Partia Demokratike të kthehet në gjenet e saj!
Sot Partia Demokratike ka nevojë të kthehet tek rrënjët e veta, tek shtresat që e lindën dhe i dhanë identitet, si të përndjekurit, ish-pronarët dhe intelektualët. Këto grupe nuk janë “histori e mbyllur”, por themeli moral e politik i së djathtës që sot mungon. Hapja nuk bëhet me parulla, por me rikthim të vlerave, mendësisë dhe qëllimit që dikur e bënë PD-në motor ndryshimi. Pa këtë rikthim te gjenet e veta, partia rrezikon të humbasë thelbin.
Foto kortezie gjatë një aktiviteti të Partisë Demokratike. Foto nga faqja e saj në Facebook
Debati më i madh sot brenda së djathtës dhe veçanërisht në Partinë Demokratike, është sesi duhet ndryshuar, hapur dhe riorganizuar për të mposhtur një të keqe publike që ka përpara; qeverisjen e sotme. Për të ecur përpara, nuk duhet të harrojmë nga vijmë. Sot jemi në kushtet për rikthimin e identitetit tonë. Partia Demokratike pati sukses jo vetëm si emër aletarnativ ndaj sistemit të kalbur komunist, por për idetë që përçoi dhe mbi të gjitha tek shtresat shoqërore ku gjeti përkrahjen. Si parti e djathtë, PD mori mbështetjen e të përndjekurve politikë, ish-pronarëve dhe intelektualët. Të trija shtresat shoqërore ishin nismëtarët e një subjekti politik që transformoi sistemin, duke i dhënë formë dhe përmbajtje vendit. Pa to nuk do ishim PD, po sot a jemi?
Hapja nuk është vetëm një slogan, që sado ta bërtasim nuk mund të ndodhë. Hapja është si princip dhe mendësi, më pas formë për të shkuar drejt saj, dhe, mbi të gjitha të tregojmë qëllimin e hapjes. Fatmirësisht PD bazohet në tre elementët kyç; antikomunizmin (që e gjetën dendur tek ish-të përndjekurit), pronën dhe zhvillimin e saj të cilët me principet e lirisë së tregut dhe fjalën dhe mendimin e lirë që e hasëm në shtresat intelektuale. Po sot ku është gjeneza e PD-së?! Nëse më lart përmenda që fatmirësisht u mbështetëm nga kjo shtresë shoqërore, sot fatkeqësisht na mungon. Shtresa e ish-të përndjekurve politikë nuk është “kohë e shkuar” apo “mbyllje qoftë edhe biologjike e një cikli jetësor”.
Antikomunizmin, përhapjen e ekstremit të majtë, apo të të ashtëquajtuarve të “majtë modernistë”, nuk e luftojmë si kundërshtare, pa i nxjerrë përballë vlerat e së djathtës konservatore që mbartet kryesisht në shtresën e ish të përndjekurve dhe pronarëve. Në PD sot ata nuk mund të thirrën një herë në katër vite për tu kërkuar votën. Të djathtët kërkojnë dhe nuk u nënshtrohen unit, të ashtëquajtuarit globalizëm, apo “hapjes”, duke humbur vlerat tradiocinale të shoqërisë, që edhe pse e dalë nga një sistem i gjatë komunist prej më shumë se katër dekadash, sërish trashëgoi një bosht ideologjik kundërshtarësh të sistemit, duke e paguar shpesh me jetën e tyre.
Vlera e së djathtës janë edhe njerëzit që e përfaqësojnë, jo vetëm principet e “shkruara” në statut dhe program. Pikërisht këtë duhet të mendojmë, afrimin e shtresave që dikur ishin shtylla dhe baza e formësimit dhe më pas qeverisjes së PD-së në vitet e para pas përmbysjes së sistemit komunist. Po ashtu kategoria e biznesit, e konceptuar më parë me termin ende të rëndë “ish-pronarë”, duhet të të ketë hapësirën e saj brenda Partisë Demokratike. Së fundmi dhe jo pa rëndësi janë shtresa e intelektualëve, profesionistëve të fushave të ndryshme me integritet të cilët mos përdoren vetëm “në kohë fushatash” apo “hartues momental” të programeve partiake në prag fushate. Bashkimi i vlerave është nevojë, ndërsa forma për të tërhequr është detyrë e strukturave drejtuese të Partisë Demokratike.
Profesionistët e lirë, si avokatët, inxhinierët, ekspertët e fushave të ndryshme dhe të tjerë në PD nuk vijnë se “dikush i thërret”, as se të tjerë thonë se dera është e hapur. Kjo shtresë shoqërore, e cila e bazon suksesin dhe sigurimin e të ardhurave nga puna e ndershme që bëjnë, kanë nevojë për frymëzim dhe besim në krijimin e disa vlerave që përkthehen edhe si norma të koncepteve të tyre. Tërheqja e tre grupimeve që përbëjnë shtyllën njerëzore të një subjekti të djathtë politik, nuk mund të vijë, nëse vetë partia nuk ndryshon konceptet, por përbahet vetëm në formë dhe slogan pa thelb.