Organizatat e shoqërisë civile kërkojnë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje gjatë situatës së COVID-19
Prej 2 muajsh qeveria shqiptare ka ndërmarrë një sërë masash për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Institucionet shtetërore janë përshtatur duke punuar nga shtëpia një pjesë e punonjësve dhe Vendimet e Këshillave Bashkiak janë marrë “online” dhe jashtë vëmendjes së qytetarëve.
Një grupim organizatash dhe aktivistësh të shoqërisë civile kanë dalë në një qendrim ku kërkojnë më shumë transparencë. “Me shqetësim dhe përqasje konstruktive, ne konstatojmë se situata e pandemisë ka krijuar një shkëputje të marrëdhënies dhe raportit midis institucioneve të qeverisjes vendore dhe qytetarëve”, evidentohet në deklaratë.
Deklarata e përbashkët parashtron se organizatat e shoqërisë civile, grupet informale dhe individët konstatojnë se pavarësisht krizës, drejtuesit e institucioneve të qeverisjes vendore, në përmbushje të kompetencave të tyre, duhet të krijojnë kushtet e nevojshme për të funksionuar me transparencë dhe përgjegjshmëri ndaj qytetarëve, edhe si domosdoshmëri e respektimit të kuadrit ligjor në fuqi që garanton pjesëmarrjen e publikut në proceset vendimmarrëse të qeverisjes vendore.
Në përfundim të deklaratës së përbashkët të 26 organizatave, grupimeve informale dhe individëve të angazhuar në shoqërinë civile, i bëhet thirrje autoriteteve të qeverisjes vendore për 6 pika:
- Të garantojnë procese transaperente vendimmarëse;
- Të garantojë përfshirjen qytetare në proceset vendimmarëse;
- Të garantojnë transparencë në procesin e menaxhimit të krizës Covid19 në nivel vendor;
- Të garantojnë aksesin dhe përfshirjen e qytetarëve në diskutimet mbi buxhetet vendore;
- Të ndjekin me përparësi ligjin “Për të Drejtën e Informimit”;
- Të garantojnë aksesin efektiv të qytetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile në proceset e debatimit të çështjeve dhe marrjes së vendimeve nga Këshillat Bashkiakë.
Organizatat, grupimet informale dhe individët që nënshkruan deklaratën janë si më poshtë:
Qendra Konsumatori Shqiptar (Durrës); ABC Tirana Club (Tiranë);
“Levizja per Zhvillimin e Turizmit” (Ksamil): Grupi ATA (Kamëz);
”Nisma e Luleve” (Sarandë); Agritra Vizion (Dibër);
Qëndresa Qytetare (Tiranë); Qendra STEPS (Tiranë);
Together Foundation (Tiranë); Livia Kreko (Durrës);
Për ju nëna dhe fëmijë (Kukës); Qendra Agenda (Tiranë);
Instituti per Studimet Publike & Ligjore (Tiranë); Xhenis Kryekurti (Tiranë)
Neë Bridges (Berat); Europartners Development
Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome (Elbasan); Grupimi TAMAM Albania (Vorë);
Qendra Media dhe Çështjet Shoqërore (Tiranë) Raxhi Rakipi (Elbasan);
Klubi Social Rinor (Shkodër) Behar Dema (Maqellarë);
Qendra Durrësi Aktiv (Durrës); Partnerë për Fëmijë (Kukës)
Citizens Channel (Tiranë) Grupimi Bicycle (Durrës)
*Foto në krye, protesta kundër importit të mbetjeve. Burimi: Geri Emiri/ Amfora.al