Rrjolli kundër resortit: Banorët në betejë për tokat e trashëguara

Në bregdetin e Rrjollit, në Velipojë, familje që kanë tokë të trashëguar ndër breza po përballen me një investim staregjik që ka nisur punimet në zonë. Banorët kanë dalë në protesta për të kundërshtuar projektin, ndërsa çështja e pronësisë mbetet ende pa një përgjigje përfundimtare nga institucionet.

Mes kodrave shkëmbore dhe lagunave bregdetare të Rrjollit, një zonë e pasur natyrore në veri të vendit, kanë nisur ndërhyrjet e para për ndërtimin e një resorti turistik. Në këtë terren, që banorët thonë se e kanë trashëguar prej brezash, prej ditësh po zhvillohen protesta kundër projektit.

“Ne jemi banorë të këtij fshati prej brezash. Këtu kanë lindur gjyshërit, stërgjyshërit dhe prindërit tanë. Këto toka janë të trashëguara dhe nuk mund të na i marrë askush”, tha Altin Pjeshka, banor i Rrjollit për Median Amfora.

Banorët thonë se tokat në këtë zonë janë trashëguar nga familjet e tyre prej dekadash dhe se shumë prej tyre kanë dokumente që vërtetojnë pronësinë. Sipas tyre, ndërhyrjet për ndërtimin e resortit kanë nisur ndërsa proceset gjyqësore për këto prona janë ende të hapura.

“Kjo është toka e gjyshit dhe stërgjyshit tim. Kur ata nuk e kanë shitur, nuk kemi pse ta shesim ne. Duam t’ua lëmë fëmijëve tanë, jo ta humbasim kështu”, thotë Gëzim Pjeshka, një tjetër banor i zonës.

Makineritë e firmës sipërmarrëse në terren për hapjen e rrugës drejt kantierit të resortit. Foto: Media Amfora 


Fshati Rrjoll ndodhet në njësinë administrative Velipojë, pjesë e Bashkisë Shkodër, rreth 40 kilometra nga Shkodra dhe afro 15 kilometra nga Shëngjini. Territori bën pjesë në Peizazhin e Mbrojtur Velipojë – Bunë, mes Lagunës së Vilunit dhe Monumentit Natyror të Ranës së Hedhun.

Në këtë hapësirë parashikohet ndërtimi i resortit turistik “Blue Borgo”, një investim prej rreth 280 milionë eurosh, që do të shtrihet në mbi 140 hektarë tokë bregdetare dhe do të përfshijë hotele, vila dhe ndërtesa akomoduese.

Banorët e kundërshtojnë projektin, duke pretenduar se resorti po ndërtohet mbi tokat e tyre të trashëguara dhe se çështja e pronësisë është ende në procese gjyqësore.

Disa prej familjeve thonë se kanë dokumente që vërtetojnë pronësinë mbi tokat ku parashikohet ndërtimi, ndërsa kërkojnë që institucionet të verifikojnë procesin dhe të ndalojnë punimet deri në një vendim përfundimtar.

“Ne nuk jemi kundër zhvillimit, sepse edhe ne duam të zhvillohemi, por duam që të na jepet e drejta jonë. Jemi në gjykatë për të parë kush është pronari i vërtetë”, tha Luciana Koka Shullani, banore e zonës.

Konflikti mes banorëve dhe projektit turistik nisi të përshkallëzohej në momentin kur në zonën e Baks – Rrjollit hynë makineritë për përgatitjen e kantierit të resortit. Banorët reaguan duke u mbledhur në terren duke protestuar se toka ku parashikohet ndërtimi është pronë e familjeve të tyre dhe se çështjet e pronësisë nuk janë zgjidhur ende në gjykatë. Që prej asaj kohe, protestat janë kthyer në të përditshme, ndërsa banorët kërkojnë pezullimin e punimeve deri në një vendim përfundimtar.

Banorët thonë se protestat do të vazhdojnë derisa të ketë një përgjigje të qartë nga institucionet.

“Jemi disa dhjetëra familje këtu dhe nuk do të tërhiqemi. Kjo është toka e fëmijëve tanë dhe do t’i dalim zot deri në fund”, thotë një tjetër banor i Rrjollit.

Në këtë zonë jetojnë pesë fise, që përfshijnë rreth qindra banorë, përfaqësues të së cilëve thonë se tokat i kanë trashëguar nga të parët e tyre dhe i konsiderojnë pronë prej brezash.

“Jemi pesë fise, rreth 80 familje. Kjo është pasuria e gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë dhe duam t’ua lëmë fëmijëve tanë, jo ta humbasim”, tha Gëzim Pjeshka, banor i Rrjollit.

 Forca të policisë pranë zonës ku po zhvillohen protestat e banorëve.  Foto: Media Amfora 

Sipas tabelës informuese të vendosur pranë kantierit, në këtë zonë parashikohet ndërtimi i resortit turistik “Blue Borgo”, një investim i kompanisë “ABA Blue Borgo”, pjesë e grupit Gener 2. Projekti është planifikuar të shtrihet në mbi 140 hektarë tokë bregdetare në zonën e Baks-Rrjollit, në njësinë administrative Velipojë, Bashkia Shkodër. Kompleksi parashikon ndërtimin e hoteleve, vilave turistike dhe strukturave akomoduese, ndërsa investimi llogaritet në rreth 280 milionë euro dhe pritet të realizohet brenda disa viteve.

Shumë prej familjeve të zonës jetojnë prej vitesh në emigrim, por thonë se tokën e kanë mbajtur si pasurinë më të rëndësishme të familjes.

“Jetojmë jashtë shtetit dhe kemi ardhur për të drejtat e tokës tonë. Tokat janë të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Ne e kemi ndarë mendjen për mos i lëshuar këto vende se kemi të drejtën tonë”, tha një tjetër banor e Rrjollit.

Disa prej banorëve akuzojnë personat që kanë përfituar dokumentet e pronësisë se kanë vepruar në mënyrë të paligjshme dhe thonë se ata janë pronarët e vërtetë të tokës.

“Ne kemi shkuar në Prokurorinë e Shkodrës për të kërkuar saktësimin se kush është i ligjshëm dhe kush është i paligjshëm. Ne e ndiejmë veten që jemi të ligjshëm”, tha një nga banorët e zonës.

Një tjetër banore pohoi se dokumentet e pronësisë janë falsifikuar.

“Ka ardhur Fatmir Shpeza dhe ka falsifikuar letrat dhe këtë pronë e ka bërë të vetën, në bazë të një testamenti që pretendon se është firmosur në vitin 1956”, tha Luciana Koka Shullani.

Në rrëfimet e tyre, banorët përmendin edhe personat që, sipas tyre, kanë marrë pronat dhe i kanë kaluar më pas te kompania që po zhvillon projektin.
“…dhe direkt automatikisht e shiti tek kompania e Bashkim Mulës…”, tha një nga banorët e zonës.

Protestat nisën në fillim të shkurtit, pasi banorët panë makineritë që hynë në zonë për hapjen e rrugës drejt kantierit të resortit. Fillimisht u mblodhën disa familje, por ditë pas dite numri i protestuesve u rrit, ndërsa banorët u organizuan për të qëndruar çdo ditë në terren. Ata thonë se janë drejtuar edhe pranë institucioneve, duke kërkuar verifikimin e dokumenteve të pronësisë dhe pezullimin e punimeve deri në një vendim përfundimtar. Prej disa ditësh, protestat vijojnë çdo ditë në zonë, ndërsa familjet thonë se nuk do të tërhiqen nga toka që e konsiderojnë të trashëguar.

Prej disa ditësh protestat janë shoqëruar me tensione, ndërsa banorët thonë se janë shoqëruar në komisariat pothuajse çdo ditë gjatë kundërshtimit të punimeve.

Gjatë ditëve të protestës, disa prej banorëve thonë se janë shoqëruar nga policia në komisariat, ndërsa kërkonin ndalimin e punimeve në zonë. Ata pretendojnë se ndërhyrjet kanë ndodhur herët në mëngjes, ndërsa protestat vijonin pranë terrenit ku parashikohet ndërtimi.

“Vijnë që në 6 të mëngjesit, na marrin, na fusin nëpër furgona dhe na lënë deri në 12 të natës në Shkodër. Çfarë kemi bërë ne? Jemi në tokën tonë”, tha Gëzim Pjeshka, banor i Rrjollit.

Pamje nga zona e Baks-Rrjollit, Velipojë. Foto: Media Amfora

Ndërsa protestat e banorëve vijojnë si në terren, ashtu edhe përpara institucioneve, në zonë punimet për hapjen e rrugës vazhdojnë. Makineritë e firmës sipërmarrëse janë ende në terren, ndërsa prania e shtuar e forcave të policisë shoqëron çdo ditë tensionet mes projektit dhe banorëve.

Banorët thonë se nuk do të tërhiqen nga toka që e konsiderojnë të trashëguar dhe se protestat do të vazhdojnë deri në një zgjidhje përfundimtare të çështjes së pronësisë.
“Jemi disa dhjetëra familje këtu dhe nuk do të tërhiqemi. Kjo është toka e fëmijëve tanë dhe do t’i dalim zot deri në fund”, tha një banor i Rrjollit.