tjetër tek sasia e përmbajtjes që prodhohet nga Amfora. Kështu, një angazhim i tillë nuk duhet të aplikohet për një kohë të gjatë, siç thotë edhe kryeredaktori i Amforës.

Sfidat

Sfidat

Për mediat lokale, sfida kryesore mbetet zbatimi i planeve, ndërkohë që stafi dhe drejtuesit duhet të merren me kakofoninë e jetës së përditshme. Si mund të përkthehen planet në veprime të përditshme?

Tek Amfora, këto sfida trajtohen duke filluar me hapa të vegjël, si përcaktimi i objektivave SMART (specifikë, të matshëm, të arritshëm, të rëndësishëm, dhe me afate kohore), objektiva që kontribuojnë në arritjen e vizionit. Për më tepër, nëpërmjet këtyre objektivave bëhet i mundur identifikimi se çfarë i nxit gazetarët dhe stafin e gazetës dhe u caktohen kështu detyra ku ata janë të talentuar dhe kanë dëshirë t’i realizojnë.

Ata besojnë se është me rëndësi të lidhet me partnerët vendorë, që mund të ofrojnë burime të caktuara (p.sh., arkivat vendore mund të ofrojnë materiales arkivore për mediat e krijuara kohët e fundit) si dhe të investojnë në teknologji (edhe pse për këtë gjë kërkohen fonde të konsiderueshme) me qëllim që të realizohen materiale me cilësi të lartë. Duke pasur parasysh sa më sipër, një zgjidhje ideale për mediat lokale mund të jetë gazetaria e lëvizshme si mënyrë për të prodhuar përmbajtje me tekst, foto, video dhe audio.

Duhet theksuar se përmirësimi i vazhdueshëm i njohurive dhe aftësive të stafit është hap mjaft i rëndësishëm për të siguruar cilësi të lartë në raportimin e tyre. Prandaj, është me rëndësi të madhe të investohet më shumë në ngritjen e kapaciteteve që ndikojnë në cilësinë e përmbajtjes së prodhuar.

Kjo e fundit mund të arrihet nëpërmjet:

  • Identifikimit të nevojave të stafit për trajnim;
  • Identifikimi i programeve dhe kurseve të trajtimit që i përmbush këto nevoja;
  • Shfrytëzimi i mundësive për trajnime që ofrohen nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare që punojnë me mediat;
  • Përdorimi i kurseve të të mësuarit online që ofrohen nëpërmjet platformave të ndryshme të mësimeve online
  • Investimeve në aftësitë e stafit për përdorimin e teknologjisë.

Shënime përmbyllëse

Roli i mediave lokale në mbrojtjen e interesit publik është i pamohueshëm dhe këto media mund të forcohen duke përdorur një sërë masash dhe duke u lidhur me aktorë në mjedisin e tyre vendor.

Amfora po punon drejt krijimit të praktikave për monetizim me qëllim sigurimin e pavarësisë financiare dhe ruajtjen e pavarësisë editoriale. Përvoja e amfora.al tregon se, edhe pse ajo ka një mision të rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mediat lokale duhet të hyjnë në partneritet me organizata kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, të përdorin praktikat moderne të realizimit të të ardhurave, dhe të trajtojnë sfidat duke filluar me hapa të vegjël por me një qëllim të qartë si dhe të investojnë në teknologji dhe në stafin e tyre. 

________

Autor: Orkidea Xhaferaj – Ajo është një advokuese për dijen me përvojë të gjerë në sektorin publik, privat dhe zhvillimor në Shqipëri dhe rajonin e BB6. Orkidea gjithashtu ka vepruar si mentore për të rinjtë, mediat dhe bizneset e vogla, kryesisht në Shqipëri, në lidhje me rritjen e pjesëmarrjes në politikë, përmirësimin e komunikimit dhe përmirësimin e kapaciteteve të brendshme, si dhe aksesin në financa dhe qëndrueshmërinë. Ajo ka një përvojë të gjerë mentorimi dhe kërkimi, me Fondacionin Westminster për Demokraci ajo mori pjesë në kërkime mbi rolin e Mediave dhe OShC-ve gjatë krizës në Shqipëri dhe ajo gjithashtu drejton një rrjet informal të përqendruar në rritjen e pjesëmarrjes së grave në STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë).

*Ky shkrim është publikuar nga autori më datë 08 tetor në median Journalift.org dhe po ri publikohet këtu në përputhje me “politikat e ri publikimit” të Medias Amfora.