Dora e përgjakur e numrit 5

Në retorikën elektorale të analistëve që mbështesin Edi Ramën është edhe argumenti se Sali Berisha është një vrasës. Ata rendisin ngjarje si viti i mbrapshtë 1997 apo Gërdeci, për të vizatuar imazhin e një krimineli të padenjë për të qeverisur vendin përsëri. Por nuk thonë ndërkohë se pushteti i Partisë Socialiste ka provokuar me dhjetra viktima. Dora e numrit 5 është e skuqur nga gjaku i pafajshëm.

Policia e Shtetit në Durrës. Foto: Media Amfora

Kam besuar gjithmonë se vetëm mendjet e vogla mendojnë me “ose/ose”. Ose e mirë – ose e keqe. Ose e drejtë – ose e shtrembër. Ose buf – ose mi. Sa më shumë plakem aq më shumë bindem se “ose/ose” është karakteristikë themelore e “tru-kikirikëve” pa kripë dhe të papjekur, që si të pamundur për të përballuar kompleksitetin e botës që i rrethon, i bien asaj shkurt duke menduar me “ose/ose”.

Ja pra që edhe në Shqipëri kjo mënyrë e të menduarit është shumë e përhapur. Një shfaqe e shëmtuar e kësaj defiçence psikike është edhe qëndrimi se nëse nuk je me Edi Ramën je me Sali Berishën dhe “vice versa”. Ky i dyti me siguri i padenjë për tu ringritur në rolin e kryeministrit pas aq shumë viktimash dhe dhune të provokuar ndër vite. Dhe kjo fatkeqësisht është e vërtetë. Ajo që shumëkush harron së thëni është se pushteti i Edi Ramës dhe mënyra sesi ky i fundit e ka qeverisur vendin, e ka provokuar gjithashtu viktima dhe dhunë.

Këtu nuk po flasim për viktimat që ka shkaktuar dhuna mes bandave, as për qindra të rinjtë që kanë humbur jetën nga overdoza e drograve të lejuara nga Qeveria Rama, as për viktimat që ka nxitur retorika politike, depresioni nga kushtet e vështira sociale dhe ekonomike. Por për viktima që kanë humbur jetën drejtpërdrejtë nga politikat e padrejta që Edi Rama dhe kabineti i tij kanë krijuar apo zbatuar. Më poshtë një listë e shkurtër e këtyre humbjeve:

  1. Gjovalin Lazri – Në mars të vitit 2015-të, Gjovalin Lazri, 53 vjeç, nga fshati Tale, babai i katër fëmijëve, invalid prej 10 vitesh, nuk e përballoi dot presionin për të paguar rreth 700 mijë lekë apo 7 mijë euro për OSHEE-në, e cila i kishte ndërprerë energjinë elektrik dhe helmoi veten, duke pirë fostoksinë.

2. Adrian Kllogjeri – Në qershor të vitit 2015, Adrian Kllogjeri, vetëm 15 vjeç, ka gjetur vdekjen, pasi ra në kontakt me energjinë eklektike. Ngjarja e rëndë ndodhi afër një kopshti në lagjen numër 16 në qytetin e Durrësit. I mituri ishte duke kaluar nëpër rrugët e përmbytura nga shiu, si pasojë e motit të keq. As Bashkia e Durrësit dhe as OSSHE-ja nuk mbajtën kurrë përgjegjësi publike për vdekjen e Kllogjerit edhe pse siguria rrugore dhe infrastrutkrua elektrike janë nën përgjegjësinë e tyre.

3. Hari Doda – Në shtator 2015 vrau veten me pistoletë Hari Dado, baba i dy fëmijëve. Vetëvrasja ndodhi për shkak të një borxhi që familja i’a kishte OSSHE-së në shumën 1 milion lekë. 

“Burri im i ka dhënë fund jetës për shkak të borxhit ndaj OSHEE-së dhe kohët e fundit gjendja e tij ishte rënduar për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike”, i deklaroi gazetarëve në atë kohë bashkëshorja e të ndjerit Doda.

4. Ardit Gjoklaj – U gjend i vrarë më 7 gusht 2016 dhe tronditi opionion publik për shkak se megjithëse minoren, punonte për të mbajtur familjen që gjendej në kushte të vështira ekonomike. 

“Në kronikën televizive të një prej vizitave në landfill, të transmetuar më datë 16 qershor 2016, Erion Veliaj lançoi planin e tij për ndalimin e seleksionimit të mbetjeve nga kazanët e plehrave dhe u sugjeroi të gjithë atyre që siguronin bukën e gojës përmes këtij aktiviteti që të punësoheshin ligjërisht në landfill dhe të merrnin rrogë me ‘sigurime shoqërore’. Ftesa e Veliajt shërbeu si nxitje për shtimin e krahut të punës në impiantin e instaluar në Sharrë nga kompania “3R” sh.p.k. Në të kundërt, asnjë prej standardeve të premtuara nga kryebashkiaku nuk u aplikua gjatë procesit të punës”, – shkruante BIRN më 17 maj të vitit 2018, duke artikuluar një opinon të gjerë qytetar që fajsonte direkt kryetarin e Bashkisë Tiranë për vdekjen e Gjoklajt.

5. Klajdi Muça – Ishte vetëm 31 vjeç kur i dha fund jetës në janar të vitit 2017-të për arsye se nuk kishte mundësi që të paguante një faturë të OSSHE-së, e cila kapte shumën 80.000 lekë. Muça ishte në gjendje të rënduar psikologjike edhe nga papunësia, e situata e vështirë ekonomike në të cilën ndodhej. 

6. Ardjan Kallmi – Në maj të vitit 2018-të 47 vjeçari i dha fund jetës duke u vetëvarur. Vajza e tij Romina, tregoi për median në atë kohë se punonjësit e policisë e dhunuan fizikisht e psikologjikisht, vetëm që të pranonte një vjedhje që Ardjani s’e kishte kryer kurrë. Shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çuni, në një bisedë me gazetarët e “Fiksit”, tha, “Shumë mirë që vrau veten!”.

7. Klodian Rasha – I riu u vra nga Policia e Shtetit më 8 dhjetor 2020. Ai ishte një 25-vjeçar që u qëllua për vdekje nga një efektiv policie në Tiranë gjatë orës policore – që ndalonte qarkullimin në kuadër të masave anti-COVID. Ngjarja shkaktoi protesta të dhunshme në të gjithë vendin, me kërkesa për drejtësi dhe përfundimin e dhunës policore. Pavarësisht se nuk u cilësua si vrasje politike, rasti ngriti shqetësime për abuzimin me pushtetin dhe mungesën e përgjegjësisë në radhët e forcave të rendit.​

8. Bilbil Hasani – Babai i katër fëmijëve vuante nga probleme të shëndetit mendor dhe u vetëvra në burgun 313-të, në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 shkurt të vitit 2020 dhe familjarët fajësuan për këtë shtetin, i cili pavarësisht problemeve të shëndetit mendor që kishte viktima, nuk u kujdes që ai të kurohej apo të institucionalizohej në një qendër të specializuar. 

9. Jonada Avdia – Vetëm 7 vjeçe, ajo humbi jetën pasi një gomone e drejtuar nga shefi i policimit në komunitet në Elbasan, i identifikuar si Arjan Tase, e goditi për vdekje ndërkohë që luante në breg të detit. Tase ka qenë Shefi i Komisariatit të Himarës, por megjithëse ishte arrestuar pas një operacioni antidrogë, ishte rikthyer sërish në Polici, me detyrë në Elbasan. 

10. Shpresa Cani – Në muajin dhjetor të vitit 2022 Shpresa Cani, 48 vjeçe, vdiq në zyrën e kryebashkiakes së Lushnjës, nga një atak kardiak që pësoi fill pasi bashkia i hoqi ndihmën ekonomike.

11. Arben Pjeçi – Në janar të vitit 2024 oficeri i policisë me eksperiencë vrau veten me armën e shërbimit në zyrën e tij, brenda Policisë së Durrësit. Viktima kishte një karrierë 35-vjeçare në uniformat blu. Ai ndodhej në gjendje të rëndë psikologjike pasi ishte pezulluar nga detyra.

12. Pal Trashaj – Ai ishte një 63 vjeçar nga Lezha, i njohir si ish-drejtues i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe mbeti viktimë e skemës famëkeqe të mikrokredive. Nga kjo e fundit dyshohet se kanë mbetur viktima të mashtrimit financiar më shumë se 100.000 qytetarë. 

Këtu mund të ishin shumë më shumë sesa këto persona fatkeq. Zgjodhëm 12 në mënyrë simbolike, për secilin vit që Edi Rama dhe pushteti i tij kanë sunduar Durrësin dhe Shqipërinë. Ky artikull është një homazh për të gjithë ata shpirtra të humbur që lanë pas këtë botë me mendimin e fundit se qeveria e tyre i kishte braktisur dhe se ishin vetëm. Si homazh për të gjithë ata që ranë në depresion për shkak të klimës së krijuar dhe nuk ja dolën dot. Zoti i dhëntë dritë shpirtrave të tyre dhe e ndëshkoftë dorën gjakatare, që mori jetët e pafajshmë për të cilat ishte betuar të kujdesej.